Nis viti i ri shkollor, në 5 burgje në vendin tonë
Viti i ri shkollor, i ciklit 9-vjeçar ka filluar edhe në 5 burgje në vendin tonë, pikërisht në burgun e Peqinit, Korçës, Fushë-Krujës, Vaqarrit si dhe Institutin e të Miturve Kavajë. Janë gjithsej 163 persona me liri të kufizuar, të cilët do të ndjekin procesin mësimor.
Nga këta, 34 të burgosur janë regjistruar në IEVP në Fushë-Krujë, 50 të burgosur në IEVP në Korçë, 37 të burgosur janë regjistruar në IEVP Peqin, 16 të dënuar janë regjistruar në IEVP, Vaqarr. Ndërsa në Institutin e të Miturve në Kavajë, janë regjistruar për të ndjekur procesin arsimor në ciklin e ulët, 12 të dënuar dhe në ciklin e lartë 14 të dënuar.
Procesi arsimor në këtë institucion do të jetë me kohë të plotë dhe do të zhvillohet nga 4 mësues të Zyrës Rajonale Arsimore Kavajë. Aplikimi dhe hapja e sistemit 9-vjeçar mësimor, është bërë e mundur në saj të marrëveshjes së bashkëpunimit të lidhur midis Ministrisë së Arsimit e Shkencës dhe Ministrisë së Drejtësisë në vitin 2008. Shkolla e parë është hapur në IEVP Peqin.