Hoeness FIFA po shkaterron sportin

Presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, sulmoi Federatën Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) në një intervistë të dhënë sot, duke thënë se skandalet e fundit të korrupsionit po shkatërrojnë imazhin e sportit.
Zyrtarë të FIFA-s rezultuan të përfshirë në raste mitmarrje, për favorizimin e kandidaturave të ndryshme, konkurruese për fitimin e Botërorit të viteve 2018 dhe 2022.
”FIFA duhet të pyesë veten nëse gjërat mund të vazhdojnë të funksionojnë kështu. Gjërat që kanë dalë në dritë janë një skandal i vërtetë, imazhi i futbollit është duke u shkatërruar”, deklaroi Hoeness për të përditshmen “Bild”.
Sulmet e presidentit të Bayern-it erdhën një muaj pasi FIFA zgjodhi Rusinë dhe Katarin si vendet që do të zhvillojnë dy Botërorët pas Brazil 2014.