Uruguai-Ganë, duel për të shkruar historinë
çerekfinalja që do të luhet sot në mbrëmje, ndërmjet Uruguait dhe Ganës, vlen më tepër sesa një ndeshje futbolli. Në fakt, të dyja skuadrat synojnë të arrijnë një rezultat historik, duke u kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2010. Gana kërkon të jetë përfaqësuesja e parë afrikane që kualifikohet mes 4 më të mirave. “Do të fitojmë për Afrikën, do të kualifikohemi”, deklaroi Kevin-Prins Boateng për “Bild”. “Kemi qëndruar në këtë aktivitet më gjatë se Franca, Italia apo Anglia; është e pabesueshme”. Por, edhe uruguaianët janë shprehur të gatshëm të luftojnë deri në fund. “Këtu kemi shansin të shkruajmë historinë dhe do të bëjmë gjithçka për t’ia arritur”, deklaroi trajneri Oskar Uashington Tabarez. Në fakt, në prag të Afrikës së Jugut 2010, askush nuk mendonte se Kombëtarja “çeleste” do të paraqitej kaq mirë. Nuk mund të bëhen krahasime me skuadrën që ka triumfuar më 1930 dhe 1950, por Tabarez beson se “Uruguai do të luajë ndeshjen më të rëndësishme të dekadave të fundit”.
#