E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda, finalistja e parë. Hera e trete ne finale

Holanda u bë finalistja e parë e Botërorit të Afikës së Jugut, pasi mposhti me rezultatin e ngushtë 3-2 gjysmëfinalisten nga Amerika e Jugut, Uruguain, në një ndeshje me shumë emocione dhe gola të jashtëzakonshëm.

Për Holandën kjo është hera e tretë që mbërrin finalet e një Botërori, pavarësisht se nuk e ka fituar asnjëherë atë: në vitin 1974 humbën me Gjermaninë (2-1) në Munih, ndërsa në vitin 1978 me Argjentinën (3-1) në Buenos Aires.

Ndoshta kësaj radhe në tokë neutrale, Holanda, që është në pritje të fituesit të çiftit tjetër gjysmëfinal, Gjermanisë dhe Spanjës, do të ketë fatin të fitojë për herë të parë trofeun e çmuar duke u shndërruar kështu në kombin e tetë që fiton një Botëror.

Për herë të fundit në gjysmëfinale, Holanda ka qenë në Botërorin e Francës (1998) por atëherë “tulipanët” u eliminuan nga Brazili (në finale humbi 3-0 me Francën).

Kapiteni Xhovani van Bronkhorst shënoi një supergol me një goditje nga rreth 30 metra në minutën e 18-të, dhe i të njëjtit klas ishte dhe goli i barazimit të uruguaianit Diego Forlan në minutën e 41-të, por gjuajtja e tij u devijua paksa edhe nga portieri holandez, Stekelenburg.

Me pjesën e parë të mbyllur në barazim, Holanda u gjet në vështirësi në minutat e para të pjesës së dytë, por një gol tipik i Uesli Shnajderit i devijuar edhe nga dy mbrojtës uruguaianë në minutën e 70-të duke se mbylli ndeshjen, pasi vetëm tri minuta më pas, Arjen Robeni shënoi me kokë golin e tretë pas një asisti të mrekullueshëm të fantazistit të Interit. Për Shnajderin ky ishte goli i pestë në këtë Botëror, duke u barazuar me spanjollin David Vija.

Uruguai, që nga nga ana e tij e ka fituar dy herë kampionatin botëror, në vitin 1930 të zhvilluar në vendin e tij, njëherësh edhe Botërori i parë, si dhe në vitin 1950 të organizuar në Brazil, shënoi golin e dytë me anë të Perrieras në minutën e 91-të, por pa mundur të çojë ekipin e tij në kohën shtesë. Fërshëllimat e fundit të gjyqtarit nga Uzbekistani, Ishmatov, çoi në finalen e madhe të Kampionatit të 19-të Botëror, Holandën e Shnajderit dhe Arjen Robenit, dhe një trajneri jo shumë të mediatizuar si Bert van Marvijk.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Marte, 06 Korrik 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›