E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i organeve, “Pretendime të pamotivuara dhe të pabazuara në prova”

09/03/2010 Shefi i diplomacisë deklarohet për gjoja trafikimin e organeve të serbëve

Qeveria do të vijojë bashkëpunimin për zbardhjen e së vërtetës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta i ka vlerësuar të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore pretendimet e ngritura për trafikun e organeve të robërve serbë në Shqipëri gjatë luftës së Kosovës. Në një prononcim për mediet shefi i diplomacisë shqiptare tha dje se qeveria dhe organet kompetente shqiptare kanë bashkëpunuar ngushtë dhe pa asnjë rezervë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe me grupin e posaçëm hetimor që ka vizituar Shqipërinë në vitin 2003 për të hetuar këto pretendime. Pretendime për të cilat Meta theksoi se rezultuan të pavërteta. “Ritheksoj gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të qeverisë së Shqipërisë për të bashkëpunuar pa rezerva me institucionet ndërkombëtare të angazhuara në zgjidhjen e kësaj çështjeje me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës dhe Këshillin e Europës, në mënyrë që t’u jepet një përgjigje përfundimtare këtyre pretendimeve, që do t’i cilësoja të pamotivuara dhe të pabazuara në prova thelbësore”, - ka deklaruar ministri Meta. Pretendimet për trafikim të organeve të serbëve gjatë luftës në Kosovë, në një kullë në fshatin Gurë të rrethit të Matit, u ngritën nga pala serbe, bazuar edhe në shkrimet e ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës Karla del Ponte. Në librin e saj “Gjuetia” përmendej ekzistenca e një klinike të transplantimit të organeve të serbëve të kapur nga UÇK-ja me qëllim trafikimin e tyre. Por gjithçka rezultoi një flluskë sapuni. Duke forcuar qëndrimin e tij, Meta deklaroi se ekzekutivi shqiptar është i hapur dhe i interesuar që ta çojë deri në fund këtë proces, duke mbyllur një herë e mirë kapitullin e pretendimeve se në Shqipëri janë kryer krime të tilla.

Verifikimet

Në tetor të 2008-s kryeprokurorja shqiptare Ina Rama në takim me prokurorin serb të krimeve të luftës Vladimir Vukçeviç bëri prezent rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët të bërë në vitin 2005 dhe me hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të Matit, ku u arrit në konkluzionin e përbashkët se nuk kishte gjë të vërtetë rreth shkrimeve të Karla del Pontes për ekzistencën e një klinike të transplantimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›