E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, Topit: Mos dekreto “Ditën e Kujtesës”

TIRANE-Përfaqësues të shtresës së ish-të përndjekurve politikë, drejtues të sindikatave të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile, i kanë kërkuar Presidentit Bamir Topi të mos e dekretojë ligjin e propozuar nga qeveria, që përcakton datën 20 shkurt si ditë të përkujtimit të viktimave dhe krimet e komunizmit. Përmes një deklarate të përbashkët, ata pretendojnë se “emërtimi qeveritar i 20 shkurtit nuk pasqyron anën historike të ngjarjes dhe kontributin e madh të popullit tonë”. “Kërkojmë që ky projektligj të rishqyrtohet përsëri nga organet përkatëse shtetërore, duke marrë parasysh kërkesat e popullit tonë, që ishte protagonisti kryesor i kësaj dite, i udhëhequr nga sindikatat e pavarura dhe shtresa e ish-të përndjekurve politikë, dhe jo nga parti politike. I takon popullit shqiptar si fitimtar, të caktojë vetë emërtimin e kësaj dite me rëndësi kombëtare dhe jo nga individë dhe parti politike, sepse do të ishte gabim i madh historik, politik, kombëtar dhe i pluralizmit, që brezat e ardhshëm do ta korrigjojnë”, - thuhet në deklaratë e tyre. Ajo është firmosur nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Prefekturës së Tiranës, Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, Sindikata e Minatorëve si edhe protagonistë të dekoruar për ngjarjet e 20 shkurtit 1991, sikundër është Saimir Maloku.
Propozimi
Në letrën e hapur publike drejtuar Presidentit të Republikës, përfaqësuesit e sindikatave dhe shtresës së ish-të përndjekurve politikë propozojnë që, emërtimi i mundshëm i datës 20 shkurt të jetë “Dita e shembjes së diktaturës komuniste dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist”. Ata sugjerojnë gjithashtu që kjo ditë të shpallet si festë zyrtare. “Duhet të theksojmë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Këshillit të Europës dhe OSBE-ja, nëpërmjet ambasadorëve të tyre në Tiranë, nga takimet e përzemërta që kemi pasur me shkëlqesitë e tyre si dhe Presidenti i Republikës, i përkrahin kërkesat tona të mësipërme dhe për këtë ne i falenderojmë”, - thuhet në këtë deklaratë.
Takimi
Lidhur me kërkesat e ngritura në këtë letër publike, Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të zhvillojë sot paradite një takim me një përfaqësi të tyre për t’u njohur më nga afër me idetë e tyre. Anëtarë të kësaj përfaqësie do të jenë respektivisht, kreu i Bashkimit të Sindikatave, Gëzim Kalaja; protagonisti i dekoruar i 20 shkurtit 1991, Saimir Maloku; Drejtori i Qendrës për Rehabilitimin e Traumës, Adrian Kati etj.
20 shkurt
Viktimat dhe krimet e komunizmit do të përkujtohen më 20 shkurt, ditën kur qytetarët e Tiranës rrëzuan bustin e diktatorit në qendër të Tiranës. Kuvendi miratoi në datën 25 shkurt 2010, projektligjin e ardhur nga qeveria për simbolet dhe përkujtimin e viktimave dhe krimeve të komunizmit, duke përcaktuar disa detyrime për shtetin shqiptar në përkujtimin e diktaturës komuniste. Ndryshe nga sa u propozua fillimisht, që data 29 nëntor të jetë dita e përkujtimit të viktimave dhe krimeve të komunizmit, u vendos me shumicë votash që 20 shkurti të përkujtojë këtë datë.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›