Holanda i vjedh fitoren Shqipërisë. Gjyqtari Rili anullon nje gol te rregullt

Dash Frashëri
Nuk mundëm të krijonim një tjetër mbrëmje të madhe, edhe pse dhamë gjithcka. Një humbje e pamerituar. Barazimi ishte më i drejtë. "Ne luajtëm shumë mirë nga pikëpamja taktike dhe luftarake. Më erdhi keq për humbjen", - tha trajneri Oto Baric, në fund të ndeshjes. "Nuk e kuptoj se përse u anulua goli".
Një ndëshkim që erdhi atëherë kur të gjithë ne prisnim të merrnim rezultatin e pestë rresht pozitiv dhe barazimin e katërt në tetë takimet. Fitorja minimale e Marko Van Bastenit (gati në ekstazë kur Rud Van Nistelroi në minutën e 91) nuk ishter produkt i lojës së yjeve të tij, por ashtu si në Amsterdam një vit më parë, me ndihmën e arbitrit. Nëse izraeliti Aron Jefet në ndeshjen e parë kundër "tulipanëve" nuk dha të paktën tri penallti të pastra, anglezi Rili, në takimin e dytë kundër tyre, anuloi një gol krejtësisht të rregullt të shënuar nga mbrojtësi Mario Melshiot në portën e tij, në fund të pjesës së parë. Gjithsesi kjo mund të quhet një tjetër gafë e tij
"Nuk është rezultat i merituar, pasi Shqipëria luajti shumë mirë përballë një kundërshtari të madh. Shqipëria krijoi shumë raste", - pohoi Bogdani, pas përfundimit të takimit. "Barazimi ishte më i drejtë. Shqipërisë nuk i mungoi asgjë".
Një pjesë e parë e madhe e ndërtuar me zgjuarsi nga tekniku i Shqipërisë, Oto Baric dhe e ekzekutuar në mënyrë perfekte nga të të gjithë lojtarët. Kronika flet tërësisht për kuqezinjtë. Nga minuta e parë, kur luajtëm topin e parë. Duro merr faullin e parë, ndërsa në minutën e 7-të, Shqipëria ishte pranë golit, kur Bogdani goditi fuqishëm një top brenda zonës të vogël, që u përplas në trupin e Andre Oter. Në fushë fillojnë të shfaqen dulet e para: Kristi Vangjeli- Robin Van Persi, Debatik Curri- Rud Van Nistelroi dhe Lorik Cana-Uesli Shnajder. Mbrojtësi i Arisit të Selanikut, Vangjeli, një nga më të mirët në fushë, doli fitues nga sulmuesit të Arsenalit, Robin Van Persi.
Në minutën e 26-të Duro tmerron të gjithë tifozët holandezë kur qeth shtyllën pingule. Në të 40' është radha e Bogdanit që rrezikoi portën e Van Der Sarit. Kulmi i pjesës së parë ishte goli i anuluar me të padrejtë nga gjyqtari anglez Rili, kur mbrojtësi Mario Melshiot në tentativë për të larguar topin shënoi me kokë një autogol. Por, anglezi thotë jo. Në mënyrë të padrejtë Aq sa Oto Baric në përfundim të pjesës së parë, protestoi ashpër ndaj qyqtarit anglez.
Pjesa e dytë nisi me Alban Bushin në vend të Kapllanit, i cili nuk shfaqi asgjë nga reporteri i tij. Në të 69' Duro i lë vendin Haxhit. Loja merr të të tjera ngjyra. Rrezikojmë më shumë, jemi më afër portës. Por, Cana, në një mbrëmje shumë të lodhshme dhe nervoze, ndoshta dhe nga mbulimi i rreptë i Shnajderit humbi logjikën dhe në të 87' ndëshkohet me karton të kuq. I panevojshëm. Një gjest i tepruar i mesfushori të Marsejës ndaj Van Nistelroi. Si për të ndjellë minutën fatale 91. Golin e Holandës. Atëherë kur të gjithë prisnin fishkëllimën e anglezit Rili. Xhon Van Bronkost rrëmbeu një top në të majtë të sulmit të holandezëve, kaloi Dallkun, u fut në zonë duke i dhënë një pas të artë Rud Van Nistelroit, që midis Dedes dhe Currit lëshoi diagonalisht topin drejt portës, për të thyer pas katër ndeshjes Arjan Beqaj, i cili ishte në një tjetër ditë të mirë.
Historia kundër Shqipërisë
Shqipëri-Holandë, një përballje që u rikthye në Tiranë pas 43 vjetësh, kur për herë të parë dhe të fundit në "Qemal Stafa" (atëherë gjysma e këtij aktual) dy ekipet u ndeshën më 25 tetor 1964. Ballafaqimet me "tulipanët" kanë qenë gjithmonë të hidhura: katër ndeshje, katër humbje.
Kështu ndodhi edhe në takimin e parë, më 24 maj 1964, kur Shqipëria humbi 2-0 në Fejënord, për eliminatoret e Kampionatit Botëror Angli 1966, kur pas mbyllëm pjesën e parë në barazim 0-0, pësuam dy gola brenda katër minutave: Shrijvers (48') me penallti (e dyshimtë sipas portierit të përfaqësueses sonë, në atë takim, Mikel Janku) dhe Muler në të 52'.
Edhe në ndeshjen e kthimit, më 25 tetor 1964, humbëm me të njëjtin rezultat 2-0, por kësaj radhe holandezët shënuan golin e parë, tri minuta pas fillimit të takimit (Van Nee, 3') dhe golin e dytë, tri minuta para përfundimit të ndeshjes (Geurtsen, 87'). Në takimin e tretë të zhvilluar në Amsterdam, më 11 tetor 2006, për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, tradita nuk ndryshoi: pësuam dy gola, (të parin e shënoi Van Persi), ndërsa të dytin e pësuam me autogol (Nevil Dede), por në ndryshim nga dy ballafaqimet e vitit 1964, në takimin e tretë kundër "tulipanëve" shënuam me anë të Debatik Currit golin e nderit.
Takimi i djeshëm, i katërti kundër Holandës duhet të përfundonte të paktën në barazim 0-0. Por fati nuk e desh, madje as arbitri anglez Majk Rili. Gol i anuluar për Shqipërinë në pjesën e parë dhe një gol fatalisht i shënuar nga Holanda në minutën e 91, nga sulmuesi i Realit të Madridit, Rud Van Nistelroi.
Jashtë fushës
Atmosfera - "Shqipëri, Shqipëri!". Këto ishin thirrjet e zakonshme në gjatë gjithë ditës së djeshme në Tiranë. Ethet e ndeshjes së shumë pritur Shqipëri-Holandë, së pari nisën jashtë stadiumit. Kryeqyteti shqiptar u shndërrua dje në një pikë referimi për gjithë shqiptarët kudo në botë, dhe për më tepër pikëtakim krenarie i të gjithë tifozerisë kuqezi të ardhur nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, por dhe nga Kosova e Maqedonia. Atmosfera ishte e këndshme, emocionet të mëdha. "Shqipëri, Shqipëri!". Të gjithë me shpresë te fitorja. Të uruar në të gjitha dialektet e shqipes.
Tifozët – Të zjarrtë. Të zhurmshëm. Të ngjirur. Të nxehur në kulm kundër Holandës. Një rast që nuk përsëritet shpesh. Të veshur kuqezi për të sfumuar ndonjë "njollë" portokalli ata ishin "dekori" më i bukur i Tiranës. Në një ditë të ngrohtë si ajo e djeshmja. Të gjithë në aventurën për të qenë pjesë e ndeshjes, të paktën në rrugë. "Qemal Stafa", nuk mund të pranojë më shumë se 10 për qind të atyre që dje manifestuan në rrugët kryesore që të conin drejt Stadiumit Kombëtar. Shumë e kishin ëndërruar një biletë. Por, edhe pa të, u mjafton të dëgjojnë jehonën që vjen nga stadiumi për tu treguar "Ultras kuq e zi" deri në pritje të pëfundimit të takimit. Kalimi i autobuzit të Kombëtares për të cuar futbollistët në stadium i cmendi të gjithë. I përshendëtën të gjithë lojtarët duke treguar një gisht lart, si shenjë "1"-sh, atë të fitores.
"Cana" – Fanellat me emrin e njërit prej lojtarëve më të dashur të Kombëtares, mesfushorit Lorik Cana, ishin edhe më të shumtat në "dyqanet" e rrugës. Nuhatje ekspertësh të tregut dhe njohës të filozofisë së tifozëve. "Më jep një Cana!", - ishte një kërkesat e përsëritura dhjetra herë. Rivaliteti me mesfushorin e Marsejës, e bënte vetëm Bogdani, por jo Erioni në fushën e lojës, por fanela më emrin "Bogdani" me numër 22, edhe pse ato ishin thjesh disa imitime "Umbro", të kushedi kujt kompanie turke apo kineze. Gjithsesi ia vlente ta koleksionojë një. Qoftë edhe për fat në ndonjë ndeshje kalcetoje.
Biznez – Okazion ideal. Ndeshjet e Kombëtares gjithmonë i kanë shërbyer biznesit vendas për të nxjerrë superfitime nga shitjet. Tregëtarë profesionistë kishin angazhuar shitësa ambulantë, të papunë apo dhe të afërm të tyre për të shitur shaje, bluza, borie, flamuj, kapele. "Dyqanet" të tilla ishin të pranishëm thuajse cdo 100 metra në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". te sheshi "Nënë Tereza", Pallati i Kongresve, Piramida, Parku Rinia e deri te kryqëzimi i "21 Dhjetorit". "Hajde kapele me cmim të arsyeshëm. Dhjetë kapele sa një biletë karshie!".
"...me Pacollin"- Ky ishte një nga mesazhet e bluzave të tifozëve kosovare nga ana e përparme e tyre, sigurisht të sponsorizuara nga miliarderi kosovar, Bexhet Pacolli, i cili bëri të mundur edhe blerjen e 1000 biletave në tribunën D3 të stadiumit "Qemal Stafa" për tifozët e grupit "Tifozat Kuq e Zi". Bosi i gazetës "Lajmi", nuk ka humbur shumë, madje ka fituar disa herë. Rritjen e prestigjit në Kosovë. Shqipëri-Holandë është një rast i shkëlqyer.
Makinat– Rast i madh për të tejkaluar e thyer ca rregulla. Me borie në maksimum, me njerëz mbi kapacitetin e lejuar. Qysh në mëngjes në bulevardin kryesor u panë autovetura dhe furgona të mbuluar me flamuj. Me bekimin e policisë ("Le të bëjnë c'të duan, nuk duhet prishur festa") autokolona e pafundme e makinave bëri disa herë xhiro në bulevardin kryesor të Tiranës, duke cuar në "ekstazë" edhe më indiferentët ndaj futbollit. Rreth 15 autobuzë me targa maqedonase, nga Tetova e Shkupi, me targa kosovare, nga Prishtina (e Currit, Beqajt) e Gjakova (e Canës dhe Besnik Hasit) kishin pushtuar pjesën e mitingjeve të sheshit Skëndërbej.
Tatuazhet– Të paimagjinueshme. Sfiduese. Imagjinata e imazhit që ato sillnin mund të konkurronin edhe me makiazherët më të mirë të studiove më të mëdha. Variacionet grafike me ngyrat kuq e zi në fytyrat e ultrasve ishin të jashtëzakonshme. Pjellë e fantazisë shqiptare. Një galeri arti në natyrë. Një kolazh i fotove të tyre do të ishte i denjë për një ekspozitë.
Holandezët- Shifrat e para bënin fjalë për rreth 500 tifozë holandezë. Paraditen e djeshme të shpërndarë në rrugët e kryeqytetit dukeshin të paktë, ashtu në grupe të vogla. Të veshur në ngjyrën e tyre tradicionale, portokalli, ata konsumuan sasi të pafundme birre në lokalet kryesore të bllokut (lum pronarët e lokaleve), ndërsa përqendrimi më i madh i tyre ishte pranë Taivanit. Qejflinj të mëdhenj holandezët. Të mësuar në ndjekje të Kombëtares së tyre. As duan t'ia dinë se ku janë: në Romë, Paris, Berlin, Londër apo Tiranë. Mbeten njëlloj. Tifozë. Cuditërisht shumica e tifozëve të "tulipanëve" ishte në një moshë jo fort të re. Midis tyre edhe "ultrase" femra, por dhe ndonjë që ecte me ndihmën e një paterice. Të cmendur pas futbollit.
Policia- E rreptë. Autoritare. Ndonjëherë edhe me teprime. Ashtu sic edhe kishte paralajmëruar ishte treguar e kujdesshme për mbarëvajtjen e ndeshjes duke krehur e survejuar jo vetëm sheshin "Italia" pranë stadiumit "Qemal Stafa", por dhe të gjithë rrugët hyrëse nga "Hotel Sheraton", Televizioni Shqiptar dhe Rruga e Elbasanit. Skela të firmës "Sula" përbënin edhe portat hyrëse të lëvizshme, të kontrolluara rreptë nga uniformat blu.
Brenda fushës
17:30- Mbërrijnë shikuesit e parë në "Qemal Stafa", por dhe dëgjohen brohoritjet e para "Shqipëri, Shqipëri".
18:30 – Kombëtaja jonë mbërrin në stadium. Futbollistët dalin me kostumet zyrtare, por tifozët nuk i njohin, pasi i kujtuan si holandëzë. Kosovari Curri përshendet tifozat "kuqezi" dhe nisën brohoritjet. Baric befasohet nga shikuesit. Numri më i madh që ai ka parë në impiantin ndërkombëtar të Shqipërisë.
18:45 – Holanda zbret në fushë. Të githë të veshur me të bardha. Van Basten dhe ndihmësit e tij me kostume.
19:00 – 70 përqind e stadiumit është e mbushur. Mbizotëron ngjyra e kuqe.
19:05- Van Basten jep intervist për televizionin holandez RTL 4. 60 gazetarë holandezë janë të pranishëm në "Qemal Stafa" , të mbi 20 gazetave e televizioneve të ndryshme.
19:20 – Shoë në "Qemal Stafa". Një grup balerinash, rreth 40 vajza të veshura kuqezi vallëzojnë në ritme moderne. Van Basten vëtëm buzëqesh, teksa i ka shumë pranë.
19:25 – Tifozët holandëzë sistemohën në tribubën D1. Janë reth 400 të veshur të gjithë portokalli. Pak banderola dhe një flamur i madh holandez.
19:45- Një grup prej 40 djem e vajzash të veshura me ngjyra rë ta bardha mbajnë një pishtar për nder të Nënë Terezës duke vrapuar në pistën e stadiumit. Komentatori Veli Rada reciton një poezi të shrkuar nga Nënë Tereza.
20:05- Futbollistët dalin në nxehje. Kuqezinjtë brohoriten, ndërsa portokallinjë fishkëllehen. Ovacione të mëdha.
20:28 – Besnik Hasi, futbollisti kosovar që dje i dha lamtumirë Kombëtares hyn në fushë. Brohoritet nga të gjithë. Takohet me Dukën.
20:35 – Tribuna VIP popullohet. Presidenti Topi, kryeministri i Kosovës, Agim Ceku, ministri Pango, e të tjerë.
20:38- Zhvillohet ceremonia për Besnik Hasin. Presidenti Duka i jep medaljen e mirënjohjes, dhe një cmim të tillë kosovari që luajti për 7 vjet me Kombëtaren shqiptare merr edhe ne Qeveriae Kosovës.
20:42- Ezekutohen himnet kombëtare të dy ekipeve. Stadiumi është plotësisht i mbushur.
20:45 – Nis ndeshja.