Beqaj: “Unë, aspak inferior me Van Der Sarin”

E gjithë vëmendja u është kushtuar sulmuesve, prej të cilëve pritet edhe goli i shumëpritur në "Qemal Stafa", që do të prodhojë edhe rezultatin pozitiv kundër Holandës të yjeve si Rud Van Nistelroi apo Klarens Sedorf. Por, ai që mund të shndërrohet në një hero të vërtetë, pritet të jetë portieri Arjan Beqaj, i shpallur si lojtari më i mirë i takimit në barazimin e madh të Shqipërisë me Bullgarinë në Sofje, por që ka vendosur edhe një rekord personal dhe kombëtar, me katër ndeshje pa pësuar gol. Portieri i Anorthosis Famagusta në kampionatin qipriot thotë: "Kundër Holandës nuk është e rëndësishëm fakti së nëse pësoj apo jo unë gol, ajo që është rëndësishme është të bëjmë një paraqitje dinjitoze kundër një kundërshtari të madh si Holanda dhe të krijojmë një imazh të mirë të Shqipërisë në botë". Nga ana tjetër e portës, në përfaqësuesen holandeze është një nga portierët më të mirë në botë, Edvin Van Der Sar, i cili mbron edhe portën e kampiones së Anglisë, Mancester Junaitid. Por a ndjen veten Beqaj në raport me kapitenin e Holandës. "Nuk e ndiej veten aspak inferior në raport me të. Sigurisht ai meriton respektin nga të gjithë portierët kudo në botë, por unë, si dhe ai, do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë". Beqaj është edhe futbollisti i vetëm shqiptar që merr pjesë në turin e tretë eliminator të Kupës UEFA, ku ai ishte dhe një personazhet kryesorë të kualifikimit. "Eliminuam dy ekipe të vështira, Vardarin e Shkupit dhe Klujin e Rumanisë. Sërish kualifikim? Është shumë e vështirë, pasi shorti na ka vënë përballë skuadrës angleze të Totenhemit, por në futboll shpresat nuk humbasin kurrë. Totenhemi është favorit, është një ekip me një buxhet prej 45 milionë sterlinash. Do të mendohemi të bëjmë më të mirën". Anorthosis e ka nisur mirë kampionatin. "Fituam ndeshjen e parë në transfertë me Anosis (2-1) dhe këtë fundjavë na pret një derbi me Apoelin. Nëse e fitojmë dhe atë mund të them se jemi në rrugë të mbarë për titullin kampion, pasi vitin e kaluar fituam vetëm Kupën e Qipros".