E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, inkurajon plotësimin e kritereve

13-07-2013 / Gazeta 55

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi priti Kryetarin e Grupit Parlamentar për Integrimin në Parlamentin Hollandez, z. Mark Verheijen    

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Aldo Bumçi zhvilloi dje një takim me kryetarin e Grupit Parlamentar për Integrimin në Parlamentin Hollandez, z. Mark Verheijen. Ministri Bumçi vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin e palës sonë për intensifikimin e dialogut politik përmes realizimit të vizitave të nivelit të lartë, duke nënvizuar rëndësinë e dimensionit parlamentar të këtyre marrëdhënieve. Duke u ndalur në integrimin evropian të vendit, ministri Bumçi falenderoi për mbështetjen e dhënë nga Holanda në këtë proces dhe informoi mbi progresin e bërë në këtë drejtim, duke siguruar se Qeveria ka qenë plotësisht e angazhuar për të ecur përpara në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian të vendit për të gjitha reformat e rëndësishme, të cilat do të përshpejtojnë ecjen përpara drejt anëtarësimit në BE.
Në fjalën e tij, z. Verheijen, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve ndau të njëjtin mendim me ministrin Bumçi lidhur me rëndësinë e dimensionit parlamentar të marrëdhënieve. Ai vlerësoi ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri dhe progresin e arritur prej saj në procesin e integrimit. Ai konfirmoi se Holanda mbështet zgjerimin e BE-së dhe në këtë kuadër, inkurajon Shqipërinë në plotësimin e të gjitha kritereve të kërkuara për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Situata në Egjipt, në rrugën e përmirësimit/Ministri Bumçi zhvilloi dje një takim edhe me ambasadorin e  Republikës Arabe të Egjiptit në Tiranë, Ahmed Hassan Abdellah, me kërkesën e këtij të fundit. Ambasadori Egjiptian, përshkroi situatën më të fundit në Egjipt, duke veçuar se tashmë ajo ka hyrë në rrugën e përmirësimit, ndërsa theksoi se po merren te gjitha masat e domosdoshme për zgjidhjen e menjëhershme të krizës atje. Në këtë kuadër, ai vlerësoi veçanërisht rolin e SHBA-ve dhe BE-së, të cilët janë shprehur në favor të paqes dhe sigurisë në Egjipt. Nga ana e tij, ministri Bumçi, theksoi se Shqipëria ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të veçantë gjendjen e krijuar në Egjipt dhe shprehu bindjen se duke shmangur dhunën, të gjithë faktorët politike në vend, do të punojnë së bashku për të siguruar rivendosjen e demokracisë dhe stabilitetit afatgjatë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›