E Diel, 1 Nëntor 2026

Holanda trajnon 13 prokurorë shqiptarë, fokus te etika dhe rastet komplekse

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Prokurorë të juridiksionit të përgjithshëm nga Tirana, Elbasani, Durrësi, Gjirokastra, Saranda, Kukësi, Korça, Berati, Fieri, Vlora, Dibra, Lezha dhe Shkodra morën pjesë në trajnimin “Etika e prokurorit dhe rëndësia e ndarjes së dilemave”.

Sipas Ambasadës së Holandës në Shqipëri, trajnimi u drejtua nga prokurorja holandeze Disa Jironet dhe u fokusua te raste të ndërlikuara, veçanërisht ato që lidhen me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore, ku përcaktimi i qasjes së duhur kërkon diskutim të hapur dhe profesional.

Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit “PEOPLE”, i zbatuar nga Qendra për Nisma Ligjore dhe Qytetare (QNL) në partneritet me Prokurorinë e Përgjithshme.

Trajnimi synoi të ndërthurë ekspertizën shqiptare dhe holandeze në fushën e prokurorisë, duke nxitur praktikën etike, reflektimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave.

Ambasada e Holandës theksoi se forcimi i etikës, dialogut profesional dhe besimit në sistemin e drejtësisë është i rëndësishëm për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›