E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu merr detyrën e ministres: Qytetari në qendër të politikave shëndetësore

TIRANË, 11 shtator /ATSH/ Klodiana Spahiu ka marrë zyrtarisht detyrën e ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke shprehur angazhimin për vijimin e reformave dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore e sociale.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Spahiu falënderoi Kryeministrin Edi Rama për besimin, si dhe deputetët e Grupit Parlamentar Socialist për votën pro dekretit të Presidentit për emërimin e saj në këtë detyrë.

“E marr këtë detyrë me shumë përgjegjësi, por edhe me besimin se mund të kontribuoj për të çuar më tej punën dhe reformat e ndërmarra në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale”, u shpreh ajo.

Spahiu theksoi se objektivi është transformimi i shërbimeve mjekësore, përmirësimi i infrastrukturës spitalore dhe rritja e cilësisë dhe aksesit në shërbimet shëndetësore e sociale, duke vendosur qytetarin në qendër të politikave dhe vendimmarrjes.

Ajo nënvizoi gjithashtu rëndësinë e vijimit të reformave në një periudhë kur Shqipëria është më pranë objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shëndetësia ka qenë gjithmonë një fushë me të cilën kam qenë dhe mbetem shumë e lidhur. Prandaj, kjo detyrë për mua nuk është thjesht një përgjegjësi e re, por një mision dhe një ambicie për të vijuar me energji rrugën e reformave. Objektivi ynë është i qartë: transformimi i shërbimeve mjekësore, përmirësimi i infrastrukturës spitalore, rritja e cilësisë dhe aksesit në shërbimet shëndetësore dhe sociale, duke vendosur gjithmonë qytetarin në qendër të çdo politike dhe vendimmarrjeje. Marrja e kësaj detyre përkon edhe me nisjen e një Sesioni të ri parlamentar, në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, kur jemi më pranë se kurrë objektivit tonë madhor: anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo.

“Me përkushtim, përgjegjësi dhe punë do të vijojmë së bashku këtë rrugëtim, për një sistem shëndetësor modern, cilësor, të aksesueshëm dhe dinjitoz për çdo qytetar”, deklaroi Spahiu.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›