E Diel, 1 Nëntor 2026

Holandezët e Ajaksit, të shtunën vëzhgim portierit të Shpresave, Shpëtim Moçka

Të shtunën, portieri i Flamurtarit, Shpëtim Moçka, nuk luan vetëm javën e fundit të sezonit ku shpërtheu si profesionist, por edhe një pjesë të konsiderueshme të së ardhmes. Në fakt, në ndeshjen e javës së 32-të të Superiores, ku Flamurtari do të presë në fushën e tij Elbasanin, "gardiani" do të vëzhgohet nga një skaut i Ajaksit. I dërguari në Vlorë është Arben Kasolli, trajner portierësh në klubin e stacionuar në Amsterdam dhe në bazë të vlerësimeve të tij, Moçka do të marrë dritën jeshile për të zhvilluar një periudhë prove në atë që është skuadra më e madhe holandeze. Akademia e Ajaksit është shprehur prej kohësh e interesuar për portierin bregdetar, por deri më tani ata ishin "limituar" duke i ndjekur paraqitjet e Moçkës vetëm nëpërmjet pamjeve filmike. Vëzhgimi i drejtpërdrejtë i 18-vjeçarit është pjesë e politikës së klubit, që pas mbylljes së sezonit testojnë talente të reja nga e gjithë bota, të cilët më pas mund të kenë fatin të vazhdojnë të stërviten aty. Për portierin vlonjat, që momentalisht është pjesë e Kombëtares Under-21 të drejtuar nga Artan Bushati, interesimi i Ajaksit është një shans i mirë për të ndërtuar një të ardhme të sigurt. Moçka ka debutuar në elitën e futbollit shqiptar kur ishte vetëm 17 vjeç, më 29 shtator 2007, në ndeshjen që Flamurtari fitoi 1-0 me Dinamon në "Selman Stërmasi". Kjo nuk është hera e parë që klubi holandez interesohet për lojtarët shqiptarë. Në vitin 2003, mesfushori i Partizanit, Gjergji Muzaka, është testuar dy herë në Akademinë e të Rinjve të Ajaksit, pa mundur t‘i bindë specialistët që punojnë aty.

Megjithatë, gjithçka do të varet nga konkluzionet e skautit shqiptar, Arben Kasolli, që punon në Akademinë e Ajaksit si trajner portierësh. I punësuari pranë klubit "tulipan" do të shoqërohet në stadiumin "Flamurtari" edhe nga menaxheri Mario Cenolli, i cili punon për agjencinë e transferimit të lojtarëve "Vata Vizion Football Managament". Kjo kompani, e krijuar nga ish-kapiteni i kombëtares Shqiptare, Rudi Vata, prej kohësh e ka përqendruar punën e saj te të rinjtë premtues në futbollin shqiptar. Duke shfrytëzuar lidhjet me shumë klube evropiane, këtyre talenteve u jepet shansi që të testohen jashtë 28 mijë kilometrave katrorë, me ëndrrën e një karriere shumë më të mirë se ajo që mund të kenë në Shqipëri. Gjatë merkatos së janarit, kjo agjenci realizoi kalimin e sulmuesit të Partizanit, Enco Malindi te Slavia e Sofies. Përveç tij, në kampionatin bullgar u transferua edhe mbrojtësi Klodian Semina, që militon me Belasica Petriç.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›