Vata: Nuk dua të dal në pension
Dje, Fatmir Vata i është nënshtruar operacionit në tendinën e Akilit, pas dëmtimit të pësuar në takimin e javës së 33-të, kundër Erzgebirge Aue. Ish-lojtari i kombëtares ka luajtur 37 minuta, përpara se të nxirrej nga fusha mes dhimbjeve. "Dëgjova një kërcitje dhe që në moment e kisha shumë të qartë se çfarë ndodhi", deklaroi Vata duke rikujtuar atë moment. Pas diagnozave paraprake me stafin mjekësor të Tus Kolbencit, 36-vjeçari ka zhvilluar edhe një takim me Dr. Mikael Dikob, mjekun e Arminia Bielefeld, i cili i ka rekomanduar ndërhyrjen e menjëhershme kirurgjikale. Pak momente përpara operacionit, futbollisti me moshën më të madhe te Kolbenci është shfaqur optimist: "Tashmë do të më duhet të kem durim dhe të punoj shumë. Megjithatë, nuk dua të dal në pension, nuk mendoj se ky dëmtim do të shënojë fundin e karrierës time". Sipas mjekut të skuadrës, prof. dr. Peter Billigman, periudha e rikuperimit të Fatmir Vatës shkon nga katër deri në gjashtë muaj. Në rast se gjithçka do të ecë mirë, shqiptari do të mund të jetë në dispozicion të skuadrës rreth gjysmës së fazës së parë të sezonit 2008/‘09. Për paraqitjet në fushën e lojës dhe karakterin e treguar, Vata është shndërruar në një prej lojtarëve të preferuar të Tus Kolbencit.