E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holandezët që mesuan Spanjën



Ekipi spanjoll që do të startojë në finalen e Kupës së Botës kundër Holandës në Johanesburg ka të ngjarë të hedhë në fushë shtatë lojtarë të Barcelonës. Spanja është e varur rëndë nga klubi katalanas, që nga “make-up”-i i ekipit e deri te stili i lojës që ajo luan. Spanja kërkon lavdi botërore, por më përpara duhet të thyejë rezistencën e Holandë, vendin që ka bërë aq shumë për Barcelonën. Kjo është një histori se si futbolli holandez ndihmoi Spanjën të bëhej ekipi më i mirë në botë.

JOHAN KRUJFI
Johan Krujfi është një nga legjendat e Kupës së Botës, duke luajtur për Holandën që përfundoi e dyta në finalet e vitit 1974 në Gjermaninë Perëndimore. Krujfi i nisi karrierën e tij te Ajaksi dhe ishte një lojtar kyç në sistemin e “Futbollit total”, që u zhvillua nga trajneri Rinus Mishels. Krujfi zyrtarisht konsiderohej sulmues, megjithatë në sistemin e Ajaksit ai nuk kishte një rol fiksi, pasi të gjithë lojtarët ishin parashikuar të ishin të aftë të pasonin dhe të kontrollonin topin njëlloj mirë. Ekipi holandez që mori pjesë në Kupën e Botës së vitit 1974 luajti me sistemin e Ajaksit dhe përdori shumë nga lojtarët e këtij klubi, duke e bërë “Futbollin total” të famshëm në të gjithë botën. Gjithsesi, gjatë kësaj kohe Krujfi e la Ajaksin dhe nënshkroi për Barcelonën. Krujfi e ndihmoi Barcelonën të fitonte titullin e saj të parë kampion pas 14 vjetësh në sezonin e tij t parë, por suksesi i tij më i madh me ekipin katalanas nuk do të vinte si lojtar, por si trajner. Pas u tërhoq nga futbolli i luajtur, Krujfi drejtoi një herë Ajaksin përpara se të lëvizte te Barcelona në vitin 1988. Ai u bë më pas trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit, duke e fituar ligën spanjolle katër herë e duke udhëhequr Barcelonën në fitimin për herë të parë të Kupës së Kampioneve, kompeticionin më të rëndësishëm europian për klubet, i njohur tani si Liga e Kampioneve. Gjithsesi, pas dy sezoneve pa trofe ai u largua nga klubi spanjoll në vitin 1996.

LUIS VAN GAL
Pasuesi i Krujfit te Barcelona ishte trajneri anglez Bobi Robson. Megjithëse ai fitoi tre kupa në sezonin e tij të vetëm, Robson nuk u konsiderua si një zgjidhje, ndërsa Barcelona ishte e bindur të vazhdonte rrugën e saj nën tutelën holandeze me Luis van Galin. Ashtu si Krujfi, edhe Van Gal erdhi nga Ajaksi, ku kishte drejtuar një formacion me lojtarë të rinj duke fituar tre kampionate holandeze dhe në vitin 1995, Ligën e Kampioneve, kur Ajaksi mundi Milanin në finale. Van Gali e mbushi Barcelonën e tij me lojtarë nga Ajaksi dhe fitoi dy kampionate, por u largua në vitin 2000, pasi ai mendonte se nuk mund t’u impononte filozofinë e lojës së tij në ekip për shkak të diferencave kulturore. Holandezi ishte njeri i jo kompromiseve dhe shpesh konfrontohej me lojtarët e tij, të cilët nuk dëshironin t’u përshtateshin metodave të tij, por një person i dëgjonte me shumë kujdes leksionet e tij për “futbollin total”, dhe ky është trajneri aktual i Barcelonës, Pep Guardiola.

FRANK RAJKARD
Një tjetër holandez solli suksese të mëdha te Barcelona dhe në pesë vitet e tij si trajner, ish-lojtari i Ajaksit fitoi dy kampionate dhe gjithashtu edhe Ligën e Kampioneve. Barcelona gjithmonë e ka mbushur ekipin e saj me lojtarë yje nga e gjithë bota dhe Rajkard kishte nën urdhrat e tij të tillë si Ronaldinjo, Deko dhe Samuel Eto’o. Por, ai gjithashtu nisi të përfshijë lojtarë të rinj nga akademia e klubit, përshirë yjet aktualë të Spajnës, si Ksavi Hernandez, Andres Iniesta dhe Karles Pujol, dhe vazhdoi të jepte leksione nga “Futbolli total” në ekipin e tij. Me gjithë se ekipi rriti shkëlqimin e tij duke pasur një stil “thrriller” në pasime, Rajkard dha dorëheqjen në vitin 2008 pas një sezoni pa trofe. Kësaj here, presidenti i Barcelonës nuk vendosi më të kërkonte për një trajner tjetër holandez, por të sillte një nga brenda ekipit.

BARCELONA DHE SPANJA
Pep Guardiola ka qenë te Barcelona qysh kur ishte 13 vjeç, dhe është rritur te ekipi i të rinjve, përpara se ta thërriste Johan Krujfi në ekipin e parë. Ai u bë një komponent kyç në ekipin që fitoi Kupën e Kampioneve në vitin 1992 dhe u bë kapiteni i saj deri sa u largua nga ekipi i Barcelonës në vitin 2001. Pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur, Guardiola u bë trajneri i ekipit B të Barcelonës, përpara se të merrte ekipin e parë pas largimit të Rajkardit. Guardiola largoi disa nga emrat e mëdhenj duke ndërtuar një ekip të bazuar te lojtarët e rinj spanjollë, dhe gjithashtu një prodhim i sistemit të rinjve të Barcelonës, argjentinasin e shkëlqyer Lionel Mesi. Duke vazhduar stilin e paraardhësve të tij, në sezonin e tij të parë Barcelona e Guardiolës fitoi një seri të paprecedentë me gjashtë tituj, përfshirë kampionatin spanjoll dhe Ligën e Kampioneve. Katalanasi mësoi shumë nga mjeshtrit holandezë dhe tani lojtarët e tij të Barcelonës do të shpresojnë që me versionin katalanas të “futbollit total” do të ndihmojnë Spanjën të bëhet kampione e botës në Johansburg.

HOLANDA
Ëndrra spanjolle për një sukses të madh botëror mund të bllokohet nga një Holandë që luan me një stil loje shumë të ndryshëm nga ajo e “futbollit total”. Holanda arriti në finalen e Kupës së Botës së vitit 2010 me një stil të përzierë ku ndërthuren ndërhyrjet e forta, fati, loja virtuoze, por dhe ajo pragmatiste. Duket se i ngjan jo Holandës që bëri histori në vitin 1974 me “futbolli total”, por me Gjermaninë cinike të asaj kohe e që fitoi Kupën e Botës. Holandezët e kanë humbur dy herë Botërorin, në vitin 1974 dhe 1978, por kësaj radhe tulipanët nuk do të lejojnë kurrsesi t’u shpëtojë rasti i artë.

Holande-Spanje, duelet kyçe

Botërorit i kanë mbetur edhe vetëm 90 minuta finale, ose ndoshta edhe 120 e ndoshta dhe seritë e penalltive për të përcaktuar fituesin e madh. Nëse Ksavi, Iniesta dhe Vila janë disa prej lojtarëve më të mirë në botë, Roben dhe Shnajder nuk janë pas tyre. Këto janë dhe disa nga duelet kyçe të finales Holandë-Spanjë:

Van Bomel vs. Xavi
Van Bomel është një lojtar i fuqishëm fizikisht dhe njihet për ndërhyrjet e tij të ashpra. Brazilianët dhe uruguaianët e kujtojnë shpesh. Ksavi është iniciatori i shumicës së lëvizjeve të Spanjës dhe ai i fiton përgjithësisht dyluftimet. Nëse Van Bomel ia del ta bllokojë atë, Spanja do të vuajë.

Roben vs. Kapdevila
Këmba e majtë e Arjen Robenit është vdekjeprurëse dhe shumë nga gjuajtjet përfundojnë në kuadrat. Hoan Kapdevila ka një detyrë të vështirë të bllokojë një nga lojtarët më të mirë në botë. Nëse Robenit do t’i krijohet edhe hapësira më e vogël, ai mund të rezultojë fatal. Nësë Kapdevila e bllokon atë, Spanja merr frymë.

Shnajder vs. Kazijas
Kazijas është një nga portierët më të mirë në botë për momentin. Kapiteni i Kombëtares spanjolle ka fituar thuajse të gjitha duelet. Por tani beteja me Uesli Shnajderin është një nga më të vështirat. Shnajder ka shënuar pesë gola, po aq sa David vija e i Spanjës. Ka një aftësi të jashtëzakonshme për të shënuar.

Stekelenburg vs. Vija
Askush nuk e priste që Marten Stekelenburg do të ishte kaq i mirë. Pasuesi i Van der Sarit ka pësuar vetëm katër gola në gjashtë ndeshje, dy prej të cilave me penallti. Tani përballë tij është kundërshtari më i frikshëm, David Vija. Sulmuesi i ri i Barcelonës ka shënuar 5 gola deri tani dhe thyen çdo mbrojtje.

Pesë detaje nga festa e finales

Pas një muaji të gjatë feste të futbollit dhe 63 ndeshjesh, sot në Johanesburg do të mbyllet Kampionati i 19-të Botëror i Futbollit, me finalen Holandë-Spanjë.

1 - Do të ndeshjen midis njëra-tjetrës, dy ekipe që renditen në vendin e 4-t dhe të 2-të në FIFA, kështu që spektakli është i garantuar, pasi dy ekipet kanë stil sulmues.

2 – Holanda ka fituar çdo ndeshje që ka luajtur në këtë Kupë Bote. Ajo ka shënuar 12 gola, duke pasur sulmin e dytë më të mirë në kampionat, pas Gjermanisë.

3 – Spanja pas humbjes me Zvicrën në ndeshjen e parë në grupo i ka fituar të gjitha takimet, katër të fundit me një gol të vetëm, pavarësisht se ka kontrolluar lojën.

4- Si mesfushori i Holandës, Uesli Shnajder ashtu dhe ai i Spanjës, David Vija kanë shënuar gjatë gjashtë ndeshjeve të para nga pesë gola. Luftojnë për “Këpucën e artë”.

5- Holanda nuk humbet prej 25 ndeshjesh, ndërkohë që Spanja ka humbur dy ndeshje në dy vjet, një me Shtetet e Bashkuara (2009) dhe një tjetër me Zvicrën (2010) në këtë Botëror.

Faqe 23

Botërori, dy finalistë për yllin e parë
Holanda apo Spanja do të bëhen ekipi i parë europian që fiton jashtë kontinentit

Kampionati Botëror për herë të parë u zhvillua në një kontinent të ri, në Afrikë, ndërkohë që Europa e Vjetër do të fitojë për herë të parë në historinë e kompeticionit, që nisi udhë në vitin 1930, një trofe jashtë kufijve të saj gjeografikë, pasi të dielën, në finalen e Botërorit të 19-të, më 11 korrik, kur Holanda dhe Spanja të përballen midis tyre, njëra do të jetë kampionia e tetë e botës dhe e pesti ekip europian që fiton një kampionat, pas Italisë (4 herë), Gjermanisë (3 herë), Anglisë (1 herë) dhe Francës (1 herë).
Kurrë e kurorëzuar jashtë tokave të saj, Europa ka qenë e mallkuar në Botën e Re, rregullisht e dominuar nga vendet nga Amerika e Jugut. As dhe në botërorin e parë të zhvilluar në Amerikën e Veriut (SHBA, 1994) dhe as në të parin në Azi (Kore/Japoni 2002), nuk ndryshoi dot diçka. Ky mallkim dukej se do të vazhdonte edhe në Afrikën e Jugut, kur ekipet nga Amerika e Jugut afishuan superioritetin e tyre gjatë fazës së grupeve dhe më pas në një të tetat. Pesë përfaqësuese të tyre (Argjentina, Brazili, Kili, Paraguai, Uruguai) kapërcyen fazën e grupeve, por më pas nisën të lënë puplat një nga një, duke filluar me përplasjen Brazil-Kili. Hierarkia u përmbys komplet në fazën e çerekfinaleve, ku ekipet e shpëtuara nga kontinenti i vjetër imponuan ligjin e realizmit ndaj amerikanojugorëve. Pesë herë kampioni i botës, Brazili, u eliminua nga Holanda dhe Argjentina e Lionel Mesit u gjunjëzua nga ofensiva efikase e Gjermanisë. I vetmi i mbijetuar ishte ai që pritej më pak: Uruguai, që kishte mbërritur në finalet e Afrikës së Jugut, përmes plejofit. Një edicion i shkëlqyer për formacionin “Celeste” që kishte fituar në botërorët e viteve 1930 dhe 1950, por jo një ekip si Kroacia në vitin 1998 dhe Turqia në vitin 2002.
Tashmë ka mbetur vetëm akti i fundit i Botërorit. Finalja. Kush do ta fitojë trofeun? Holanda apo Spanja? Van Marvijk apo Visente Del Boske? Respektivisht në vendet 4 dhe 2 në renditjen e FIFA-s, janë dy ekipet e vetme që i fituan të gjitha ndeshjet kualifikuese për në Botëror. Holanda mbërriti në finale pas bërë qoftë dhe një gabim të vetëm qysh nga fillimi i turneut: 6 ndeshje, 6 fitore, 12 gola të shënuar. Spanja, nga ana e saj, larg të qenit “Furia roja”, e nisi me një humbje 1-0 kundër Zvicrës. Të konsideruar si favoritë të mëdhenj, kampionët në fuqi të Europës realizuan një ecuri italiane, fitore me rezultat të ngushtë, duke shënuar pak gola (7). Fituesi do të vendosë për herë të parë një yll në bluzën e tij dhe do të bashkohet në histori me Uruguain, Brazilin, Italinë, Gjermanin, Anglinë, Argjentinën dhe Francën, e fundit që hyri (në vitin 1998) në një klub shumë të zgjedhur. Dy kombet kanë mundësinë të afirmohen si fuqi botërore, një cilësi që do t’u njihet kur njëra prej tyre do të fitojë trofeun.
Të dyja janë kampione të Europës: Spanja e ka fituar në vitin 1964 (në shtëpi) e më sërish në vitin 2008; Holanda e ka fituar atë në vitin 1988. Spanja ka humbur edhe një Euro-finale në vitin 1984 kundër Francës. Në Kupën e Botës, Spanja kishte shkuar një herë në gjysmëfinale, në vitin 1950. Ajo është kualifikuar rregullisht nga Botërori i vitit 1974, por kurrë nuk ka qenë kaq pranë historisë. Edhe pse organizoi Botërorin e vitit 1982, ajo nuk la gjurmë të mëdha në shtëpi. Spanja ka aktualisht një gjeneratë të jashtëzakonshme lojtarësh të tillë si Ksavi, Iniesta, Kasijas, dhe synon të fitojë Botërorin. Holanda ishte një liliput i futbollit europian, derisa Ajaksi i Amsterdamit dhe Fejenordi i Roterdamit dhe lojtarët e tyre bënë histori në finalet e Kupës së Botës në vitin 1974 dhe 1978. Dy takime të humbura, dy data traumatizuese për një popull që vlerëson se “futbolli total” (të gjithë sulmojnë, të gjithë mbrohen) i praktikuar në ato vite nga “Oranje” meritonte më shumë. Në vitin 1988, ekipi i milanistëve, Gulit, Van Basten dhe Rajkard fitoi më në fund kampionatin e parë europian. Njëzet e dy vjet më pas, një tjetër finale “europiane” do të luhet në Afrikën e Jugut, kësaj herë kundër Spanjës. Kësaj here për t’u shpallur kampione e botës.

Revolucioni “portokalli” vs.
“futbollit total” spanjoll

A do të mundet “revolucioni” holandez të mposhtë ekipin më të mirë në botë?

Për herë të parë pas 32 vjetësh, Holanda më në fund ka shansin të harrojë dy humbjet fatkeqe në finalet e Kupës së Botës në vitin 1974 dhe 1978. A do të mundet ajo kësaj radhe të fitojë trofeun, kur përballë saj do të ketë ekipin më të mirë në botë? Arsyeja kryesore në këtë Kupë Bote mund të konsiderohet e pa precedentë, jo vetëm për faktin se Holanda do të bëhet për herë të parë kampione e botës (deri tani e kanë fituar shtatë kombe), por se rruga e saj drejt finales ka qenë perfekte, duke fituar të gjitha ndeshjet kualifikuese dhe të gjitha ndeshjet në këtë botëror. Tani përballë do të kenë ekipin më të mirë në planet. Spanjën. Shumë mendojnë se Holanda ka pasur shumë fat në rrugën e saj, pavarësisht se mundi Brazilin, e disa të tjerë pohojnë se ajo ka qenë me fat edhe në disa vendime gjyqtarësh. Po cilat nga ekipet që kanë fituar Kupën e Botës nuk e kanë pasur këtë ndihmë? Nëse “Oranje” do të fitojë Kupën e Botës, ajo do të bëhet i pari ekip “perfekt” në historinë e Kupës së Botës, ajo do të bëhet kombi i parë europian që fiton Kupën e Botës jashtë Europës, Van Marvijk do të shndërrohet në legjendë si i vetmi, që nuk humbi apo barazoi një ndeshje të vetme në Kupën e Botës, Shnajderi do të fitojë “Topin e artë”, Van Bronkhorst do të tërhiqet në mënyrën më prestigjioze të mundshme si kampion i botës, dhe në fund Holanda do të vendosë emrin e saj midis fuqive më të mëdha futbollistike të botës. Mund edhe të ndodhë, që Holanda të humbë, por ajo sërish do të futet në rekordet e Kupës së Botës, si i vetmi komb që ka arritur në tri finale dhe nuk fiton qoftë dhe një trofe të vetëm. Holanda është e modelit “Të gjitha ose asnjë”, dhe ka humbur atëherë kur fitorja i është dashur më shumë se kurrë. Gjithmonë duke përfunduar e dyta. Por, historia kujton gjithmonë vetëm fituesit.

Kush do ta ngrejë trofeun?

Dhe finalja mbërriti. Kjo është ajo që çdo tifoz futbolli ka pritur. 32 ekipe nisën kompeticionin, më 11 qershor dhe vetëm njëra prej tyre do të ngrejë trofeun, më 11 korrik. Kush të do të jetë fituesja: Spanja apo Holanda?

RRUGA E HOLANDËS

Holanda është ekipi më perfekt në këtë edicion të Kupës së Botës, duke fituar gjashtë ndeshje në po aq takime. Ajo mundi Brazilin në çerekfinale dhe eliminoi Uruguain në gjysmëfinale për të kapur për herë të tretë një vend në finale. Holanda është e mirënjohur për stilin e saj të “futbollit total”, por tashmë ajo është më solide, çka i ka sjellë sukses. Arjen Roben dhe Uesli Shnajder janë në tip-formë. Mbrojtja e tyre në zonë vuan nga ndonjë problem, por me një nga sulmet më të mira në futbollin modern, ato mund ta kompensojë. Holanda vuajti shumë pas dy finaleve të humbura në vitin 1974 dhe 1978, dhe tashmë ajo është e uritur të fitojë trofeun e parë të saj.

RRUGA E SPANJËS

Edhe pse ka pasur një nga kampionatet më të mëdhenj të futbollit, Spanja nuk ka qenë e aftë të shkëlqejë në nivelin ndërkombëtar. Por kjo gjeneratë yjesh është e gatshme t’i japë vendit të tij lavdinë e munguar. Spanja është kampionia në fuqi e Europës dhe luan finalen e parë të saj në një Kupë Bote. Spanja e nisi turneun me një humbje kundër Zvicrës, por ajo e mori veten shpejt duke e mbyllur në vendin e parë në grup. Mundi me rezultatin e ngushtë Portugalinë në një tetat, Paraguain në çerekfinale dhe Gjermaninë në gjysmëfinale. Asnjë ekip nuk a ka fituar Kupën e Botës pasi ka humbur ndeshjen e parë të tij në turne, kështu që Spanja ndoshta mund ta thyejë këtë mallkim.

12 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›