E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holandë-Spanjë, beteja për titull



Ekipi më perfekt në botë përsa u përket pasimeve, Spanja, do të përballet me një sulm holandez eksploziv në një finale shumë të pritur të Kupës me të vërtetën e madhe, se bota do të ketë për herë të parë një kampion të ri, kombin e tetë që fiton një Botëror. Me gjithë traditat e mëdha të tyre, gjeneratat e shkëlqyera të lojtarëve dhe klubeve më të mëdha në botë, as holandezët dhe as spanjollët nuk e kanë ngritur kurrë në duart e tyre trofeun më të rëndësishëm të futbollit planetar. Kampionët e Europës, Spanjës, nuk ka shkuar kurrë përtej fazës së çerekfinaleve, ndërkohë që lavdia e holandezëve nisi në vitet 1970, duke humbur dy finale rresht në Kupën e Botës në vitin 1974 dhe 1978. Spanja është një nga ekipet me kontrollin më të lartë të topit në kohë dhe në gjysmëfinalen kundër Gjermanisë ajo shkëlqeu duke ua bërë të pavlefshme gjermanëve fitoret e rëndë kundër Anglisë dhe Argjentinës. Holandezët treguan fuqinë e tyre drejt finales së tretë me një fitore 3-2 kundër Uruguait, me një lojë të jashtëzakonshme nga Uesli Shnajder dhe Arjen Roben, të cilat shënuan edhe nga një gol secili, por golin më të bukur e shënoi kapiteni Xhovani van Bronkhorst.

HOLANDA
Trajneri holandez, Bert van Marvijk, është shumë i vetëdijshëm për cilësinë e kundërshtarit me të cilin do të përballet skuadra e tij. “Spanja ishte ekipi më i mirë kundër Gjermanisë dhe realisht e meritonin të fitonin. Ajo është skuadra më e mirë në botë në këtë moment”, - tha ai. Holanda shkon në finale me një ecuri të dallueshme fitoresh – kanë fituar deri 14 ndeshje kompeticioni rresh, përfshirë të gjitha ndeshje kualifikuese në Kupën e Botës, dhe tani ajo mund të konsiderohet si një favorite e rëndë kundrejt ekipit spanjoll që ka humbur deri tani vetëm dy herë në 53 ndeshjet e tij të fundit. “Nuk më intereson aspak se kush është favorit për finalen, nuk jam duke u shqetësuar se çfarë është duke thënë një botë e tërë”, - tha Van Marvijk. “Ne do vetëm do të luajmë lojën tonë dhe ne e shikojmë ndeshjen si një sfidë të madhe të luajmë kundër tyre”, - shtoi Van Marvijk.
Ky do të jetë takimi i parë midis dy ekipeve, qysh kur dy vendet u takuan, më 16 nëntor 1983, në kualifikueset e Kampionatit Europian në Roterdam, të fituar 2-1 falë një goli fitues të Rud Gulit. Skuadra holandeze është e kompletuar, dhe Gregori van der Vil dhe Nigel de Jong, të cilët që të dy ishin të pezulluar në gjysmëfinalen kundër Uruguait, janë sërish të disponueshëm.

SPANJA
Suksesi i Spanjës është i dukshëm pavarësisht formës së dobët të shfaqur nga sulmuesi Fernando Torres, por pesë golat e realizuar nga David Vija i kanë zgjidhur problemet në sulmin e Spanjës, ndërkohë që anësori i rrezikshëm Andres Iniesta me gjuajtjet e tij është një rrezik i përhershëm. Spanja humbi ndeshjen e parë hapëse të saj në këtë kompeticion kundër Zvicrës, por rruga e saj e mëtejshme u lehtësua falë formës së treguar dhe cinizmit të saj, ku spikat fitorja me Gjermaninë. “Ne do të përpiqemi jo ta lëmë të na verbojë fitorja ndaj Gjermanisë, pasi e kemi detyrën në duart tona. Ne do të fokusohemi në detyrën që ne duhet të bëjmë pasi ne dëshirojmë shumë”, - tha trajneri i Spanjës, Visente del Boske. “Holanda është një vend me traditë të madhe futbolli dhe tani janë përballë dy ekipe që kanë mundësinë të bëhen kampionë të botës për herë të parë”.

FITUESIT

Brazili e ka fituar Kupën e Botës pesë herë, rekord, Italia është kurorëzuar në katër raste dhe Gjermania ka tri fitore.
Argjentina dhe Uruguai e kanë fituar nga dy herë dhe Anglia e Franca e ka fituar secila. Ndeshja e së dielës do të shënojë për herë të parë që një ekip europian e fiton turneun jashtë kontinentit të tij.

“Lojtari i ri më i mirë”,
në garë Tomas Myler,
Aeju dhe Dos Santos

Tomas Myleri i Gjermanisë është midis tre kandidatëve për të fituar çmimin si lojtari i ri më i mirë në Kupën e Botës. Andre Ajeu i Ganës dhe Xhovani Dos Santos i Meksikës janë gjithashtu në garë. Lojtarët duhet të kenë lindur pas janarit të vitit 1989. 20-vjeçari Myler ka shënuar deri tani katër gola për Gjermaninë, duke e ndihmuar ekipin e tij të shkonte në gjysmëfinale, por mungoi në humbjen 0-1 me Spanjën. Lista me tre kandidatët u përzgjodhën nga panelit teknik i FIFA-s, i përbërë nga trajnerë dhe ish-lojtarë. Paneli do të zgjedhë fituesin dhe do ta bëjë të ditur atë pas finales së Kupës së Botës. Çmimi për herë të parë u aplikua në vitin e 2006 dhe u fitua nga gjermani Lukas Podolski.

10 kandidatët për “Topin e artë”
Spanja dominon me tre lojtarë, Holanda e Gjermania kanë nga dy

Tre lojtarë të Spanjës janë përfshirë në listën prej 10 lojtarësh për të fituar “Topin e artë” të Kupës së Botës “Afrika e Jugut 2010”, e që i jepet futbollistit më të mirë të kompeticionit. Sulmuesi David Vija u është bashkuar dy mesfushorëve, Ksavi dhe Andres Iniesta. Nga finalistja tjetër e Botërorit, Holanda, janë Uesli Shnajder, që ka shënuar po pesë gola as sa Vija, si dhe Arjen Roben. Gjermania përfaqësohet me dyshen Bastian Shvajnshtajger dhe Mesut Ozil, Argjentina me Lionel Mesin, Uruguai me Diego Forlanin dhe Gana me Asamoah Gian. Francezi Zinedine Zidane ishte fituesi i “Topit të artë” në “Gjermani 2006.

10 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›