Holbrooke viziton Pakistanin veriperëndimor
Islamabad -I dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Richard Holbrooke vizitoi sot rajonin fisnor në veriperëndim të Pakistanit, ku forcat e sigurisë janë përleshur me militantët, deklaruan zyrtarët. Holbrooke, i njohur më mirë për rolin e tij në negociatat për përfundimin e luftës në ish-Jugosllavi më shumë se 15 vjet më parë, mbërriti mbrëmë në Pakistan dhe u takua me liderët e lartë të qeverisë dhe të ushtrisë. "Ai shkoi në shtabin e përgjithshëm të Mohmand Rifles dhe u informua lidhur me operacionet ushtarake", deklaroi një zyrtar i qeverisë në rajon, i cili kërkoi të mbetej anonim, duke iu referuar një force paraushtarake në rajonin Mohmand.