Dita e Librit, Tirana i bashkohet festimeve si kryeqytetet e tjera të botës
Dita Ndërkombëtare e Librit, 23 Prilli është e pagëzuar si e tillë, në nderim të autorëve gjenialë të letrave botërore, spanjollit Miguel de Cervantes, autorit më të madh të letërsisë spanjolle të të gjitha kohërave, anglezit William Shakespeare dhe kronikanit Garcilaso de la Vega. Ishte kjo pikënisja që UNESCO në vitin 1995, shpalli 23 Prillin e çdo viti, si “Dita Botërore e Librit dhe e së Drejtës së Autorit”. Në kuadër të Javës së Letërsisë Spanjolle, kryeqyteti shqiptar, përmes Ambasadës së Spanjës në Shqipëri, ka promovuar festimin e këtij eventi të veçantë, duke iu bashkuar kështu një iniciative, e cila zhvillohet në po këtë ditë, në kryeqytetet kryesore të botës dhe ku lajtmotivi është letërsia. Me pjesëmarrjen e veçantë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ambasadorit të SHBA-së, John Withers, kreut të prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch si dhe ambasadorit të Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, u zhvillua leximi i tretë publik i Don Kishotit të Manches. Gjatë ceremonisë së zhvilluar, në praninë e personaliteteve të rëndësishme të jetës publike dhe kulturore të Shqipërisë, por dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile, u lexuan pjesë të kësaj vepre të madhe të Servantesit nga ambasadori Withers e Robert Bocsh, për t’u dhënë kështu zë, këtyre shkronjave universale.
24 Prill 2010