E Diel, 1 Nëntor 2026

Kualifikimi, Mësuesit sot në testim, rritja e pagës sipas tri shkallëve



Jonida Tashi

Arsimtarët në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen sot testimit të kualifikimit, falë të cilit do të sigurojnë edhe një shtesë mbi rrogën mujore. Rregulli i parë që duhet zbatuar për t’u futur në testimin 2010, është se të gjithë mësuesit, në ditën e paraqitjes në provim duhet patjetër të jenë të pajisur me dokument identifikimi. Provimi do të zhvillohet vetëm me shkrim, në të cilin mësuesit do të vlerësohen për: zotërimin e programeve lëndore; zotërimin e anës shkencore të lëndës shkollore; zotërimin e anës metodike të lëndës. Ndërsa testet do të jenë sipas profilit të arsimtarëve dhe shkollave ku ata japin mësim.
Shtesa
Sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, provimit të kualifikimit për vitin 2010, do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit, të cilët kanë plotësuar 5, 10, 20 vite pune në arsim deri në fund të dhjetorit të vitit 2009. Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2009, kanë siguruar 5 vite pune si arsimtar kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim. Edhe më e madhe bëhet vjetërsia e punës në arsim kur bëhet fjalë për shkallën e parë të kualifikimit, e cila është edhe më e preferuara nga mësuesit. Për t’i dhënë mundësinë vetes që të testohet për të fituar shkallën e parë të kualifikimit, një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet arsim. Nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind dhe për të parën plus 20 për qind.
Rezultatet
Testet e mësuesve që do t’i nënshtrohen provimit të kualifikimit 2010, do të depozitohen menjëherë pranë Institutit të Kurrikulave dhe Trajnimit (IKT) në kryeqytete, specialistët e të cilit do të bëjnë edhe vlerësimin e tyre. Në përfundim të këtij procesi, rezultatet e provimeve do të shpërndahen drejt drejtorive arsimore të vendit. Më pas, drejtuesit e këtyre të fundit do të udhëzojnë të gjithë drejtorët e shkollave, që t’i njohin mësuesit me rezultatet që ata kanë arritur në testim. Sipas burimeve nga Drejtoria Arsimore e Tiranës kjo është një procedurë personale. “Mësuesit do të njihen personalisht nga drejtori i shkollës ku japin mësim, për pikët që kanë marrë në provim si dhe në cilën shkallë kualifikimi janë përfshirë”,- shpjegojnë burimet. Ndërkohë që e njëjta procedurë do të ndiqet edhe për rritjen në pagë që do të përfitojnë mësuesit, pas testimit. Për arsye, Ministria e Arsimit do të nxjerrë një urdhër të posaçëm, në të cilin do të detajohen modalitetet e marrjes së shtesës mbi pagë. Urdhri i MASH-it, për rritjen e rrogës së mësuesve sipas tri shkallëve të kualifikimit do të mbërrijë në drejtoritë arsimore të vendit, vetëm pasi të jenë shpallur zyrtarisht rezultatet e testimit 2010. Në të njëjtën kohë, pas përfundimit të procesit të vlerësimit të provimeve, përgjegjësi i sektorit të burimeve njerëzore në çdo drejtori arsimore të vendit do të njoftojë kandidatët për të paraqitur formularët e aplikimit për marrjen e shkallës së kualifikimit.

Shtesa mbi pagë sipas tri shkallëve të kualifikimit
5 për qind për kategorinë e tretë
10 për qind për kategorinë e dytë
20 për qind për kategorinë e parë

Afatet për ankimimet e provimit
Brenda pesë ditëve nga data e provimit, pjesëmarrësi në provim ka të drejtë t’i ankohet zyrtarisht drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse për: parregullsi në procedurat e zhvillimit të provimit; ndëshkimet që mund të ketë pësuar nga administratori ose përgjegjësi i administrimit të provimit. Drejtori i DAR-së, të cilit i është drejtuar ankesa, i dorëzon ankuesit përgjigjen zyrtare brenda pesë ditëve nga data e dorëzimit të ankesës. Nëse ankuesi nuk e merr përgjigjen brenda afatit ose gjykon që përgjigja është e pamjaftueshme për të, ka të drejtë t’i drejtohet zyrtarisht drejtorit të IKT-së brenda pesë ditëve nga përgjigja e marrë nga DAR. Drejtori i IKT-së duhet t’i nisë përgjigjen ankuesit brenda 10 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të ankesës. Nëse një pjesëmarrës në provim nuk e pranon rezultatin e provimit, i nis drejtorit të IKT-së kërkesën për t’u njohur me qortimin e testit të tij. IKT-ja i dorëzon ose i dërgon ankuesit një fotokopje të testit të tij, kundrejt një pagese prej 300 lekësh. Nëse ankesa e pjesëmarrësit në provim gjykohet e drejtë nga vlerësues të ngarkuar nga drejtori i IKT-së, testi i ankuesit rivlerësohet. Nëse një ankues nuk është i kënaqur me përgjigjen përfundimtare të IKT-së, ka të drejtën e ankimimit në DPM në MASH.

24 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›