E Shtunë, 31 Tetor 2026

Holtkemper: Demonstratat tani të rrezikshme

“Në atmosferën aktuale unë personalisht, por dhe kolegë të mi nga BE ose OSBE-ja gjykojmë se lëvizjet e ardhshme demonstrative janë vërtet shumë të rrezikshme. Ne të gjithë kemi zhvilluar biseda të gjata si me kryeministrin Sali Berisha ashtu dhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe shefin e opozitës, Edi Rama të cilat kanë pasur për qëllim rakordimin për të hequr dorë të paktën për momentin nga njoftimet për demonstrata ose ose lëvizje demonstrative të reja”, tha Holtkemper në një intervistë për Deutsche Welle.

Sipas saj, është “një tregues inkurajues që ka gatishmëri për të hequr dorë nga tubimi i paralajmëruar prej PD-së dhe shpresojmë që edhe PS e pjesa tjetër e opozitës të bëjnë të njëjtën gjë". Duke shprehur besimin që vizita e delegacionit të BE-së të jetë sa më e suksesshme, ambasadorja tha se "vijoj të kem ndjesinë se të dyja palët i kushtojnë rëndësi faktit, se ato kërkojnë vlerësim në BE. Të dyja palët i kushtuan rëndësi të madhe sqarimit të pozicionit të tyre përkundrejt ambasadorëve të BE-së dhe ambasadorit të OSBE-së. Kjo është një gjë shumë pozitive".

Diplomatja shtoi se të dyja palët gjithashtu janë të vetëdijshme, se nëse Shqipëria kërkon të bëhet anëtar i BE-së, sigurisht që i duhet të ruajë dhe respektojë parimet e demokracisë dhe shtetit ligjor. Diplomatja gjermane shprehu besimin se të dy partitë kryesore në vend të mund të përpiqen të kalojnë konfliktin mes tyre, në interes të tyre dhe të vendit dhe që demonstratat e paralajmëruara, qofshin këto dhe me qëllimin më paqësor të mundshëm, të paktën të mos zhvillohen për këtë periudhë.  "Përtej kësaj uroj që të dyja palët të gjejnë një raport dialogu politik konstruktiv mes tyre, i cili të zhvillohet brenda institucioneve, brenda parlamentit”, përfundoi Holtkemper. /Start/

                                                                                             2011-01-27 08:38
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›