E Diel, 1 Nëntor 2026

Holtkemper: Forcat politike të gjejnë një zgjidhje për KQZ-në

TIRANE - Ambasadorja Gjermane në vendin tonë, Carola Müller-Holtkemper thekson rëndësinë që partitë politike të gjejnë një zgjidhje për çështjen e KQZ-së. Sipas ambasadores, vendime të caktuara në KQZ kërkojnë shumicën e cilësuar të anëtarëve të komisionit, çka do të thotë që ky institucion nuk mund ta përmbyllë procesin me 4 anëtarë.

“Deri më tani për fat të mirë nuk ka ndodhur asgjë serioze problematike përsa i përket procesit të deritanishëm zgjedhor. Por nuk është shumë i kënaqshëm fakti që forcat politike në Shqipëri nuk kanë mundur ende të gjejnë një zgjidhje për këtë problem. Unë shpresoj shumë që kjo të ndodhë së shpejti, pasi me siguri gjatë këtij procesi zgjedhor do duhet të merren vendime të cilat do të kërkojnë shumicën e cilësuar të anëtarëve të Komisionit Qendror zgjedhor. Në përfundim do të duhet të shpallet rezultati i zgjedhjeve që do të kërkojë gjithashtu një komision të plotë përsa i përket numrit të anëtarëve. Unë mendoj që sa më shpejt të ndodhë, aq më mirë është. Ne kemi patur diskutime të gjata përpara se të ndodhnin ndryshimet e KQZ-së, por unë mendoj se këto janë elementë të cilët i përkasin të shkuarës tanimë. Ajo që do të rekomandoja unë për të gjithë ju do të ishte, ky komision zgjedhor me këta 5 anëtarë, numër tek , i cili garanton në çdo moment marrjen e vendimeve të njëkuptimta dhe të paekuivoke.”- deklaroi ambasadorja Holtkemper. 

Deklaratat e Holkemper u bënë gjatë procesit të simulimit të votimit të maturantëve të shkollës “Aleks Buda” në Tiranë. Ajo apeloi të rinjtë që të mos shesin votën, pasi sipas saj në terma afatshkurtër ka të mira materiale por në terma afatgjatë do të sillte humbje shërbimesh dhe simulim të korrupsionit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›