Holtkemper: “Liberalizimi i vizave, lëvizje e lirë por e disiplinuar”
Intervistoi Ervin KOÇI
Gjermania dhe qeveria e saj janë optimist për marrjen nga ana e Shqipërisë të vendimit të liberalizimit të vizave. Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në vendin tonë, Carola Mueller Holtkemper, parashikon që vendimi i ministrave të brendshëm të Këshillit Europian do të jetë në favor të Shqipërisë. Në një intervistë ekskluzive dhënë për gazetën “Albania” diplomatja gjermane sqaron për herë të parë, disa detaje në lidhje me mbarëvajtjen e procesit të liberalizimit të vizave dhe si se duhet të funksionojë ai për shqiptarët. Pa dashur t'i paraprije këtij vendimi, zonja Holtkemper thotë se situata duket pozitive. Ajo ka mbërritur në vendin tonë vetëm pak muaj më parë, duke u emëruar në detyrën e Ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë, pasi ka zëvendësuar paraardhësin e saj diplomatin Berdt Bochard. Në rrëfimin e saj, Ambasadorja Mueller, thekson faktin se është e rëndësishme që qeveria por dhe qytetarët shqiptarë të ndjekë rigorozisht të gjitha rregullat që do të vendosen për këtë proces sa të lirë aq dhe delikat.
Zonja ambasadore, Parlamenti Europian u shpreh pozitivisht duke votuar javën e kaluar propozimin e Komisionit Europian dhe të komisioneres Fajon, për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Sa e mbështet qeveria Gjermane këtë vendim dhe cili është vlerësimi juaj mbi këtë çështje?
Unë besoj, se në këtë drejtim jemi në rrugë të mbarë edhe pse ka akoma për t’u bërë.
Të enjten e kaluar, Parlamenti Europian vendosi me shumicë votash për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Ne e përshëndesim këtë vendim. Pengesa e radhës për t'u kapërcyer do të jetë vendimi i Këshillit të Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë, më 8 nëntor, por unë jam optimiste. Është e qartë, se rezervat e vendeve anëtare lidhur me çështjet e sigurisë duhet të merren seriozisht. Veç kësaj, qeveria shqiptare duhet të sqarojë qytetarët lidhur me detyrimet që vijnë nga procesi i liberalizimin e vizave. Duhet t’u bëhet e ditur qytetarëve se nuk mund të qëndrojnë më shumë se sa koha e lejuar, pasi në të kundërt penalizohen ata vetë por edhe vendi juaj. Po kështu, cili do qytetar duhet të ketë paratë e mjaftueshme për të udhëtuar në BE. Deri në 70 euro në ditë minimalisht. Ata duhet të jenë korrekt edhe me kohë-qëndrimin, si dhe me dokumentet që posedojnë. Rregullat e reja i japin kompetenca policëve në kufijtë e vendeve të BE-së, prandaj qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm. Ky është një qarkullim i lirë i qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjës drejt vendeve të BE-së, por ai duhet të bëhet i disiplinuar dhe konform rregullave që diktohen. Nuk mund të shkohet për punë dhe as për qëndrim të përhershëm. Këtë duhet ta mësojnë mirë shtetasit tuaj.
Shqipëria shpreson edhe në marrjen e kërkesës mbi statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian, duke pritur një vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian. A mendoni se vendi ynë ka bërë aq sa duhet për të plotësuar standardet që kërkon një vend kandidat për në BE?
Vendi ka bërë përparime të rëndësishme, por nevojiten reforma të tjera thelbësore për të arritur standardet e Bashkimit Europian. Pikërisht në fusha kyçe si demokracia, shteti ligjor dhe drejtësia, ne shohim progres të kufizuar. Por mungesa e funksionimit të parlamentit paraqet një problem thelbësor, duke qenë se bëhet fjalë për një kriter të rëndësishëm politik. Konkretisht mungesa e funksionimit të parlamentit ndikon në shumë fusha: ajo vështirëson reformat e domosdoshme legjislative në rrugën drejt BE-së dhe emërimin e një Avokati të ri të Popullit përmes Parlamentit, - sa për të përmendur vetëm dy fusha. Veç kësaj, ne vazhdimisht kemi nënvijëzuar, se është e domosdoshme të forcohen sa më parë kapacitetet administrative në të gjitha institucionet, pasi një nga problemet kryesore qëndron në implementimin e ligjeve, të cilat në vetvete janë provuar se janë shumë të mira. Gjithashtu në problemet që ne kemi kritikuar përfshihen dhe përpjekjet e qeverisë, për të zvogëluar pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e eficencës dhe transparencës së proceseve gjyqësore, si dhe një tendencë e ekzekutivit për të ushtruar kontroll mbi institucionet e pavarura. Për këtë arsye kemi kritikuar edhe faktin, se ende vazhdojnë lëvizjet e motivuara politikisht të punonjësve në shërbimin publik dhe se procedurat e rekrutimit në shërbimin publik janë pak transparente.
Zonja ambasadore, ju sapo keni mbërritur në Shqipëri në detyrën e kryediplomates së Republikës Federale Gjermane. Sa e njihnit më parë Shqipërinë dhe cilat janë përshtypjet e para për këtë vend?
Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1982, si turiste. Më pas, në vitin 1991, në një udhëtim pune ku qëndrova për disa ditë në Tiranë. Shqipëria e sotme, pavarësisht nga disa probleme, as që mund të krahasohet më me Shqipërisë gjatë regjimit komunist. Jam e impresionuar nga bukuria e vendit tuaj e përzemërsia e njerëzve. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ndodhet në rrugën e integrimit drejt BE-së. Ky zhvillim i jashtëzakonshëm, madje është i dukshëm që në udhëtimin nga aeroporti drejt Tiranës. Sot, mund të udhëtosh nga aeroporti drejt një qyteti të pastër e me gjelbërim. Jam e kënaqur për periudhën e qëndrimit tim si Ambasadore në Tiranë.
Si i konsideroni zhvillimet aktuale politike në Shqipëri? Cilat do të jenë marrëdhëniet tuaja me forcat politike shqiptare?
Unë tashmë e kam pasur rastin të njoh shumë bashkëbisedues të këndshëm e interesantë në politikë. Ende nuk kam arritur kurrë të kuptoj mungesën e aftësisë për të bërë kompromis në politikën e vendit tuaj. Shqipëria synon anëtarësimin në BE dhe ne ju mbështesim në arritjen e këtij objektivi. BE-ja bazohet në gatishmërinë për kompromis. Çdo ditë 27 vendet anëtare duhet të bien dakord për tema të shumta. Vendimet lidhur me çështje të rëndësishme nuk mund të shtyhen për periudha të gjata, për shkak se nuk mund të arrihet një kompromis. Ndërsa në Shqipëri, çështje të rëndësishme shtyhen pjesërisht që prej më shumë se një viti, pasi nuk mund të arrihet një kompromis.
Po në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, cilat do të jenë lëvizjet e qeverisë Gjermane?
Gjermania është një nga donatorët më të rëndësishëm në bashkëpunimin bilateral me Shqipërinë. Që prej vitit ‘88 kemi një bashkëpunim që bëhet gjithnjë e më i ngushtë. Deri tani Gjermania ka vënë në dispozicion të projekteve të bashkëpunim financiar me Shqipërinë rreth 545 milionë euro, fonde të cilat kanë shkuar në sektorë të ndryshëm për përmirësimin e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Nëse ky nuk është një tregues i qartë bashkëpunimi, nuk di ç’të them tjetër...? Por edhe në vazhdim unë mendoj se projektet e bashkëpunimit do të vijnë duke u shtuar. Mendoj se, energjia është një ndër elementët kyç të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të jetë objekt i ndihmës së qeverisë gjermane. Veç energjisë, një fushe tjetër e rëndësishme e ndihmës gjermane për Shqipërinë mendoj se do të jetë edhe sektori i turizmit, ku me sa di kanë nisur investimet dhe mbështetjet e para.
Tjetër////////////////////////////////////////
Investimet: Ambasadorja gjermane, tur në Jug të vendit
Ambasadorja gjermane ndërmori një tur në Jug të vendit ku vizitoi disa projekte të rëndësishme në fushën e energjetikës, të financuara nga qeveria gjermane. Ndalesa e parë ishte Hidrocentrali i “Bistrica 1”, një projekt 16 milionë euro, i financuar nga banka gjermane “KfW”. “Gjermania është një nga donatorët më të rëndësishëm në bashkëpunimin bilateral me Shqipërinë. Që prej vitit ‘88 kemi një bashkëpunim që bëhet gjithnjë e më i ngushtë. Deri tani Gjermania ka vënë në dispozicion të projekteve të bashkëpunim financiar me Shqipërinë rreth 545 milionë euro, fonde të cilat kanë shkuar në sektorë të ndryshëm për përmirësimin e jetesës së qytetarëve shqiptarë. Nëse ky nuk është një tregues i qartë bashkëpunimi nuk di ç’të them tjetër”,- deklaroi ambasadorja Holtkemper. Zonja Holtkemper vizitoi edhe nënstacionin e ri 110/20 kilovolt në Gjirokastër. Edhe ky një projekt i financuar me fonde të qeverisë gjermane. Projekti tashmë është zbatuar plotësisht dhe përfshiu rehabilitimin e plotë të HEC-it “Bistrica 1” dhe ndërtimin e nënstacioneve të Sarandës dhe Gjirokastrës. Ambasadorja gjermane tha se, energjia është një ndër elementët kyç të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë dhe do të vazhdojë të jetë objekt i ndihmës së qeverisë gjermane. Projekti i furnizimit me energji të Shqipërisë së Jugut kishte gjithsej vlerën e 33.7 milionë eurove dhe u financua tërësisht nga qeveria gjermane, nëpërmjet bankës “KfW”. Falë rehabilitimit të hidrocentraleve të Bistricës, prodhimi i energjisë u rrit nga 135 milionë kilovat/orë në minimalisht 145 milionë kilovat/orë në vit. Në sajë të rehabilitimit të HEC-eve modernizimit të pajisjeve, eficenca e prodhimit të energjisë u rrit me të paktën 5% për secilin nga hidrocentralet e Bistricës. Përveç eficiencës, u përmirësua edhe siguria e prodhimit të energjisë, falë zbatimi të teknologjive të reja, si rregullatorët automatikë të shpejtësisë dhe tensionit. Jetëgjatësia e objekteve gjeneruese të energjisë u shtua me rreth 30 vjet. Duke ju referuar të dhënave të KESH-it, falë këtij projekti indeksi i mosfurnizimit me energji për rajonin e Jugut u ul nën vlerën 4%, ndërsa për Sarandën në rreth 1%. Arritje shumë domethënëse është edhe ulja e humbjeve në rrjet. Para ndërhyrjeve të projektit zona e Sarandës kishte humbje në rrjet që shkonin mesatarisht në 31%, ndërsa aktualisht vlerësohen në 21%. Vetëm për qytetin e Sarandës ky tregues ka rënë 14.4%. Në rrjetin e mëparshëm shpërndarës të Sarandës humbjet në rrjet ishin 8-9%, ndërsa me rrjetin e ri të shpërndarjes kanë rënë në 0.5%. Ambasadorja tha se, veç energjisë një fushe tjetër e rëndësishme e ndihmës gjermane për Shqipërinë do të jetë turizmi. Gjatë vizitës së saj në Jug të Shqipërisë, ambasadorja vizitoi edhe projektin e GTZ-së për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Gjirokastër. Ky projekt konsiston gjithashtu në nxitjen e turizmit dhe të zhvillimit ekonomik në Gjirokastër. Për të stimuluar tregun e suvenireve, në një nga lagjet e vjetra të Gjirokastrës është ngritur qendra e Artizanatit, ku bëhet prodhimi dhe tregtimi i punimeve në dru, punimeve në gur, i veshjeve tradicionale dhe i objekteve të tjera që simobolizojnë vlerat kulturore dhe historike të qytetit.
19 Tetor 2010