E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhemal Mato: Pro importit të mbetjeve, por të përmirësohet kuadri ligjor



Besarta Billa

TIRANË – Ekspertët e mjedisit kanë modifikuar qëndrimin e tyre duke u shprehur pro importimit të mbetjeve për industrinë e riciklimit, por kërkojnë që të miratohet kuadri ligjor i duhur për mbrojtjen e mjedisit. I këtij mendimi është specialisti i njohur i çështjeve mjedisore, Xhemal Mato, i cili në një intervistë dhënë për gazetën “Albania” pohoi se importimi i mbetjeve të klasifikuara në listën jeshile është një praktikë evropiane, por ende nuk janë në standardet evropiane as institucionet dhe as qytetarët shqiptarë. Zoti Mato është kritik edhe ndaj politikave të qeverisë për zhvillimin e industrisë së përpunimit të mbetjeve. “Në qoftë se ti stimulon vetëm procesin e riciklimit të mbetjeve të huaja, atëherë këtu ka një problem të madh të politikave mbrojtëse të mjedisit”, - thotë eksperti i mjedisit. Sipas tij, “ky është shqetësimi dhe problemi jonë dhe kjo mund të kontrollohet që nga masat që merr politika”.

Cili është mendimi juaj për vendimin e qeverisë për importimin e plehrave?

Vendimi i Këshillit të Ministrave për miratimin e një liste jeshile, për të cilin u bë një debat mjaft i madh, në fund të fundit është një detyrim, por njëkohësisht, është edhe një gjë pozitive për aq kohë sa ne përcaktojmë saktë se cilat mbetje janë të qarkullueshme në Europë. Edhe ne, si pjesëtarë të Europës jemi detyruar t’i njohim. Problemi i importit të tyre është thjesht një problem që mund të rrjedhë nga kjo. Problemi ynë si shoqatë ose si shoqëri civile, është se lista mund të jetë e mirë, por s’jemi ne të mirë.

Çfarë do të thotë kjo?

Që lista është europiane, por s’jemi ne ende europianë. Edhe këtu mund të ketë deformime që mund të sjellin ato rrisqe për mjedisin në vendin tonë.

Jeni pro apo kundër këtij vendimi?

Jam pro në kuptimin që është një njohje e nevojshme. Përderisa ne pretendojmë të bëhemi anëtarë të BE-së, por jam edhe kundër, pasi duhet të ketë politika mbrojtëse ndaj importimit të mbetjeve, në mënyrë që këta të mos dalin jashtë kontrollit dhe të mos ketë ndikim negativ në problemet tona të mjedisit.
Jam për fuqizimin e politikave mjedisore, jo për përfitimet, qoftë të biznesit apo për përfitime të çastit e të tjera. Pra, këtu ka një lloj mentaliteti që mund të pranojmë një listë të gjelbër për të qenë të përafruar me BE-në, por nuk është mbështetur kjo në një sërë vendimesh apo ligjesh të cilat na sigurojnë ne që nuk do ketë deformime në importin dhe tregtimin e këtyre mallrave në vendin tonë. Kemi të bëjmë me realitete që i kemi parë dhe në tregtimin e mallrave të zakonshëm.
Në qoftë se politika nuk i parashikon dhe në qoftë se politika nuk është më një politikë mbrojtëse të tregut apo e mjedisit tonë, atëherë realiteti bëhet e kundërta e asaj që mund të parashikojë ligji. Për shembull, në qoftë se tregu i mollëve tek ne nuk ka politika financiare nxitëse që mund ta mbrojnë prodhimin tonë, atëherë do mbizotërojnë mollët e Maqedonisë. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me mjedisin.
Në këtë rast, problemi bëhet me të vërtetë i agravuar. Në këtë rast mjedisi nuk do arrijë të shpëtojë nga dominimi i tregut të huaj. Pra, ne si grup jemi për riciklimin e mbetjeve në vend, por nuk duhet ta deformojmë këtë treg që të marrim mbetje nga jashtë.

A ka Shqipëria kapacitetin e duhur për zhvillimin e kësaj iniciative?

Kapacitetet edhe mund të vihen. Problemi është i politikave mbrojtëse të mjedisit. Në qoftë se ti stimulon vetëm procesin e riciklimit të mbetjeve të huaja atëherë këtu ka një problem të madh të politikave mbrojtëse të mjedisit. Ky është shqetësimi dhe problemi jonë dhe kjo mund të kontrollohet që nga masat që merr politika.

Është i njëjti projekt i 2004 apo ka ndryshime?

Jo nuk është i njëjti. Këtu diskutohet për një listë të mbetjeve të gjelbërta, ndërsa projekti i 2004 diskutonte për importimin e mbetjeve urbane për ti importuar me qëllimin për ti djegur. Ka ndryshime pasi projekti i 2004 parashikonte që të silleshin vagonë të tërë me mbetje urbane që hiqeshin nga Italia dhe do digjeshin në vendin tonë të pa seleksionuara dhe të pa grupuara. Problemi këtu qëndron në faktin se këto politika tek ne mund të sjellin që të moskontrollohen importet e plehrave të huaja. Në fakt, ne nuk jemi për ti përballuar këto mbetje në sasi dhe në cilësi. Për shembull mund të ndodhë që të vijë dhjetëfishi i mbetjeve të parashikuara. Për mendimin tim u miratua një vendim pak i nxituar, i nxitur nga biznesi, pasi ka fabrika riciklimi që duan të marrin materiale që si gjejnë në vendin tonë dhe duan ti importojnë. Mund të them se në këtë mes ka politika të çdo shteti që bën politikat e veta, të mbrojë ose të mos mbrojë vendin e tij.

28 Tetor 2010

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›