Mitrovicë, situata e sigurisë shënohet e qetë
Situata e sigurisë në Mitrovicë është e qetë dhe nën kontroll të autoriteteve të rendit. Kështu shprehet nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, pas incidentit që ndodhi të shtunën mbrëma, në afërsi të urës kryesore të Ibrit. Në takimin e rregullt të Komitetit Lokal për Siguri Publike të Komunës së Mitrovicës, Haziri tha se ka qenë një incident fare i panevojshëm dhe i paarsyeshëm, ndërsa sipas tij veprimet e dhunshme, me ç’rast një polic i EULEX-it është plagosur me armë zjarri dhe disa qytetarë kanë pësuar lëndime nga hedhja e gurëve janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ai kërkoi nga përgjegjësit e sigurisë që të marrin masa për identifikimin e personave të dhunshëm dhe të nxjerrën para drejtësisë, ndërsa ka ngritur si shqetësim praninë e madhe të armatimit në mesin e personave të paautorizuar në veri, si dhe përdorimin e alarmit nga strukturat paralele në veri, me anë të të cilit sa herë që atyre ju intereson i ftojnë qytetarët në tubime. Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka thënë se ditëve të fundit ka pasur incidente të shpeshtuara në veri. Ai përmendi rrahjen masive në mes të qytetarëve serbë në Zveçan, vrasjen e Hakif Mehmetit në Kodrën e Minatorëve, shpërthimin në veri si dhe incidentin të shtunën mbrëma.
14 Shtator 2010