E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi i ri: Gjoba për gazetarët e TVSH që mbajnë qëndrime politike

Luis Tanushi

Pas një jave diskutimesh në rang ekspertësh, Komisioni për Reformën Zgjedhore ka arritur që të mbyllë një tjetër kapitull që lidhet me reklamat qeveritare gjatë periudhës zgjedhore. Sipas ndryshimeve në kapitullin që lidhet me fushatën zgjedhore, do të ndalohet transmetimi gjatë kësaj periudhe i fushate të reklamave të institucioneve publike. Në zgjedhjet e ardhshme këshilli i ministrave, vetë ministritë dhe njësitë e pushtetit vendor do të kenë të detyruara të ndalojnë spotet me përmbajtje politike përveç informimit të publikut për zgjedhjet. Koha e pasqyrimit të veprimtarive qeveritare, që lidhen me fushatën zgjedhore, përfshihet në kohën e partisë së cilës i përket titullari i institucionit që zhvillon veprimtarinë. Do të konsiderohet veprimtari qeveritare, aktivitet publike që pasqyrojnë ose promovojnë politika të institucionit, investimet, inagurimet e veprave apo pasqyrim i punës në të tilla konsiderohen dhe mesazhet me natyrë politike dhe që përputhen apo afrohen ne politikën apo programin e subjektit politik të titullarit si dhe aktivitete të tjera që përcaktohen në udhëzim të KQZ, pas konsultimit me bordin e Monitorimit të Medias, theksohet në Kodin e ri.

Përfundimi i këtij drafti tregon dhe tërheqjen e mazhorancës duke pranuar propozimin e një jave më parë të opozitës, e cila kërkoi pikërisht ndalimin e reklamave të qeverisjes qendrore apo asaj vendore gjatë periudhës zgjedhore. Të premten, PS i paraqiti Komisionit për Reformën propozimin që të ndalohet çdo lloj reklame dhe njoftimi qeveritar, në nivel qendror dhe vendor, që nga dita e nxjerrjes së dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës. Bëjnë përjashtim nga ky rregull vetëm reklamat dhe njoftimet qeveritare që lidhen me çështjet e mëposhtme si shëndetin publik dhe çështje të sigurisë;njoftime të ndryshme që lidhen me informacion për çështje zgjedhore; njoftime, publikimi i të cilave detyrohet nga ligji; njoftime për vende të lira pune; njoftime për kontrata publike, përfshirë të gjithë fazat që kërkojnë njoftim.

Në çdo rast sipas propozimit të PS, reklama apo njoftimi qeveritar nuk duhet të kishte në përmbajtje të tij logo, simbole partiake dhe imazhe të titullarëve të institucioneve përkatëse. Ndërkohë në Kod ndryshime kanë pësuar dhe nene të tjera ku është detajuar mënyra se si do të zhvillohet fushata zgjedhore në media. Koha e pasqyrimit të veprimtarive qeveritare, që lidhen me fushatën zgjedhore do përfshihen në kohën e partisë. së cilës i përket titullari i institucionit që zhvillon veprimtarinë. Për shkak të akuzave të opozitës në zgjedhjet e mëparshme ndaj qëndrimeve të TVSH-së, Komisioni për Reformën ka saktësuar dhe pjesën që lidhet me cilësinë e mbulimit të fushatës zgjedhore për këtë televizion. Pasqyrimin e veprimtarive të partive jashtëparlamentare radiotelevizioni publik zbatohen kriteret profesionale të lajmit në dispozicion. Brenda edicioneve informative, gazetarët e radiotelevizionit publik e kanë të ndaluar propagandën, komentet ose qëndrimet politike. Në rast të shkeljes së kërkesave, KQZ-ja do gjobisë sipas përgjegjësisë me 20 000 lekë reporterin që ka përgatitur kronikën, me 30 000 lekë redaktorin përgjegjës, me 35 000 lekë drejtorin e informacionit dhe me 60 000 lekë Drejtorin e Përgjithshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›