E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonatat nga jashtë, rritja e çmimit u bë me bekimin e qeverisë

Emirjon Senja

Rritja e tarifave të terminimit të thirrjeve nga jashtë për në Shqipëri, të cilat rrisin koston e telefonatës me 320 për qind (më shumë se trefishim) prekin në pjesën dërrmuese emigrantët, ndërsa kërkesa për heqjen e kontrollit mbi çmimet është miratuar me bekimin e qeverisë. Fillimisht, kompanitë celulare, të cilat kanë fluksin më të madh të thirrjeve patën një garë të egër midis tyre duke ulur më maksimum tarifat e terminimit për telefonatat nga jashtë. Një gjë e tillë bëri që të uleshin çmimet dhe përfitimet e kompanive të tjera të vogla që ofrojnë të njëjtin shërbim (kompanitë e internetit dhe ato dixhitale). Në një situatë të tillë, kompanitë e mëdha patën ulje drastike të të ardhurave, rrjedhimisht edhe fitimeve. Por nëse kanë fitime të ulta, edhe tatimi mbi fitimin, i cili do të derdhej në arkën e shtetit ishte i ulët. Përballë kësaj situate, duket se ekzekutivi ka qenë i gatshëm të plotësojë kërkesën e kompanive celulare për të liberalizuar tarifat e terminimit duke sakrifikuar të ardhurat e më shumë se 1.1 milionë emigrantëve shqiptar në të gjithë botën, të cilët tashmë duhet të flasin me familjet e tyre 3.2 herë më shtrenjtë nga sa flisnin deri para datës 1 shkurt.

Uljen e të ardhurave të kompanive e shpreh edhe AKEP në arsyetimin e vendimit të Këshillit Drejtues për liberalizimin e tarifave. Nga operatorët e mëdhenj në RSH, është argumentuar se një ndër faktorët kryesorë që kanë çuar në rënien e ndjeshme të të ardhurave të tregut të komunikimeve elektronike ka qenë pikërisht rregullimi i tarifës së këtyre thirrjeve dhe reduktimi i ndjeshëm i tyre. Reduktimi i të ardhurave të sektorit ndikon negativisht edhe në stimujt e operatorëve për investime në rrjete dhe shërbime të reja. Në këto kushte, lind nevoja e rivlerësimit nga ana e AKEP-it të disa aspekteve të kuadrit rregullator të përcaktuar prej tij në zbatim të ligjit nr. 9918 dhe akteve nënligjore në zbatim të tij si dhe të masës rregullatore për vendosjen nën rregullim të tarifës për thirrjet hyrëse ndërkombëtare që terminohen në rrjetet e sipërmarrësve me FNT, – shpjegohet në vendim.

Vendimi

Vendimi për liberalizimin e tarifave të terminimit të thirrjeve u morën pas kërkesave nga kompanitë celulare dhe pasi AKEP kishte provuar të njëjtën gjë një vit e gjysmë më parë, por vendimi u kthye sërish. Në rregulloren e mëparshme, AKEP përcaktonte se: Tarifa e terminimit të thirrjeve dhe shërbimeve të Interkoneksionit të lidhura me terminimin e thirrjeve në rrjetet e këtyre sipërmarrësve (kompanive celulare), të jenë objekt kontrolli dhe rregullimi nga AKEP. Pas kërkesës së kompanive, AKEP vendosi të heqë rregullimin e tarifave të terminimit të thirrjeve nëpërmjet tre vendimeve të marra nga Këshilli Drejtues më datë 20 dhjetor 2011: Rivendosja nga ana e AKEP-it e qëndrimit për nxjerrjen jashtë rregullimit të tarifave të terminimit të thirrjeve dhe shërbimeve të interkoneksionit të lidhura me terminimin e thirrjeve në rrjetet e tyre për thirrjet hyrëse ndërkombëtare, për sipërmarrësit me FNT, sipas vendimeve të Këshillit Drejtues të AKEP-it, – theksohet në vendim. Pasi hoqi kontrollin mbi tarifat e terminimit të thirrjeve nga jashtë, AKEP ia kaloi kompanive celulare të drejtën për të përcaktuar vetë çmimet. Tarifat e terminimit të thirrjeve hyrëse ndërkombëtare të vendosen nga palët në marrëveshje mbi bazën e respektimit të parimit të lirisë kontraktuale dhe të proporcionalitetit të interesave reciproke komerciale për të mos shkaktuar dëm të shpërpjesëtuar të interesave të tyre, – shpjegohet në vendim.

 Çmimi u rrit me 320 %

Rritja e tarifave të terminimit ka shtrenjtuar në mënyrë të menjëhershme telefonatat nga jashtë vendit për në Shqipëri. Tarifë terminimi është çmimi me të cilin kompania pritëse e telefonatës ia mundëson kryerjen e saj klientit të kompanisë nga nis telefonata. Deri më tani, çmimi për këtë sherbim ka qenë mesatarisht 0.05 cent euro për minutë, por nga 1 shkurti ai ka shkuar mesatarisht në 0.16 cent euro për minutë. Duke parë këto tarifa, kosto e terminimit të një minute telefonatë nga jashtë rritet nga rreth 7.57 lekë që ishte deri më tani në, rreth 22.5 lekë pas aplikimit të tarifave të reja.

Mbi këtë çmim aplikohet kosto e shërbimit si edhe fitimi i kompanive duke përcaktuar kështu çmimin final me të cilin do ta paguajë iniciuesi i thirrjes nga jashtë.

Viti 2010, si u ulën fitimet e kompanive

Liberalizimi i tarifave të terminimit uli të ardhurat e kompanive gjatë vitit 2010 krahasuar me atë 2009. Ky fakt ishte edhe arsyetimi i AKEP kur mori këtë vendim. Por sa fituan kompanitë gjatë këtyre dy viteve? Të dhënat e dala atëherë nga tatimet flisnin për një fitim prej 1.2 miliardë lekë nga Eagle Mobile, kompani e cila gjatë vitit 2009 kishte dalë me humbje për shkak të investimeve të kryera.

Për vitin 2010, AMC Mobile ndërkohë rezultoi me një nivel fitimi prej 8.8 miliardë lekësh, ose gati 32 për qind më pak se në vitin 2009. Për sa i përket të ardhurave, mësohet se për vitin 2010, kompania siguroi rreth 20 miliardë lekë nga 24 miliardë të
në vitin 2009. Vodafone Albania gjithashtu pati një rënie të fitimeve me 23 për qind. Kompania mundi të realizonte 20.3 miliardë lekë të ardhura kundrejt 11.2 miliardë lekë shpenzime. Asokohe, për PLUS-in nuk kishte të dhëna mbi të ardhurat apo shpenzimet. Nisur nga ky bilanc, mësohet se çfarë ka ndodhur me arkën e kompanive celulare gjatë vitit 2010, rrjedhimisht edhe me tatim fitimin që vjel shteti.

AKEP: liberalizimi, kompanitë ulën edhe investimet

Vendimin për liberalizimin e tarifave të terminimit, AKEP e justifikon ndërkohë edhe me uljen e të ardhurave, rrjedhimisht edhe të investimeve nga ana e kompanive celulare gjatë vitit 2010. Një gjë e tillë pasqyrohet në vendimin e marrë për heqjen e kufizimeve mbi tarifat. Sipas AKEP, ulja e investimeve nga ana e kompanive bëri që konsumatorët fundorë të mos përfitonin shërbime shtesë. Reduktimi i të ardhurave të sektorit ndikon negativisht edhe në stimujt e operatorëve për investime në rrjete dhe shërbime të reja, -citohet në vendim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›