E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazhe e “thumba” midis të djathtëve

Kjo duket se ndodhi sot në përkujtim të dy të pushkatuarve që u gjetën të shtunën e shkuar në Shkodër, përkatësisht Tom Ndojë dhe Sokol Sokoli.

 Me këtë rast, në Tiranë u zhvillua një ceremoni përkujtimore ku merrte pjesë presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Në ceremoninë e zhvilluar, kryetarja e Kuvendit, i vlerësoi si “hipokrizi” dekorimet e disa personave, të njohur si ekzekutues të kundërshtarëve të regjimit. “Ftojmë këdo që ka një pozicion të caktuar dhe për t`i thënë që të mos guxoni të dekoroni ata që kanë pushkatuar. Ata që dekorojnë vrasësit e këtyre djemve të rinj janë më shumë se hipokrit” theksoi Topalli.

Por, pas ceremonisë, gazetarët e pyetën kreun e shtetit për këtë deklaratë. Në, Përgjigje të kësaj, Topi theksoi se institucioni i Presidentit nuk merr nisma personale.

"Institucioni i Presidentit ka bërë më shumë se çdo institucion tjetër, ka hapur dyert e institucionit dhe besoj se duhet ta dini se asnjëherë Institucioni i Presidentit nuk bën dekorime me iniciativa personale. Ato vijnë si propozime nga institucionet. Është një histori e cila është ezauruar. Është një rast i veçuar individual dhe besoj që nuk mund të eklipsojë në mënyrë absolute atë vetëdije që ka Presidenti, i cili vjen nga një familje e të përndjekurve politikë për të mbështetur këtë klasë", tha Topi.

Edhe kryeministri Sali Berisha bëri homazhe për dy të pushkatuarit nga regjimi komunist, teksa ka shtuar se nuk mund të harronte pa kujtuar votat e hedhura në kutitë e gabuara.

“Nderimin më të madh që mund t’u bëjmë ne martirëve të lirisë dhe demokracisë është konsolidimi i vlerave të lirisë, i votës së lirë, i fjalës së lirë. Ju dhe të rinjtë shqiptarë duhet ta dinë se kur ata burra kanë votuar janë paraqitur para dy kutive: njëra ishte kutia e frontit, e barbarisë, ndërsa tjera quhej kutia e armikut. Kjo më është kujtuar disa herë këto kohë, kur ka nga ata që votën e hedhur në një kuti tjetër duan ta konsiderojnë si votë të ekzekutuar, si votë të paqenë. Ata burra kanë sakrifikuar që ne të ndahemi nga klishetë e një kohe që kurrë nuk kthehet më, që të votojmë të lirë”, theksoi kryeministri.

Më tej, kreu i shtetit u shpreh se në vitin 2011 duhej të ishte bërë kompensimi material i familjeve të kësaj shtrese, teksa kërkoi angazhim nga drejtuesit për të mbështetur këtë kategori.

“Edhe një herë sot them që të gjithë duhet të lenë elementë segmentarë që nuk kanë të bëjnë me vetëdijen dhe me predispozicionin, por të bëjnë të mundur, ata që kanë në dorë vendimmarrjen politike që, kjo klasë e të përndjekurve politikë të mos nderohet vetëm me fjalë në mënyrë demagogjike, por t’i jepet e drejta ashtu si e meritojnë”, tha Topi.

“Në radhë të parë të realizohet sa më shpejtë të jetë e mundur skema e kompensimit. Së dyti, kjo klasë ka nevojë që të mbështetet realisht në të gjitha drejtimet. Është thënë që do të bëhet muzeu dhe duhet të bëhet muzeu. Duhet patjetër që ky muze duhet të jetë në piedestal të historisë, sepse nuk besoj që të ketë pasur kohë më të egër se koha e izolimit komunist”, vijoi ai. 

/Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-01 14:01
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›