Homazhe në Ishëm për Ibrahim Kodrën
DURRES- Me rastin e 4-vjetorit të ndarjes nga jeta të Ibrahim Kodrës, mjeshtrit të madh të pikturës, sot në orën 11:00, në Ishëm të Durrësit do të ketë homazhe, ku merr pjesë edhe ministri i Kulturës, Ferdinand Xhaferaj. Piktori i njohur shqiptar, i nderuar me titullin "Nderi i Kombit", që jetoi dhe krijoi gjatë gjithë jetës në Milano, është tashmë i njohur dhe i respektuar nga atdheu i tij, si edhe nga publiku shqiptar. Trupi i mjeshtrit të madh prehet në Ishëm të Durrësit. Në homazhet që bëhen sot pranë varrit të tij, do jetë i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe përfaqësues nga qarku i Durrësit, të cilët do të paraqesin dhe një projekt-propozim me mbështetjen e ministrit, për ta kthyer këtë vend në një sit të vizitueshëm të trashëgimisë, duke gërshetuar komponentët: turizëm, trashëgimi dhe kulturë. Ibrahim Kodra u edukua në moshën e fëmijërisë në shkollën teknike të "Harry Fultz" dhe ndoqi kurset e vizatimit në Shkollën e parë të Vizatimit në Tiranë. Studimet e larta i kreu në Akademinë e Arteve në Milano dhe në Brera. Në vitin 1943, ekspozoi për herë të parë dhe në 1944 hapi studion e tij. Më pas, deri në vitin 2006 ai përuroi shumë ekspozita dhe ka dhënë qindra intervista, ku u shpreh qartë për artin e tij, për Shqipërinë dhe për Kosovën, të cilat nuk i ndante nga njëra-tjetra. Amaneti i tij i fundit ishte që në varr do të dëshironte të kishte një gur nga Shqipëria dhe një nga Kosova. Rreth artit dhe personalitetit të tij në Itali, Shqipëri, Kosovë dhe disa vende të Europës dhe botës janë shkruar me qindra artikuj dhe janë dhënë pafund mendime dhe vlerësime. Janë shkruar disa libra, janë botuar dhjetëra katalogë dhe antologji me punimet e tij. Janë realizuar disa filma dokumentarë me autorë italianë, shqiptarë dhe kosovarë. Janë dhënë çmime në emër të tij. Në 1980-ën, qyteti Positano e shpalli "Qytetar Nderi". Në çdo vit të jetës së tij ai ka hapur ekspozita kudo në botë, që nga Italia dhe vende të mëdha europiane si Francë, Gjermani, Rusi dhe shtete të botës si SHBA, Australi, Brazil, Argjentinë e të tjera. Gjatë këtyre ekspozimeve ka fituar dhe është nderuar me shumë çmime.(s.g/BalkanWeb)