E Diel, 1 Nëntor 2026

Shalsi: “Partia Socialiste nuk do të lejojë që SHISH të merret peng nga Berisha”

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi, deklaroi dje se PS-ja nuk do të lejojë që Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) të merret peng në zyrën e kryeministrit Sali Berisha.
Sipas tij, Berishës i duhet një shërbim sekret për të mos lejuar që opozitarët e këtij regjimi arrogant dhe injorant të nxjerrin në dritë të zezat e keqqeverisjes e të babëzisë së familjes në pushtet. “Sali Berisha ka hedhur në treg produktin më të rrezikshëm të politikës së tij të vjetër, të ashtuquajturin projekt për reformimin e Shërbimit Informativ, që s'është gjë tjetër veçse deformimi nga e para i një shërbimi fatmirësisht të depolitizuar vite më parë. Sali Berisha kërkon të rimarrë kontrollin e Shërbimit për të rifilluar përndjekjen e opozitës duke rënduar kësisoj edhe më shumë problematikën e lirive e të drejtave të njeriut”, - u shpreh Shalsi, duke i bërë thirrje kryeministrit që të tërhiqet publikisht nga plani i tij ogurzi për asgjësimin e pavarësisë së Shërbimit Informator. “Ndryshe, bashkë me kutitë, ky do të bëhet - një kusht më shumë për kthimin e opozitës në Parlament dhe - një arsye më shumë për protestat tona në rast se dialogu nuk jep rezultat”, - tha deputeti Shalsi.

PS, Gaçi: “Mandatet e deputetëve të PS-së nuk digjen, Berisha ta harrojë”

Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, deklaroi dje se mandatet e deputetëve socialistë nuk do të digjen. Ai tha se PS-ja është e vendosur që në përputhje të Rezolutës së Këshillit të Europës, të çojë deri në fund hetimin dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, do apo nuk do Sali Berisha. “Ta harrojë Sali Berisha apo ndonjë tjetër përfaqësues i Partisë Demokratike se mandatet e deputetëve të opozitës mund të digjen. Këto mandate të Partisë Socialiste përfaqësojnë vullnetin e shumicës së shqiptarëve, të një populli të tërë opozitar. Ndaj, jo vetëm Saliu, por askush nuk mund të luajë me to”, - u shpreh deputeti Gaçi.

6 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›