E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “PS-ja mbështet tryezën e dialogut, Berisha nuk e ndalon dot hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit”

Eneida Jaçaj

Partia Socialiste ka deklaruar se vazhdon të mbështesë tryezën e dialogut në drejtimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për t’i dhënë një zgjidhje krizës së rëndë politike. Deputeti Blendi Klosi i bëri dje thirrje kryeministrit Sali Berisha se hetimin e zgjedhjeve nuk e ndalon dot as me dëshirën e tij e as me forcën e pushtetit. Ai nënvizoi se transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit është e vetmja mundësi që do t’i japë zgjidhje krizës politike. Klosi theksoi se kërkesa e PS-së për hapjen e kutive është një kërkesë e panegociueshme. Duke shprehur vendosmërinë absolute për hapjen e kutive, kreu i partisë më të madhe të opozitës, Edi Rama, ka deklaruar dy ditë më parë se nuk do t’i përdorë kutitë si kusht për t’u ulur në tryezë, por do të ulet për hapjen e tyre. Ai ka sqaruar se dialogu do të shtrihet në të gjitha aspektet që përfshijnë jo vetëm transparencën e kutive, por edhe transparencën lidhur me të gjitha transformimet para dhe paszgjedhore.
Deklarata
Hapja e kutive për transparencën e zgjedhjeve është dhe një nga rekomandimet e Rezolutës së Këshillit të Europës. Në këtë kuadër, deputeti Klosi theksoi se hapja e kutive të votimit është një element i domosdoshëm për të hedhur dritë mbi të vërtetën e këtyre zgjedhjeve. “Fatkeqësisht, Sali Berisha, njeriu që është shkaktari kryesor i situatës së vështirë në të cilën ndodhet sot vendi, na provoi me po të njëjtën gjuhë të politikës së vjetër se atij i mungon vullneti për zgjidhjen e krizës që ka mbërthyer Shqipërinë, e cila po paralizon jetën institucionale, po rrënon ekonominë dhe shtetin e së drejtës”, - u shpreh Klosi, duke shtuar se “Partia Socialiste është e gatshme të dialogojë për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit, jo sepse këtë e kërkon thjesht Partia Socialiste, por mbi të gjitha sepse këtë e kërkojnë shqiptarët”.
Qëndrimi
Kryesocialisti Rama, dy ditë më parë u shpreh se kryeministri Berisha se nuk mund ta përdorë kohën për dialog si kohë për të përgjumur opozitën. Ai i bëri të qartë kreut të Ekzekutivit se opozita nuk do të rijë e përgjumur, por ndërkohë që përgatitet dialogu, ajo do të përgatitet edhe për alternativën e dialogut, që është protesta. Sipas Ramës, hapja e kutive nuk ka për qëllim përmbysjen e rezultatit në tavolinë, por transparencën për të nxjerrë në sytë e shqiptarëve se çfarë ka ndodhur. Në këtë kontekst, kreu i opozitës është shprehur se nuk është fundi i pushtetit, por është fundi i sistemit të korrupsionit i trashëguar prej 20 vjetësh. Sipas Ramës, nëse objekti i hetimit do të ishte i lirë dhe shumica e komisionit hetimor e përbërë nga opozita do të lejojë që objektin e hetimit ta shtrinte në gjithë horizontin e deformimit të procesit zgjedhor, atëherë dialogu do t’i trajtonte të gjitha pikat. Ndërsa nga ana tjetër, kryeministri Berisha është shprehur se është gati të plotësojë çdo pikë të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, por, sipas tij, Rezoluta nuk përfshin hetimin e zgjedhjeve me hapjen e kutive. Për Berishën hapja e kutive është e pamundur dhe jashtë çdo diskutimi për shkak të vendimit të gjykatës. Kreu i Ekzekutivit ka konfirmuar qëndrimin e tij se kutitë nuk hapen, duke lënë të kuptohet se ato do të vazhdojnë të jenë “molla e sherrit” për politikën shqiptare aktuale. Përsa u përket protestave të opozitës, kryeministri u ka dhënë dritën jeshile, duke theksuar se presioni në këtë formë është i papërfillshëm.

6 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›