E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jehona e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Vendimi unanim i Gjykatës Kushtetuese që deklaroi si të papajtueshme me Kushtetutën projekt-marrëveshjen shqiptaro-greke për delimitimin e kufirit detar është një vendim që, duke marrë parasysh kontekstin e vendimit dhe udhëkryqet që përjeton vazhdimisht një shoqëri tranzicioni si kjo e jona, do të ketë jehonë të papërsëritshme në disa aspekte të relievit politik, institucional dhe shoqëror shqiptar. Për të komentuar më në hollësi aspektet teknike dhe bazat ligjore këtij vendimi, duhet pritur vendimi i arsyetuar i Gjykatës. Sidoqoftë, tash për tash mund të themi se vetëm fakti i shpalljes së papajtueshmërisë ka rëndësi përpos shmangies imediate të cenimit të sovranitetit territorial shtetëror. Së pari, vendimi është shenjë e mungesës së normave dhe standardeve teknike që duhet të gjendeshin në administratë. Kjo merr jetë të veçantë në hijen e mendimit të shprehur shpesh se në administratën shqiptare vihet re mungesa e meritokracisë, nxitjeve të duhura, dhe e stabilitetit. Natyrisht që ekspertë të aftë e të zotë në administratë ka mjaft, por kuadri i përgjithshëm dhe trajtimi politik i saj është i tillë që shpesh i pengon specialistët të akumulojnë apo të zbatojnë ekspertizën e tyre. Në rastin konkret, kur bëhet fjalë për çështje të një rëndësie të lartë gjeo-strategjike, politike dhe ekonomike, qeveria ka për detyrë pasjen dhe shfrytëzimin e një administrate ekspertësh në një proces të hapur, të drejtë dhe sa më të kualifikuar për vendimmarrje. Kur ekspertiza mungon brenda administratës, gjë që nuk është çudi të ndodhë në administratën e një vendi të vogël, atëherë qeveria ka detyrë ta huazojë tjetërkund dhe ta përdorë në të mirë të interesave kombëtare. Siç është provuar dhe bërë publike, ekspertët nuk mungojnë, duke filluar me grupin negociator të marrëveshjes së kufirit detar me Italinë para pothuaj dy dekadash. Gjithashtu, me burimet e saj njerëzore relativisht të pakta, Shqipëria mund dhe duhej të kërkonte ndihmë profesionale nga vende mike maritime. Këtu duhet përmendur dalja në pah e mungesës së legjislacionit përkatës për ujërat e brendshme (p.sh. gjiret) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ky legjislacion është i domosdoshëm pasi e drejta ndërkombëtare publike në këtë rast nuk zëvendëson ligjin e brendshëm, por thjesht e udhëzon atë. Më tej, është vënë në dukje në shtyp nga ekspertë dhe mungesa e doktrinave ushtarake maritime të cilat duhet të ekzistonin përpara fillimit të negociatave të një rendi të tillë. Vendimi i gjykatës është shenjë që këto mungesa duhet të plotësohen. Së dyti, në rrafshin e normave demokratike, vendimi rikujton që sovrani në republikën tonë është populli, dhe që institucionet janë thjesht instrumente të shprehjes së vullnetit të sovranit të vërtetë. Vetë fakti i hedhjes poshtë të një marrëveshjeje që u negociua dhe u lidh pa asnjë lloj transparence dhe gjatë një procesi ku nuk hyri asnjë lloj rrezeje drite publike, ka një nëntekst të rëndësishëm: llogaridhënia vertikale ekziston dhe veprime në kundërshtim me detyrën e llogaridhënies nuk mund të jenë bazë e shëndoshë për veprimtari shtetërore. Jo vetëm që nuk pati transparencë gjatë negocimeve, apo kur u lidh marrëveshja, por madje edhe kur një pjesë e madhe e shtypit (me në krye, për hir të së vërtetës, Gazetën Shqiptare), një ish-drejtor i institucionit të specializuar shtetëror, ushtarakë të lartë, dhjetëra organizata jo-qeveritare, anëtarë të nderuar të shoqërisë civile, dhe një peticion në internet kërkonin rishikimin e kësaj marrëveshjeje, qeveria nuk u tut prej të sajës. Përkundrazi, asaj iu deshën shtatë muaj që të përgjigjej vakët në fillim, dhe pastaj të vazhdonte me denoncime e fyerje personale ndaj atyre që konstatonin probleme me marrëveshjen. Prandaj, sot vendimi i Gjykatës përbën validim të së drejtës së shoqërisë civile për të nxitur llogaridhënie nga instancat politike në pozitë. Së treti, ky vendim është fitore e dyfishtë në mbajtjen—dhe rikalibrimin—e drejtpeshimit të pavarësisë së institucioneve në rendin demokratik shqiptar. Fillimisht, Gjykata Kushtetuese, si një institucion i pavarur dhe si mbrojtësja parësore e ligjit themeltar të shtetit, Kushtetutës së Republikës, ndërmori shqyrtimin e saj të paanshëm, të kujdesshëm dhe të hollësishëm, i cili u pasqyrua dhe nga pyetjet e gjyqtarëve gjatë seancës dëgjimore. Gjykata me kuraje vendosi që të hedhë poshtë marrëveshjen e negociuar nga qeveria. Nuk është e lehtë që një marrëveshje ndërshtetërore të anulohet. Gjykata duket që nuk e ka nxjerrë vendimin “sa për të larë duart” nga një çështje delikate, për të cilën thuhet të ketë pasur dhe presione politike. Njoftimi në faqen zyrtare të Gjykatës thekson se “në projekt-marrëveshjen në fjalë konstatohen shkelje procedurale dhe substanciale që bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën [për të Drejtën e Detit]”. Gjyqtarët nuk janë mjaftuar me nënvizimin e cenimeve procedurale, pra mungesën e tagrit të plotfuqisë dhe anashkalimit total të rolit të Presidentit, i cili është në vetvete një cenim dhe shkelje e Kushtetutës. Arsyetimi i Gjykatës shumë mirë mund të ndalonte aty, duke pasur kështu bazë të mjaftueshme për ta shpallur marrëveshjen antikushtetuese. Në atë rast, e njëjta marrëveshje thjesht mund të rikalohej nëpër procedurën e duhur, të sanksionuar nga Gjykata, dhe të quhej nominalisht kushtetuese. Më e rëndësishmja është se Gjykata e ka bazuar vendimin e saj mbi cenimin territorial shtetëror dhe substancial të së drejtës ndërkombëtare publike, gjë që kërkon medoemos ri-neogiciimin e përmbajtjes së marrëveshjes. Ky vendim përforcon edhe më tej rolin e paanshëm dhe të pavarur të Gjykatës Kushtetuese në rendin politik. Cenimet “procedurale” të cilat citon njoftimi i Gjykatës kanë të bëjnë me anashkalimin e rolit të Presidentit dhe mungesës së tagrit të plotfuqisë që në bazë të Ligjit Nr. 8371, Dt. 09.07.1998 “Për Lidhjen e Traktateve dhe Marrëveshjeve Ndërkombëtare”, i cili është ligji bazë për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare me shtete të tjera, duhet të jepet nga Presidenti i Republikës për marrëveshje të lidhura në emër të shtetit shqiptar. Në këtë rast, vendimi i Gjykatës ka rregulluar dhe rikalibruar marrëdhëniet ndër-institucionale, duke i ruajtur fuqitë dhe detyrat e postit të Presidentit. Së fundmi, vendimi është mundësi e artë që qeveria të tregojë se është e aftë t’i përgjigjet normave që kërkon rendi ynë demokratik. Deri tani, fatkeqësisht, prononcimet lenë për të dëshiruar. Ndjekja e fantazmave ekstremiste në vend është drejtimi i gabuar dhe rrugë pa krye, pasi kështu rrezikohet të humbasë drejtpeshimi dhe në marrëdhëniet me palën tjetër. Nuk mund të fajësohen grupime (të paqena) ekstremiste në të njëjtën fjali ku flitet për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe arsyeja është e thjeshtë: në fund të ditës qeverisë do i duhet të zbatojë dhe respektojë vendimin përfundimtar të Gjykatës, ndërsa inuendot e prononcimeve të sotme veçse dobësojnë themelet e autoritetit të këtij vendimi në sytë e jashtëm. Qeveria, në funksion të kombit dhe interesave të tij, ka akoma hapësirë për të marrë vendimet e duhura në shërbim të arritjes së një marrëveshjeje sa më të drejtë. Të gjitha arsyet ekzistojnë që të ndiqet një bashkëpunim i hapur e i dobishëm me fqinjin tonë jugor, aleatin tonë në NATO. Paketa e bisedimeve duhet të jetë jo vetëm për kufirin detar, por mund të jetë një axhendë më e gjerë që mund të përfshijë edhe çështje të tjera të pasqaruara midis dy shteteve, si të shihet e arsyeshme nga të dy palët. Respekti i ndërsjelltë për proceset e brendshme demokratike të secilit vend duhet të jetë themeli i bisedimeve për çdo marrëveshje. Zgjidhjet e këtyre çështjeve do të krijojnë dhe bazën për fqinjësi të mirë dhe për të bërë të mundur çlirimin e sinergjive në rajonin tonë. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›