E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazhe ne nder te sopranes Nina Mula

Në ambjentet e Teatrit të Operas dhe Baletit u zhvilluan homazhet në nder të sopranos Nina Mula e cila ndërroi jetë ditën e djeshme pas një sëmundje të rëndë.
Të shumtë ishin personalitet që morën pjesë në këto homazhe. Në hollin e TOB ku u zhvilluan këto homazhe figura të njohura të politikës dhe të artit i dhanë lamtumirën e fundit artistes së mirënjohur, Nina Mulës.
Të afërm, miq dhe artistë u përkulën pranë trupit të saj, si dhe lanë mbresat dhe kujtimet për zonjën e skenës në librin e shënimeve.

Personalitete të shquara të vendit nga fusha të ndryshme kanë kryer homazhe në nderim të muzës së “Valsit të Lumturisë”, sopranes së mirënjohur Nina Mula. Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, Ministri i Kulturës, Aldo Bumçi shprehën vlerësime për figurën e artistes. I pranishëm ishte edhe presidenti, Bamir Topi.
"Arti i Nina Mulës është frymëzim jo vetëm për artdashësit por dhe për breza të tërë”, u shpreh Basha.

Ditën e djeshme, krerët më të lartë të shtetit kanë ngushëlluar familjen e sopranos së mirënjohur Nina Mula ndërsa e kanë cilësuar vdekjen e saj si një humbje të madhe për skenën shpiptare.
Kryeministri Sali Berisha theksoi se “Nina Mula i la vendit një trashëgimi të shkëlqyer artistike”.
Sipas tij ndarja nga jeta e sopranos që me zërin e saj magjepsës i kushtoi jetën operës shqiptare, është një dhembje e madhe për botën e artit shqiptar.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli theksoi se “me vdekjen e Nina Mulës, Shqipëria humbi muzën e "Valsit të lumturisë", artisten e madhe me të cilën është krenuar dhe do të krenohet gjithnjë”.
Sipas saj, Nina Mula la pas një pasuri të madhe muzikore, unike siç ishte ajo vetë.

Nina Mula ka lindur në 23 nëntor të vitit 1931 në Rusi. Kur ishte 18 vjeç artistja ruse Irina Maslenikova e dëgjoi të interpretonte në skenën e teatrit dhe i propozoi të konkuronte në Konservatorin e Moskës.
Ajo konkuroi dhe fitoi konkursin. Këte fitore, Nina Mula e ka konsideruar si fitoren e saj të parë që i hapi një dritare dhe që realizoi një ëndërr të pabesueshme.
Më pas kryen edhe një kualifikim pasuniversitar pranë Konservatorit të Moskës. Në vitet e studimeve, Nina njohu bashkëshortin e saj Avni Mulën.
Pas mbarimit të kursit, në vitin 1957, emërohet soliste pranë Teatrit të Operas dhe Baletit, ku punoi deri në daljen e saj në pension në vitin 1976.
Vetëm gjashtë muaj pasi kishte ardhur në TKOB, Ninës iu besua roli i Jolantës në veprën me të njëjtin titull të Çajkovskit. Një shfaqje kjo që e afirmoi duke marrë më pas shumë kryerole deri në mesin e viteve 1970.
Në vitin 1958, me partner bashkëshortin, Nina interpretoi rolin e Rozinës në operën “Berberi i Seviljes” me pas interpretoi në “Pranverën” e Tish Daisë. Nina Mula mbahen mend për rolet e saj në operat “Evgeni Onjegini”, “Madam Batërflaj”, “Dasma e Figaros” e më pas, i trokiti fati të luante pikërisht ajo Mikaelën në operën “Karmen”. Pak vite më vonë pati rolin e Mrikës në veprën me të njëjtin titull të Jakovës dhe atë të Donikës në premierën e operës “Skënderbeu”.
Në 80-vjetorin e saj të lindjes, sopranoja Mula ka pohuar se i ka ngelur peng dhe do donte të interpretonte "Toskën", "Trovatore" pse jo dhe "Luçia di Lamermmor". Ajo ende edhe sot emocionohet kur kalon pranë TKOB-së, salla e të cilit i ka falur shumë emocione dhe duartrokitje të publikut.
Ajo u largua nga skena në moshën 45-vjeçare, ndërkohë që do të kishte dashur të qëndronte më gjatë për të realizuar të tjera role. Për aktivitetin e saj Nina Mula është nderuar me shumë çmime, medalje e tituj, si Urdhrin “Naim Frashëri të klasit të II”, titullin “Artiste e Merituar”, çmimin e parë në Festivalin e Romancës si dhe titullin “Mjeshtre e Madhe e Punës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›