E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi e Zonja e Parë urojnë fëmijët për Vitin e Ri

TIRANË- Presidenti Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi pritën sot në Presidencë, nxënës të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, si dhe fëmijë të ciklit parashkollor, me rastin e Vitit të Ri 2012. Urimet për festa Presidenti i ndau jo vetëm me fëmijët e pranishëm në Presidencë, por edhe me gjithë fëmijët shqiptarë kudo ku ndodhën.

“Unë e di që ju jeni fëmijë shumë të mirë. Ata, që janë më të rritur, janë nxënës shumë të mirë, por edhe më të vegjlit, sikurse i kemi marrë informacionet, janë vajza dhe djem të sjellshëm, që jo vetëm sillen mirë, por edhe mësojnë mirë. Ne jemi në prag të festave, të Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri dhe ne e dimë që këto janë festa të të gjithëve, por në radhë të parë janë të fëmijëve. Unë dëshiroj t’ju uroj ju për këtë festë. T’ju uroj ‘Gëzuar Vitin e Ri!’ dhe le të jetë një vit i mbarë për secilin prej jush! Por, duke komunikuar me ju dëshiroj që këtë urim ta jap për të gjithë fëmijët shqiptarë kudo ku jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, Maqedoni, në diasporë, sepse të gjithë janë edukuar nga prindërit që ta duan Shqipërinë, pavarësisht se ku jetojnë”, tha Presidenti.

Më pas, një moment i bukur i festimit për fëmijët dhe surpriza për ta në këtë ditë, ishte shpërndarja e dhuratave simbolike, me rastin e Vitit të Ri, nga Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera Festat, Topalli pret fëmijët në sallën e Kuvendit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›