E Diel, 1 Nëntor 2026

Rasti Xhuvani prokuroria shkel ligjin

Dënimi me 2 vjet burg i djalit të deputetes së PS-së Luiza Xhuvanit është konsideruar nga Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi si i papranueshëm dhe politikë penale selektive. Kostandin Xhuvani pak kohë më parë u dënua vetëm me 2 vite burg për vrasjen e 26-vjeçarit Alfred Musabelli në “Qytetin Studenti” në Tiranë. Ministri i Drejtësisë kishte kërkuar inspektimin e çështjes për politikën penale të ndjekur si dhe politikën e dënimit të Xhuvanit. Rezultatet e inspektimit nga ana e MD i janë vënë në dispozicion Presidentit të Republikës dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas ministrit Halimi, dënimi me 2 vjet i Xhuvanit është i papranueshëm ndaj dhe ka kërkuar procedim disiplinor për prokurorin e çështjes dhe Kryeprokurorit të Tiranës. Në letrën e drejtuar Ina Ramës, ministri Halimi i kërkon kryeprokurores të ushtrojë detyrën kushtetuese për mbrojtjen e jetës dhe dënimin e agresorëve pasi politika penale është detyrë kushtetuese e prokurorisë. Ndërkaq, Halimi në letrën e drejtuar presidentit Topi thekson se detyra e këtij të fundit është me rëndësi të jashtëzakonshme dhe me autoritetin e mjaftueshëm për të vënë përpara përgjegjësisë prokurorët që abuzojnë me ligjin në masë të tillë që godasin në mënyrë agresive e të drejtpërdrejtë jo vetëm sigurinë publike të qytetarëve por edhe integritetin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi. Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë i ka dërguar raportin edhe gjyqtarit të çështjes, duke i dhënë të drejtën të paraqesë pretendimet e tij lidhur me konstatimet procedurale të gjetura gjatë procesit gjyqësor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›