Homazhe për ndarjen nga jeta të pretedentit të Fronit Mbretëror, Leka Zogu I

UPDATE- Është përcjellë sot për në banesën e fundit pretendenti për Fronin Mbretëror, Leka Zogu i Parë, i cili ndërroi jetë tre ditë më parë. Në ambientet e Kuvendit ku dhe u çelën homazhet në nderim të Mbretit Leka, ishte e pranishme kryeparlamentarja, Jozefina Topalli. Gjithashtu dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha i përcolli familjes ngushëllimet për ndarjen nga jeta të mbretit Leka Zogu I. Nuk ka munguar në këto homazhe dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ndërkohë që kryeministri, Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha i bënë nderimit e fundit kësaj figure. Pas përfundimit të vizitës së kortezisë së kreut të ekzekutivit, në hollin e Kuvendit erdhi dhe presidenti, Bamir Topi për të zhvilluar homazhet e rastit. Kreu i LSI-së, Ilir Meta i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto zhvilluan gjithashtu homazhet.
Ajo që u vu re ishte mungesa e kreut të opozitës, Edi Rama, i cili jo vetëm që nuk mori pjesë në këto homazhe, por nga ana e tij nuk kemi dhe një mesazh ngushëllimi për familjen. Kjo të paktën zyrtarisht.
Si përfaqësues të këtij kampi ishin deputeti socialist, Pandeli Majko dhe Sekretari për Emigracionin, Erion Veliaj.
Të shumtë ishin qytetarët që ndoqën nga afër homazhet, duke vendosur pranë trupit të pajetë kurora me lule. Të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, qytetarët i dhanë lamtumirën e fundit pretendentit për Fronin mbretëror, Leka Zogu i parë.
Gjithashtu, pjesëmarrës në këto homazhe janë deputetë të të dy kampeve politike, ministrat e kabinetit “Berisha”, artistë, përfaqësues të medias, por dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranën zyrtare.
I pari që mbërriti në hollin e Kuvendit për të zhvilluar ritualin në këtë ceremoni shtetërore është ambasadori i OSBE-së, Eugen Ëollfarth.
Siç dhe pritej në këtë ceremonial mori pjesë dhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu si dhe ambasadorja polake, Irena Tatarzinska. Leka Zogu i parë ndërroi jetë më 30 nëntor të këtij viti. Sipas familjes mbretërore pretendenti i fronit shfaqi komplikacione një javë më parë, të cilat falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, arritën të kalohen por gjendja e tij shëndetësore paraqitej sërish e rëndë. Pretendenti i Fronit Mbretëror Leka Zogu i Parë ndërroi jetë, në moshën 72-vjeçare në reanimacionin e Neurokirurgjisë, në Spitalin Nr.5 në Tiranë ku ndodhej i shtruar që prej datës 15 nëntor. Familja mbretërore shqiptare falenderoi në veçanti ekipin mjekësor nën drejtimin e prof. Mentor Petrela për përkujdesjen e vazhdueshme.
Basha: Mbreti Leka Zogu, mbështetës i interesave kombëtare
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha mbajti një fjalim të shkurtër në nder të mbretit Leka Zogu i parë. Përpara se kortezhi me trupin e pajetë të Leka Zogut I, të niste udhën drejt banesës së fundit për këtë figurë, kryebashkiaku Basha dha vlerësimet e tij.
Kështu, në këtë mesazh, Basha e cilësoi Leka Zogun si “Një figurë historike e shtetit shqiptar”. Sipas tij, për shkak të vlerave të kësaj familje, kurora Mbetërore s’ju dorëzua askujt. “Leka Zogu I ishte kontribut për Kosovën dhe një mbështetës i interesave kombëtare”, vuri në dukje Basha, gjatë fjalës së tij.
Itinerari i homazheve
Nga ora 10.00 deri në orën 12.00 u organizuan homazhe në Hollin qendror të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Më pas u mbajt ceremonia mortore dhe trupi i Leka Zogut të Parë u përcoll për në banesën e fundit. Kortezhi kaloi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë – Bulevardi – Zhan D’Ark, – Bulevardi Dëshmorët e Kombit” – Sheshi “Skënderbej” – Rruga e Kavajës – Varrezat e Sharrës.
Kush ishte trashëgimtari i Fronit Mbretëror, Leka Zogu i Parë
Leka Zogu i parë, djali i vetëm i mbretit Zog dhe mbretëreshën Geraldinë, lindi në 5 prill të vitit 1939. Pas një shkollimit në universitete me emër, mes tyre dhe ai i Sorbonit në Francë, trashëgimtari martohet në vitin 1975 me mbretëreshën Geraldinë. Në vitin 1997 rikthehet në atdhe pas 58 vitesh mërgim, ndërsa në 2002, vendoset përfundimisht në Shqipëri.