E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërron jetë politikani i mençur Sabri Godo. Ngushëllime familjes nga Kryeministri Berisha, Kryetarja e Kuvendit Topalli dhe kryetari i Bashkisë Basha

03-12-2011 / Gazeta 55

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi: Vdekja e plakut të urtë, Sabri Godo, humbje e madhe për kulturën politike mbarë shqiptare


- Rama kujtohet të ngushëllojë, zyra e shtypit e PS shpërndan në mesazh në emër të tij!


UPDATE- Ndërron jetë presidenti i nderit i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo. Pas një sëmundje të rëndë, Godo ndërroi jetë pak çaste më parë. Një figurë mjaft e njohur e politikës shqiptare, presidenti i nderit i PR-së, Godo nuk mundi të mposhtë sëmundjen, duke u ndarë nga jeta në moshën 82 vjeçare. Presidenti i Nderit të asamblesë së republikanëve vuante prej disa kohësh nga një sëmundje e rëndë në mushkëri, e ndjerë kjo edhe me mungesën e tij në debatin politik publik e në media gjatë muajve të fundit. Në nderim të figurës së politikanit të shquar, Sabri Godo, Kuvendi i Shqipërisë organizon ceremonialin e homazheve, në hollin hyrës të sallës së seancave plenare, nesër, e diel, datë 4.12.2011 nga ora 12.30-14.30. Lajmin e hidhur për humbjen e politikanit Godo, Partia Republikane do të formulonte në këtë formë: “Me hidhërim të madh Partia Republikane njofton humbjen e kryetarit të saj të parë dhe të liderit të saj, zotit Sabri Godo. Shqipëria humbi kështu politikanin e urtë dhe vizionar, shkrimtarin e njeriun, që në çdo çast të jetës së tij vendosi mbi çdo gjë interesin kombëtar”. Ndërkohë që kryebashkiaku i Tiranës, Lulëzim Basha zhvilloi një vizitë në familjen Godo, ku ngushëlloi të afërmit për humbjen e një personaliteti të shquar të vendit, siç ishte Sabri Godo. “Sabri Godo ishte ikonë e mençurisë qytetare, ikonë e urtësisë politike, ikonë e patriotizmit të vërtëtë shqiptar. Godo do të na mungojë shumë”- u shpreh Basha pas vizitës në familjen Godo. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shprehu ngushëllimet e saj familjes për ndarjen nga jeta të ish-deputetit, Sabri Godo. Në mesazhin e saj ngushëllues, Topalli vlerësoi se “me ndarjen nga jeta të zotit Godo, familja humbi njeriun e dashur, bota e letrave një shkrimtar, Partia Republikane, themeluesin e saj”. Godo doli të premten nga spitali, por me sa duket për ta ndalur këtu jetën e tij, një jetë aktive dhe jo vetëm prej politikani të matur, siç brezi e ri e njeh në 20 vitet demokraci të vendit, plakun e urtë të republikanëve. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përmes një deklarate për shtyp ngushëlloi familjarët e politikanit dhe patriotit Sabri Godos, Gjithashtu, PDIU siguroi familjen Godo se emri i tij do të mbetet me shkronja të arta në historinë tonë moderne. Nuk mungoi as mesazhi i ngushëllimit nga ana e kreut të LSI-së, Ilir Meta. “Politikës do t’i mungojë fjala e urtë e Godos. Ishte shembull i qetësisë dhe maturisë. Godo luajti rol në kushtetutën e vendit. Është Mungesë e pazëvendësueshme për familjen e tij”- thuhet në mesazhin e kreut të LSI, Meta. Ndërkaq, edhe zyra e shtypit pranë PS-së bëri me dije në deklaratën e saj se “në emër të socialistëve shqiptarë, kryetari Edi Rama i shpreh ngushëllimet më të përzemërta familjes së Sabri Godos”. “Ai ishte një kundërshtar politik i Partisë Socialiste por ka qenë e do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës së Shqipërisë dhe si një aktor me rëndësi i jetës politike shqiptare i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes”- vijon mesazhi i shpërndarë nga zyra e shtypit pranë PS-së. Mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të politikanit Godo erdhi dhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi. “Vdekja e plakut të urtë, Sabri Godo, i cili kontribuoi aq shumë për transformimet demokratike të Shqipërisë dhe për ruajtjen e ekuilibrimeve politike në procese të ndjeshme, është humbje e madhe për politikën e kulturën shqiptare, për familjen e tij dhe miqtë e shumtë që kishte”- shkruante Krasniqi.


Kush ishte Sabri Godo


Sabri Godo lindi në Delvinë më 8 gusht 1929 ku kreu dhe shkollën fillore. Të mesmen e vazhdoi në Tiranë, po për ta ndërprerë në mes dhe për t’u angazhuar në luftën antifashiste nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga Jugosllavia. Godo njihet për një numër veprash dhe romanesh me karakter historik, ku më të njohurat janë “Skenderbeu” dhe “Ali Pashë Tepelena”. Ka patur veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën “Hosteni”, ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike. Pasi regjimi diktatorial preku fundin e tij, Godo themeloi në janar të vitit 1991 Partinë Repiblikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vite radhazi. Vitet e fundit Godo ishte president nderi i Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Godo ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme. Godo ishte dhe bashkëkryetar i hartimit të Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë, e cila u miratua në referendumin e vitit 1998. Edhe pas shkëputjes së tij nga politika aktive, Godo nuk i ka munguar asaj, duke dhënë këndvështrimin e tij për çështjet më delikate dhe të debatueshme në periudha mosmarrëveshjesh të theksuara politike, këndvështrim ky që do t’i mungojë që klasës politike që nga 3 dhjetori i vitit 2011.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›