Homazhe për nder të Dëshmorit të Atdheut Feti Vogli

Shteti shqiptar do të nderojë sot Dëshmorin e atdheut, kapitenin Feti Vogli, i cili mbeti i vrarë 4 ditë më parë në Kandahar të Afganistanit. Trupi i Voglit ka mbërritur rreth orës 03:05 të mëngjesit të sotëm në aeroportin “Nënë Tereza” me anë të një avioni të NATO-s.
Në orën 04 e 30 minuta kortezhi është nisur në drejtim të fshatit Baldushk, aty ku familja e kapitetit ka më shumë se 4 ditë që ka hapur dyert për të pritur ngushëllimet.
Ceremonia mortore familjare do të zhvillohet nga ora 06:45-10:00 ndërsa më pas trupi i të ndjerit do të transportohet drejt Pallatit të Kongreseve ku do të zhvillohen edhe homazhet për nder të tij.
Në homazhe do të marrin pjesë krerët më të lartë të shtetit si presidenti Topi, kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli, ministri i mbrojtjes Arben Imami, Shefi i Shtabit dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik.
Ndërsa në orën 13:00 arkivoli me trupin e pajetë të kapitenit Feti Vogli do të dërgohet në Varrezat e Dëshmorëve ku do të zhvillohet edhe ceremonia e Apelit të Fundit që do të mbahet nga Komandanti i Batalionit të Operacioneve Speciale, Kolonel Dritan Demiri.
Kapiteni Feti Vogli u vra gjatë një sulmi në Kandahar të Afganistanit ku si pasojë e këtij sulmi u plagos edhe nëntetari Aleksandër Peçi.