Rama: Vendimi për Kuvendin varet nga Kolegji Zgjedhor
TIRANË- Vendimi për bojkot ose jo ndaj Kuvendit nga ana e grupit parlamentar të PS-së do të lidhet direkt me rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës. Kryetari i PS-së, Edi Rama, në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se të gjitha cështjet, që lidhen më vendimmarrjet e PS-së lidhen me hapat, që do të ndërmarrë Kolegji Zgjedhor. “Të gjitha çështjet që lidhen me vendimmarrjet e PS dhe të grupit parlamentar të saj, të opozitës në tërësi lidhur me të nesërmen janë çështje që do diskutohen gjerësisht pas përfundimit të procesit të hapur ende të 8 majit në Tiranë”,- tha ai. Rama doli dje para mediave për të denoncuar privatizimin e pesë hidrocentraleve, proces të cilin, ai e cilësoi të jashtëligjshëm dhe se opozita nuk do ta njohë. “Bëhet fjalë për 5 hidrocentrale të Bistricës 1 dhe 2, dy të tjera mbi lumin Mat dhe të HEC-it të Lanabregasit në Tiranë. Janë pjesë e një aseti të madh publik, një pasuri e madhe kombëtare dhe mbi të gjitha një pasuri e cila jo vetëm që nuk është problematike për nga pikëpamja e rentabilitetit, por përkundrazi fitimprurëse me rezultate qartësisht të dukshme. E mbi të gjitha rinovimi i gjithë këtyre aseteve është bërë thuajse plotësisht me kredi, pra me borxhe të marra bazuar mbi kontributin e të gjithë qytetarëve taksapagues”,- tha Rama. Kryetari i opozitës theksoi se PS-ja nuk do të njohë si të ligjshëm asnjë proces të kësaj natyre. “Ne do t’i zmbrapsim dhe do tua kthejmë shqiptarëve, qytetarëve të këtij vendi... Privatizimi i 5 hidrocentraleve është akti më kriminal në pikëpamje të administrimit të ekonomisë, që shënon një kulmim të ri në ekzekutimin e një politike ekonomike shkatërruese për vendin. Përsa na takon jemi thellësisht të shqetësuar prej kohësh duke parë nga brenda të vërtetat e ekonomisë shqiptare, e cila po kthehet në një bombë me sahat...”, tha ai. Rama shtoi se gjithçka po ndodh ka lidhje pikërisht me situatën post-zgjedhore në vend. “Nuk ka asnjë dyshim se ajo që ndodh me procesin zgjedhor është krejt e lidhur me atë që ndodh me ekonominë. Nuk ka asnjë dyshim, historia e provon këtë edhe rrugëtimi i këtij vendi në këto vite e provon këtë, që aty ku vidhet vota, vidhet edhe pasuria e një populli. E për ta vjedhur pasurinë e një populli me komoditetin kriminal që i jep vetes pushteti i sotëm në Shqipëri është e domosdoshme që në radhë të parë popullin ta zhveshësh nga sovraniteti i tij që qëndron tek vota. Tek fuqia për të ndryshuar me votë këdo që keq qeveris dhe tek mundësia për ta nënshtruar çdo pushtetet nën gjykimin e votës”, - tha ai.