E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dyshimi i policisë: Autorët panë nga afër shpërthimin e makinës së Konomit

Leonard Bakillari

Tiranë Një ditë pas ekzekutimit mafioz të gjyqtarit Skerdilajd Konomi, ekspertët e angazhuar për zbardhjen e ngjarjes kanë mundur të zbardhin mekanizmin e vendosjes së lëndës shpërthyese në makinën e bashkëshortes së gjyqtarit. Autorët kanë mundur të futen në oborrin e familjes Konomi, aty ku qëndronin dy automjete të parkuara, të dy të tipit “Benz Mercedes”. Duke qenë se hapësira e oborrit ka qenë e ngushtë, automjetet parkoheshin njëri pas tjetrit. Natën para ngjarjes, gjyqtari fillimisht kishte futur në oborrin e banesës së tij, makinën tip “Benz”, që përdorej prej tij dhe më pas kishte parkuar makinën e bashkëshortes, e cila shpërtheu dy ditë më parë, në qendër të qytetit të Vlorës. Sipas burimeve të rezervuara mësohet se autorët e masakrës së rëndë kanë shfrytëzuar një detaj që nuk dihej nga shumë persona. Automjeti ku u vendos tritoli qëndronte i hapur gjatë gjithë natës në brendësi të oborrit. Ky fakt është shfrytëzuar nga autorët e ngjarjes, të cilët kanë vendosur sasinë e konsiderueshme të eksplozivit, poshtë sediljes së automjetit, që ishte parkuar i dyti në radhë. Paraditen e së premtes, gjyqtari Konomi ka marrë makinën e bashkëshortes së tij pasi mund ta nxirrte më lehtë nga oborri i ngushtë dhe me të është nisur drejt Gjykatës së Vlorës për të shkuar në punë. Hetuesit e çështjes kanë mundur të sqarojnë edhe detajin e gomës së shfryrë, e cila nuk ka lidhje me këtë ngjarje. Goma e automjetit që përdorej nga gjyqtari është shfryrë tre ditë më parë, dhe sapo është konstatuar është riparuar menjëherë për t’u parkuar më pas në oborrin e banesës së familjes Konomi. Duke ndjekur lëvizjet e mundshme të autorëve, hetuesit kanë mundur të përcaktojnë edhe një itinerar për paraditen e së premtes. Sipas të dhënave të para mësohet se gjyqtari mund të jetë ndjekur nga autorët sapo ka dalë nga banesa e tij dhe ka marrë rrugën drejt qendrës së qytetit. Momenti i shpërthimit është zgjedhur nga autorët pikërisht në një kohë, kur në vendin ku po kalonte makina e gjyqtarit, nuk ka pasur shumë lëvizje mjetesh apo njerëzish. Ky fakt i bën hetuesit të dyshojnë se autorët kanë qenë pas tij dhe kanë pritur momentin e duhur për të telefonuar në celularin, që së bashku me lëndën shpërthyese, ndodhej poshtë sediljes së makinës. Për të siguruar informacione të detajuara rreth këtij dyshimi, policia ka sekuestruar pamjet filmike të marra nga kamerat e televizioneve që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Nëpërmjet këtyre filmimeve, ekspertët e hetimit synojnë të evidentojnë të gjitha automjetet që ndodheshin në radhë pas makinës së shpërthyer të gjyqtarit. Deri tani janë mundur të sigurohen disa targa automjetesh të filmuara nga kamerat e televizioneve, të cilat do të verifikohen nga policia. Kjo për të konfirmuar ose rrëzuar pistën e mundshme që autorët kanë ndjekur gjyqtarin, që prej banesës së tij në lagjen “Uji i Ftohtë” në qytetin e Vlorës. Mësohet se grupi hetimor ka sekuestruar edhe pamjet filmike të ceremonisë së djeshme mortore në nderim të gjyqtarit, pasi rreth teatrit “Petro Marko” janë parë persona që qëndronin në ambientet e jashtme të tij. Dyshimet për praninë e personave që mund të kenë dijeni mbi krimin kanë bërë që policia të kërkojë nga televizionet këto pamje filmike, të cilat mund të shërbejnë për evidentimin dhe identifikimin e të gjithë këtyre personave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›