E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homoseksualet, aleatet e Kisha kunder PD

31/07/2009  Martesa e homoseksualëve trondit aleancën e djathtë. PR kundër

Mediu: Për shoqërinë shqiptare, më shumë se një marrëzi

Martesa mes homoseksualëve kundërshtohet në mënyrë kategorike nga ana e Partisë Republikane, aleatit kryesor politik i Partisë Demokratike. Kryetari republikan Fatmir Mediu është deklaruar hapur ligjërimit të martesës mes homoseksualëve. Menjëherë ai shpreh oponencën e tij ndaj ligjërimit të martesës mes homoseksualëve, duke theksuar se një gjë e tillë nuk është për shqiptarët dhe shoqërinë tonë. Sipas kryerepublikanit, për shoqërinë shqiptarë lejimi i martesës mes personave të të njëjtit seks është një marrëzi dhe diçka e papranueshme. “Për shoqërinë shqiptare kjo është më shumë se një marrëzi. Nuk mund të kthehemi në kohën e majmunëve”, tha kreu i PR-së. Partia Republikane kohët e fundit, sidomos gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, ka shpallur familjen si një ndër tre çështjet kryesore. “Pronë, Familje, Komb”, ka qenë slogani i PR-së gjatë fushatës. Por, duket se me ligjërimin e martesës mes homoseksualëve familja tradicionale shqiptare mund të marrë një tronditje të fortë. Duket se nisur nga ajo çka mund të ndodhë, kryerepublikani Mediu kundërshton edhe kopjimet që rëndom bëhen nga vendet e Bashkimit Evropian. “Integrimi evropian është shumë i rëndësishëm dhe nuk do të thotë se duhet të rendim pas çdo lloj budallallëku, por duhet të shkojmë pas atyre që janë vlera të vërteta”, ka deklaruar Mediu.

Nisma ligjore u bë publike nga Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Komitetit Ndërministror për Integrimin. Kreu i qeverisë tha se qëllimi është lejimi i martesës mes personave të të njëjtit seks, homoseksualëve. Ai tha se ligji, i propozuar nga shoqëria civile është shumë i rëndësishëm kundër diskriminimit. Duke folur mbi këtë nisëm ligjore, Berisha u shpreh se lejimi i martesave mes këtyre personave do të ngjallë debat, por diskriminimi është i papranueshëm. “Kjo synon thjesht vendosjen mbi baza ligjore dhe jo diskriminuese, të një të drejte tashmë tërësisht të ligjëruar në vendet evropiane. Ky ligj është në Parlament dhe duhet të shqyrtohet me seriozitetin më të madh, pasi është një standard që gjykoj se zhduk një lloj diskriminimi”, tha Kryeministri.

Oponenca e PDK

Partia Demokristiane ka kundërshtuar fuqishëm ligjërimin e martesave mes homoseksualëve. Në një deklaratë për shtyp PDK shprehet se kryeministri Berisha me këtë ligj po tallet me shqiptarët dhe me Bashkimin Europian. “PDK e vlerëson propozimin e kryeministrit si një tallje të radhës me qytetarët, si një përpjekje djallëzore për të larguar vemendjen nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare dhe nga problemet e shumta që kryeministri u ka krijuar qytetarëve shqiptarë gjatë qeverisjes së tij”, thuhet në deklaratë.

Kisha: Jo martesës së homoseksualëve

Ligjërimi i martesave mes homoseksualëve ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të klerit në Shqipëri. Përfaqësues të Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse kanë kundërshtuar mundësinë e lejimit me ligj të lidhjes në martesë mes dy njerëzve të të njëjtit seks. Monsinjor Gjergj Frendo ka deklaruar se një ligj i tillë cenon konceptin e martesës dhe shenjtërinë e familjes shqiptare. “Martesa është bashkim i burrit dhe i gruas. Ne nuk kemi asnjë aftësi të dënojmë ose të gjykojmë homoseksualët, megjithatë nuk mund të injorojmë faktin që sipas planit të Zotit se martesa është bashkim i dy sekseve të ndryshme. Fatkeqësisht sot ligje të tilla konsiderohen si shenja përparimi, por në të vërtet nuk është ashtu, përkundrazi është detyrë e çdo shteti të mbroj martesën. Ne si të krishterë pranojmë martesën e dy sekseve të ndryshme, nuk është e pranueshme ideja që martesa të bëhet mes dy sekseve të njëjta”, tha Monsinjor Frendo. Nga ana e tij Peshkopi ortodoks Andon Merdani, ka thënë se një martesë e tillë nuk mund të mbështetet absolutisht nga ana fetare. “Për Kishën Ortodokse, ashtu edhe si për shumë kisha të tjera veprimi dhe akti që kryhet mes dy njerëzve të së njëjtës gjini është i dënueshëm. Për këtë arsye çdo lloj veprimi aq më tepër kur ato bëhen edhe ligjore nuk shikohet me sy të mirë dhe nuk mund të aprovohet nga ana jonë si besimtarë dhe si kishë. Mendoj se është diçka e nxituar pasi në Shqipëri ka probleme të mëdha sociale”, tha Peshkopi Merdani.Martesat brenda të njëjtit lloj Dragoti: Nisma e nxituar dhe e parakohshme Nisma e re ligjore e parashikuar për ndërmarrjen e hapave që lejojnë kryerjen e martesave të së njëjtës gjini edhe në vendin tonë, konsiderohet si një hap i nxituar dhe i parakohshëm nga specialistët e fushës sociale. Sipas ekspertëve psikologë apo sociologë, kjo çështje konsiderohet e nxituar për vetë natyrën dhe mentalitetin konservator që karakterizon popullatën e vendit tonë. “Lejimi i martesave do të ishte një kapërcim i tepruar në kushtet e nivelit tonë. Në radhë të parë duhet të shmangim stigmën dhe diskriminimin dhe më pas të lejojmë martesat”, ka pohuar dje psikologu Edmond Dragoti. Megjithatë, edhe në vendin tonë janë kryer vëzhgime në lidhje me përhapjen e këtyre prirjeve ku janë evidentuar tendenca në rritje, pavarësisht faktit se studimet janë të pjesshme. Konkretisht, sipas studimit të kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, rezulton se jo pak, por 2 për qind e popullatës kanë prirje homoseksuale. Por kjo shifër sipas hartuesve të monitorimit mund të jetë edhe më e lartë, për shkak se jo të gjitha rastet shfaqen ose tregojnë prirjet e tyre. Çka tregon se dhe në vendin tonë ka tendenca rritëse në përhapjen e këtyre prirjeve seksuale. Ndonëse jo zyrtare, kohët e fundit është pohuar se kjo dukuri është në rritje veçanërisht tek shtresat e larta të shoqërisë duke paraqitur një trend në rritje për marrëdhëniet biseksuale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›