E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rikandidimi i Ramës sjell të tjera disfata”

31/07/2009  Përvijojnë më tej debatet brenda kampit rozë, shkak qëndrimet e kryetarit të PS-së

Mbështetësit e lidershipit preferojnë të heshtin përballë zërave kundër linjës zyrtare

Pozicionimi i përfaqësuesve socialistë pro dhe kundër kryetarit të PS-së, Edi Rama, u zyrtarizua dhe u bë më i qartë në mbledhjen e pak ditëve më parë të Asamblesë Kombëtare. Përpos kundërshtive mbi qëndrimin e kësaj partie mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, pjesë e rëndësishme e debatit mes radhëve socialiste zinte dhe rikandidimi i Ramës për postin e kryetarit të kësaj partie, pasi sikundër u deklarua ai tashmë ka dhënë dorëheqjen nga një post i tillë. Ardhur në këtë moment, qëndrimet sërish kundërshtojnë njëri-tjetrin, duke përvijuar në këtë mënyrë më tej ndasitë brenda këtij kampi. Gjatë këtyre dy ditëve, kundërshtarët e kryetarit Rama e kanë çuar më tej qëndrimin e tyre, duke e parë rikandidimin e tij për këtë post si një mundësi tjetër humbjeje jo vetëm për socialistët, por për të majtën në vend. Ndërkohë që këtyre zërave, përfaqësuesit e grupimit që janë në mbështetje të kryetarit Rama, për rrjedhojë dhe të rikandidimit të tij, preferojnë t’u kundërpërgjigjen duke heshtur, e kjo për të mos zgjeruar dhe më tej debatin mes kampit rozë. Por nën zë, këto përfaqësues pohojnë se tashmë përgjigjja ndaj këtyre reagimeve është dhënë në mënyrën më të gjetur nga vetë kryetari Rama, i cili e cilësoi zërin kundër linjës së tij si pjesë e demokracisë së brendshme e Partisë Socialiste.

Kundërshtia

Deklaratat e dy ditëve më parë të kryetarit të PS-së, Edi Rama, i cili vuri në dukje qartazi qëndrimin e tij në garën e ardhshme për zgjedhjet e reja sa i takon këtij posti, sollën dhe reagimet e ashpra të kundërshtarëve të tij politik brenda radhëve socialiste. Rikandidimi

i Ramës shihet prej tyre si një tjetër disfatë që pritet t’i ndodhë PS-së. Në gjykimin e deputetit socialist, Marko Bello do të jetë kongresi i jashtëzakonshëm i PS-së ai që do të vendosë për dorëheqjen e Ramës dhe do të ishte më mirë që ai të mos rikandidonte, pasi e humbi shansin e tij. “Rama është mirë të mos rikandidojë, pasi ai nuk ka as sharmin dhe as misterin pozitiv që kishte në 2005-n”, vuri në dukje Bello, lidhur me një çështje të tillë. Por nga ana tjetër, deputeti i PS-së shkoi më tej duke propozuar dhe ndryshime në statutin e kësaj partie. “Kongresi duhet të ndryshojë statutin e partisë që të legalizohet të menduarit ndryshe”, vlerësoi Bello. Ndërkohë një tjetër zë i radhitur kundër një rikandidimi të Ramës për postin e kryetarit të PS-së, është dhe ai i sekretares për shanset e barabarta pranë kësaj partie, Edlira Haxhiymeri. Qëndrimin e saj, Haxhiymeri e argumentoi me arsyet se përse Rama nuk duhet të jetë me në krye të partisë, të shtrira ato në rrafshin juridik, atë politik e moral. “Mos rikandidimi i Ramës shtrihet në tre plane, në atë juridik, të cilit mandatit i ndërpritet kur humbet në zgjedhje, në atë politik një program i pavotuar, i pambështetur nga shqiptarët, natyrisht që nuk ka pse të ketë një shans të dytë. Në planin mora ka një traditë në PS, pra është ngritur një standard, ku humbësi dorëhiqet”, vuri në dukje Haxhiymeri. Sipas saj, një nëse do të ndërmerrej një veprim i tillë, atëherë PS do të pësonte humbjen e radhës. “Rikandidimi i tij do të thoshte një tjetër humbje për PS-në. Një projekt i dështuar, i pavotuar duhet t’i hapë rrugë projekteve të tjera, të cilat në PS për hir të së vërtetës nuk mungojnë”, u shpreh ajo.

Qëndrimi

Duke dashur të mos krijojnë përplasje të mëtejshme mes dy grupimeve brenda kampit rozë, mbështetësit e kryetarit Rama preferuan që të heshtin ndaj deklaratave të ardhura ditëve të fundit, që kundërshtonin rikandidimin e kreut aktual të PS-së. Por nga ana tjetër, edhe pse jo publikisht mbështetësit e lidershipit të PS-së në kontaktet telefonike ishin në koherencë me deklaratën e bërë nga vetë kreu Rama në përgjigje të këtyre zërave. “Ata mendojnë ndryshe, por kjo nuk do të thotë që nuk janë miqtë dhe kolegët e mi. Unë mendoj ndryshe dhe asambleja vendosi”, qe shprehur Rama.

LSI-ja për liberalizimin e vizave

“Integrimi, do të kontribuojmë për realizimin e objektivave”

Lëvizja Socialiste për Integrim shprehu sërish qëndrimin e saj të palëkundur për të kontribuar në realizimin e objektivave madhore të integrimit, e sidomos të liberalizimit të vizave me BE-në. Një fakt i tillë u bë dje i ditur nga zëdhënësi i kësaj partie, Ralf Gjoni, i cili gjatë një deklarate për shtyp në emër të LSI-së vlerësoi si mjaft pozitive zhvillimet më të fundit në lidhje me angazhimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe deklaratat e njëpasnjëshme të ish-komisionerit për punët e jashtme të BE-së, aktualisht ministër i Jashtëm i Italisë, z. Franko Frattini. “LSI përshëndet deklarimet shumë të qarta të z. Frattini, i cili është shprehur se “Shqipëria nuk mund të presë më dhe se kërkesa e hershme e saj nuk duhet të mbetet e mbyllur në sirtarët e ndonjë burokrati në Bruksel”. Deklarata më e fundit e z. Frattini për një samit të kryeministrave të BE-së për integrimin e Ballkanit perëndimor ku të jenë të ftuar edhe SHBA, është padyshim një propozim shumë i rëndësishëm dhe tregues i qartë për një përfshirje në veprimin konkret edhe të Washingtonit për t’i dhënë një mbështetje konkrete procesit të pandalshëm të integrimit të Shqipërisë në Evropë”, vuri në dukje Gjoni. Madje, po në këtë linjë, zëdhënësi i kësaj partie i mëshoi faktit se “LSI-ja do të vazhdojë të kontribuojë pa reshtur në realizimin e objektivave madhore të integrimit dhe veçanërisht të liberalizimit të vizave duke e konsideruar Evropën, si shtëpinë natyrale të të gjithë shqiptarëve, ku lëvizja e tyre individuale, por dhe më shumë se kaq, e biznesit dhe e kapitaleve të bëhen një realitet në të mirë të shqiptarëve si dhe një mundësi e rëndësishme për të kaluar me sa më pak dhimbje pasojat e krizës ekonomike botërore”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›