E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE

31/07/2009  Spindelegger thotë se kërkesës së Islandës duhet t’i bashkohet edhe Kroacia

Aplikimi i vendit tonë do merret në shqyrtim pas raportit përfundimtar për zgjedhjet

Austria mbështet anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ministri i Jashtëm austriak, Michael Spindelegger, ka deklaruar se kërkesës së Islandës për në Bashkimin Evropian duhet t’i bashkohet edhe kërkesa e Shqipërisë. “Çelja e negociatave mbi kërkesën e Islandës për t’u anëtarësuar në BE duhet të përfshijë detyrimisht kërkesën e Shqipërisë dhe Kroacisë. Negociatat Islandë-BE do të kushtëzohen vetëm nëse në këto negociata do të përfshihet bashkërisht edhe Kroacia dhe Shqipëria”, - ka deklaruar këto ditë Spindelegger.

Shtypi austriak, Televizioni Publik Austriak ORF, Agjencia Austriake e Lajmeve APA si dhe media austriake gazetat “Die Presse”, “Heute” etj, kanë komentuar gjatë dy ditëve të fundit këtë deklaratë zyrtare të ministrit Sindelegger lidhur me preferencën e politikës së jashtme austriake kundrejt BE-së, për përfshirjen sa më shpejt, mundësisht në negociatat e afërme të anëtarësimit me Islandën, edhe Kroacinë e Shqipërinë.

Ndërsa ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë mbështetur aplikimin e Islandës për anëtarësim në BE, Carl Bildt, ministri i Jashtëm i Suedisë, vendit që ka presidencën e radhës të BE-së, ka deklaruar se ndërsa punohet me Islandën për hyrjen e saj në BE, qeveria e BE-së nuk duhet të harrojë vendet kandidate të Ballkanit siç janë Shqipëria dhe Serbia. “Ne kemi nevojë të nxisim klimën e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit. Ne duhet të ruajmë klimën e bashkëpunimit në Evropën e integruar”, - ka deklaruar Bild. Mendimin e shumë analistëve apo edhe të disa politikanëve lidhur me mendimin e anëtarësimi i Islandës mund të cilësohet si një flustrim i Ballkanit, Bild tha se nuk mendon se kjo ka të bëjë me Islandën. Ministrat e Jashtëm janë të prirur t’i rikthehen perspektivës për anëtarësim të vendeve të Ballkanit dhe të nënvizojnë që ata do të merren me aplikimin e Shqipërisë në një kohë kur procedurat e saj elektorale të kenë përfunduar.

Negociatat e anëtarësimit kanë ngecur aktualisht për shumë vende kandidate të Ballkanit. Konkretisht anëtarësimi i Kroacisë është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve ujore me Slloveninë. Shqipëria dhe Maqedonia ende nuk janë ftuar të fillojnë bisedimet, megjithëse e paraqitën kërkesën para Islandës. Maqedonia është përfshirë në një mosmarrëveshje për çështjen e emrit me Greqinë, ndërsa Shqipëria është kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë për moszbatimin e reformave të duhura institucionale dhe për korrupsionin e lartë. Në fund të muajit prill Kryeministri Berisha i dorëzoi presidentit të Këshillit të Bashkimit Evropian, kryeministrit çek Mirek Topolanek, vendimin e qeverisë shqiptare për paraqitjen e kërkesës së Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian.

Çejku: Maqedonia jo viza me shqiptarët

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku, ka hedhur dje poshtë zërat se pas 1 janarit të vitit 2010, Maqedonia do të aplikojë viza për shtetasit shqiptarë, për shkak të liberalizimit të vizave me BE-në. Ai ka shpjeguar marrëveshjen mes dy vendeve, marrëveshje e cila nuk ka lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. “Ne kemi një marrëveshje aktuale të heqjes së vizave midis dy vendeve tona, e cila është në fuqi dhe ajo nuk preket nga liberalizimi i vizave që ka përfituar Maqedonia, për më tepër që dy vendet tona kanë një stacion të përbashkët, Bashkimin Evropian dhe Shqipëria shumë shpejtë do të përfitojë liberalizimin e vizave në muajt në vazhdim”, - sqaroi ambasadori shqiptar Arben Çejku. Ai i bëri këto deklarata pas takimit me zëvendëskryeministrin Abdilaqim Ademi, ku gjithashtu janë përjashtuar zërat për viza për Kosovën. Sipas tij, vendosja e vizave mund të ndodhte nëse Maqedonia është vend anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Evropian.

Zhvillohet ceremonia përmbyllëse e projektit të financuar nga BE-ja për migracionin

KE-ja e angazhuar për liberalizimin e vizave më Shqipërinë

Ruiz: Shqipëria të vazhdojë përpara me përpjekjet për plotësimin e kushteve

Komisioni Evropian është i përkushtuar për liberalizimin e vizave për Shqipërinë. Deklaratën optimiste për qytetarët shqiptarë e ka bërë dje i dërguari me pune i Delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Garrido Ruiz, gjatë ceremonisë përmbyllëse të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian për migracionin. Ai tha se lidhja mes migracionit të rregullt dhe liberalizimit të vizave nuk mund të anashkalohet, dhe se vendi ynë duhet të plotësojë standardet ndërkombëtare. Gjithashtu, duke folur rreth qëllimit rreth të cilit u zhvillua ai aktivitet, Ruiz nënvizoi domosdoshmërinë e parashikimit të një fondi të mjaftueshëm në buxhetin e shtetit për fushën e migracionit. “Lidhja e qartë mes migracionit të rregullt dhe liberalizimit të vizave nuk mund të anashkalohet, dhe unë do të doja ta shfrytëzoja këtë rast për të rikonfirmuar përkushtimin e patundshëm të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë. Ne e dimë se sa i rëndësishëm është liberalizimi për ta. Gjithashtu besojmë se nëse Shqipëria vazhdon të përparojë dhe nëse kushtet plotësohen, ajo do t’i bashkohet fqinjëve të saj së shpejti. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të parashikohen fonde të mjaftueshme për këtë qëllim në buxhetin e shtetit, dhe që të ruhet vazhdimësia e personelit. Vetëm në këtë mënyrë do të mund Shqipëria të ecë përpara me zbatimin e suksesshëm të një politike efektive migracioni”, - tha ai. Ndërsa ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Viktor Gumi, tha se projekti “Strategjia Kombëtare për Migracionin në Shqipëri” mbështeti ngritjen e një organi të përhershëm për monitorimin dhe bashkërendimin e Strategjisë Kombëtare, zhvillimin e shërbimeve konsullore në vendet kryesore pritëse të emigrantëve shqiptar, mbajtjen e trajnimeve për shërbimin diplomatik shqiptar në fushën e të drejtave të emigrantëve, hartimin e një manuali praktik për zbatimin e legjislacionit mbi migracionin etj. Gjatë një periudhe 30-mujore, projekti synoi të përforconte lidhjen mes migracionit dhe zhvillimit, si edhe të drejtat e emigrantëve shqiptar jashtë vendit. Kjo nënkupton përmirësimin e shërbimeve shqiptare diplomatike dhe konsullore, mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve shqiptarë, sikurse dhe mobilizimin e komuniteteve shqiptare jashtë për të rritur kontributin e tyre drejt zhvillimit të vendit. Fondi për zbatimin e këtij projekti ishte 1,000,000 euro dhe është bashkëfinacuar nga qeveria italiane dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

Qëllimi i projektit

Gjatë një periudhe 30-mujore, projekti synoi të përforconte lidhjen mes migracionit dhe zhvillimit, si edhe të drejtat e emigrantëve shqiptar jashtë vendit. Kjo nënkupton përmirësimin e imazhit të shqiptarëve jashtë shtetit, shërbimeve diplomatike, mbrojtja e të drejtave të emigrantëve, etj. Fondi për zbatimin e këtij projekti ishte 1,000,000 euro dhe është bashkëfinacuar nga qeveria italiane dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

Mbështetja

Përmes këtij projekti qeveria shqiptare do të vërë në zbatim një sistem efektiv migracioni, kthimin dhe ripranimin e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare, e cila çoi në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Migracionit dhe Plan Veprimit përkatës. “Duhen përpjekje të vazhdueshme për të inkurajuar migracionin e ligjshëm dhe për të reklamuar përfitimet prej tij në formën e sigurisë personale, prodhimtarisë dhe dinjitetit njerëzor”, - tha Ruiz.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›