E Shtunë, 31 Tetor 2026

Honduras, vazhdojnë diskutimet për rikthimin e Manuel Zelayas



Kongresi i Hondurasit u përgatit të mërkurën për të votuar rikthimin e presidentit tashmë të rrëzuar Manuel Zelaya pas zgjedhjeve. Zgjedhjet e diskutueshme presidenciale u refuzuan nga një numër i madh i qeverive të vendeve të Amerikës Latine, por gjetën mbështetje dhe miratim nga Shtetet e Bashkuara.
"Ne kemi zhvilluar bisedime intensive dhe të ndershme për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe të negociueshme për krizën që ka prekur vendin tonë gjatë muajve të fundit. " tha Shefi i Kongresit, Jose Alfredo Savedra.
Fituesi i zgjedhjeve presidenciale të së dielës, Porfirio Lobo, tha se me Kongresin jemi duke vendosur nëse Zelaya duhet të rikthehet apo jo.
Ndërkohë, Kongresi në kryeqytetin e Tegucigalpa, ishte i rrethuar nga policët e ndërhyrjes së shpejtë, ndërsa rreth 400 përkrahës të Zelayas po prisnin vendimin e rikthimit të tij.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me Meksikën dhe Spanjën, thanë se zgjedhjet në Honduras ishin të pastra, por shtuan se rivendosja e rendit kushtetues e thyer në qershor ishte e domosdoshme.
Shumica e vendeve të Amerikës Latine si Brazili dhe Venezuela deklaruan se nuk do ta njohin Lobon si president, i cili pritet të marrë detyrën më 27 janar, pasi kjo do të nënkuptonte mbështetje të zgjedhjeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›