E Diel, 1 Nëntor 2026

Hondurasi lobon për njohjen e Kosovës në vendet e Amerikës Qendrore dhe Karaibeve

03-09-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sosa: Kosova dhe Hondurasi, me ideale të njëjta


Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa ka deklaruar të shtunën në Prishtinë se vendi i tij do ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj si shtet i lirë, sovran dhe demokratik, dhe ka premtuar se do të angazhohet në mënyrë që edhe vendet tjera të Amerikës Qendrore ta njohin Kosovën si shtet i pavarur. Ai këto komente i bëri pas takimit me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, me ç’rast rikonfirmoi se Hondurasi njeh Kosovën si shtet të pavarur, pasi që kjo është e drejtë themelore e të drejtave të njeriut. “Ne si një shtet i Amerikës Qendrore do të kontribuojmë që në të ardhmen shtetet e tjera të njohin pavarësinë dhe unë do të kontribuoj që vendet e tjera të Amerikës Qendrore ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Sosa. Ai duke ftuar përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës që të vizitojnë Hondurasin, ka thënë se vendi i tij do të jetë përkrahës i Kosovës në rrugën e saj si shtet sovran dhe demokratik. “Hondurasi do të jetë në anën e juaj për të ecur përpara dhe vendi juaj të jetë ashtu siç duhet të jetë, një shtet i lirë, sovran dhe demokratik”, ka thënë ai. Ndërsa, presidentja Jahjaga shprehu falënderimet e saj për presidentin e Hondurasit për lobimin dhe njohjen e Kosovës duke e njoftuar për synimet e vendit tonë që të jetë një vend anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, BE-së dhe NATO-së. Jahjaga po ashtu tha se kanë biseduar edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. “Unë po ashtu e njoftova presidentin e Republikës së Hondurasit se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe është një faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe çështja e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe çështjet e aranzhimeve të brendshme janë çështje të panegociuara, kurse procesi i dialogut që është duke vazhduar është një proces që do të mundëson lehtësimin e jetës së qytetarëve të të dyja vendeve, do të mundësojë reaksionin e marrëdhënieve të të dyja vendeve tona dhe po ashtu do të mundësojë që të gjejë zgjidhje për çështje praktike”, ka thënë Jahjaga. Përveç, kësaj, sipas presidentes Jahjaga në këtë takim kanë biseduar edhe për bashkëpunimin bilateral dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, shtet-ndërtimit dhe në avancimin e proceseve demokratike. Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, ka thënë se Serbia duhet ta kuptojë një herë e përgjithmonë se drejta për të qenë i pavarur i takon edhe Kosovës, pasi që e drejta për pavarësi është e pacenueshme. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, priti të shtunën në një takim presidentin e Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, të cilin e njohu me procesin e dialogut që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për çështje teknike, punën në Parlament dhe zhvillime tjera. Duke përkujtuar se pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet në rajon, kryekuvendari Krasniqi ka thënë se Kosova tashmë ka krijuar një infrastrukturë ligjore, si bazë e zhvillimit të gjithëmbarshëm, duke siguruar njëkohësisht kushte edhe për investime të huaja. Krasniqi e njoftoi presidentin e Hondurasit edhe për strukturën e Kuvendit të Kosovës, si dhe për pjesëmarrjen e komuniteteve në parlament. “Kemi dëshirë që edhe me Kuvendin e Hondurasit të kemi marrëdhënie sa më të mira, sepse kemi nevojë për përvojat parlamentare nga ky shtet mik”, ka thënë Krasniqi. Nga ana e tij, presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa theksoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës është e drejtë legjitime, të cilën nuk mund ta mohojë askush, andaj një gjë të tillë duhet ta kuptojë edhe Serbia. “Shteti i Serbisë do ta kuptojë se drejta për të qenë i pavarur i takon edhe Kosovës, ashtu sikurse edhe shteteve të tjera. E drejta për pavarësi është e pacenueshme. Ne jemi në distancë, por kemi të njëjtat ideale”, theksoi presidenti i Hondurasit. Për më tepër, presidenti Sosa premtoi angazhimin e tij që çështjen e Kosovës dhe të pavarësisë së saj ta diskutojë edhe me shtetet tjera të Amerikës Qendrore, duke shprehur optimizmin se edhe shumë shtete të tjera të këtij kontinenti do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Presidenti Sosa arriti sot paradite në Prishtinë, ku në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” është pritur nga zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës, ndërkohë që ai ka zhvilluar takime me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga dhe zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli dhe Hajredin Kuçi. Kjo është hera e parë që një president i Amerikës Qendrore viziton një shtet të Ballkanit Perëndimor. Hondurasi ka njohur pavarësinë e Kosovës vitin e kaluar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›