E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kushtetuta e ndryshuar s’ka prodhuar ende efekte, që të mendohet për rishikimin e saj”

03-09-2011 / Gazeta 55

Flet ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, njëherësh deputet i PD-së
    
Kushtetuta e ndryshuar në vitin 2008 nuk ka prodhuar akoma efektet e saj. Kështu u shpreh dje, në një interviste, ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, njëherësh deputet i Partisë Demokratike, mbi propozimet e bëra nga Partia Socialiste për ndryshime në Kushtetutë, disa muaj përpara  zgjedhjes se Presidentit te Republikës.
“Çdo ligj, sigurisht që mund të ketë të gjithë hapësirën e duhur për t’u bërë, për t’u ndryshuar. Por çdo ligj, përfshi dhe ligjin bazë që është Kushtetuta mund të ndryshohet, vetëm në rast se një nen i saj,  jë klauzole e saj, një mekanizëm kushtetues do të prodhoje të meta”, tha Halimi.
“Nëse ky mekanizëm, vijoi ai, që është parashikuar nga ligjvënësi, nga forcat politike në momentin e hartimit dhe gjatë implementimit ka prodhuar të meta sigurisht që mund të ketë nevojë për t’u ndryshuar.  Por, Kushtetuta e ndryshuar në vitin 2008 nuk ka prodhuar akoma efektet e saj. Duhet të prodhohen efektet e saj, të aplikohet dhe mbasi të aplikohet nëse do të sillte probleme do të rishikohej, por ajo nuk është aplikuar akoma”, tha Halimi, duke kundërshtuar propozimet e PS-se për ndryshime në Kushtetutë.
Deputeti Halimi kërkoi nga lidershipi i Partisë Socialiste, që të sqarojë opinionin publik për ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008.  
“Unë nuk e di se kush ka qenë këshilltari i zotit Rama në atë kohe dhe pse ai ka ndryshuar këshilltar sot. Edi Rama, ose duhet të marrë këshilltarin e parë ose duhet  të  bëjë publike për qytetaret se cili ishte qëllimi që ai bëri ato propozime dje me atë këshilltar dhe sot ka ndryshuar këshilltar”, tha Halimi.
Deputeti Eduard Halimi foli edhe për çështjen tjetër të debatuar ne media këto dite atë për Kodin Zgjedhor.
“Kodi Zgjedhor dhe ndryshimet në të, janë një çështje shumë e ndjeshme për publikun dhe sidomos për Partinë Demokratike. Ka një ofertë të hershme të Kryeministrit dhe kreut të Partisë Demokratike, i cili i ka bërë opozitës se,  është gati të pranojë çdo amendament që do të vij në Parlament nga ana e opozitës me kushtin e vetëm që ato të konsultohen me OSBE-ODIHR”, tha Halimi.
Halimi, duke shprehur vullnetin e Partisë Demokratike për përmirësimin e mëtejshëm të Kodit Zgjedhor, deklaroi se,  “kemi rekomandimet e OSBE,  i marrim dhe këto përbëjnë paketën e reformave në Kodin Zgjedhor. Partia Demokratike është absolutisht e hapur për ti marrë dhe impelmentuar sa më shpejt të gjitha rekomandimet që vijnë nga raporti i OSBE, i publikuar pak ditë më pare”, tha ministri Halimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›