E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Honoris Causa” për Pamukun

Orhan Pamuk, fituesi i çmimit “Nobel” në Letërsi për vitin 2006, do të vizitojë Shqipërinë në datat 17 dhe 18 maj, me ftesë të botuesit të tij ekskluziv në gjuhën shqipe “Skanderbeg books”.

Kjo vizitë ka qenë e planifikuar qysh në vitin 2006, me rastin e botimit të veprës së parë në gjuhën shqipe “Unë jam e kuqja”, vit kur ai edhe u shpall fitues i çmimit “Nobel” në Letërsi, që u bë edhe arsyeja e shtyrjes në kohë të vizitës së planifikuar. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Orhan Pamuk do të jetë i pranishëm në promovimin e veprës së tij të re të botuar në shqip “Stambolli” që do t’i paraqitet lexuesit shqiptar këto ditë.

Ai do të jetë i pranishëm në dorëzimin e titullit “Doktor Honoris Causa”, që i jepet nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe në një sërë takimesh me personalitete të artit, kulturës e të politikës shqiptare, si dhe do të flasë ekskluzivisht për lexuesin shqiptar nëpërmjet ekranit. Ai ka shprehur dëshirën për një vizitë të veçantë në Berat, i interesuar për thesaret kulturore e muzeale të këtij qyteti të lashtë shqiptar.

Nga viti 2006 e në vazhdim, në gjuhën shqipe është botuar pjesa më e madhe e veprës së tij, si romanet “Unë jam e kuqja”, “Bora”, “Kështjella e bardhë”, “Shtëpia e heshtjes”, “Jeta e re”, si edhe libri me ese “Baulja e babait”. Gjatë këtij viti pritet të botohen edhe romanet “Muzeu i pafajësisë” dhe “Libri i zi”, vepra që pothuajse përmbyllin korpusin e tij letrar në shqip. Orhan Pamuk është nobelisti i parë në letërsi që viziton Shqipërinë dhe vizita e tij pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme letrare të këtij viti.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›