Hotelet përgatiten për pritjen e Vitit të Ri
Ndërkohë që Prishtina ka marrë pamjen e qytetit të zbukuruar me rastin e festave të fundvitit, shumica e hoteleve kanë nisur përgatitjet për pritjen e mysafirëve për festën e ndërrimit të motmotit, ndërsa çmimet sipas tyre janë të arsyeshme.
Sikurse edhe viteve të tjera, edhe sivjet kanë nisur organizimet për pritjen e natës më të hareshme të vitit, në të cilën do të harrohen brengat dhe telashet, do të shkëmbehen mesazhe urimi për të afërmit, miqtë dhe kolegët.
Disa nga hotelet tashmë kanë kryer organizimet për natën e Vitit të Ri, por jo edhe të gjitha pasi, sipas menaxherëve, kriza e rëndë ekonomike e ka bërë të veten.
Enis Fetahu nga hoteli “Grand”, ka thënë për Kosovapress se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet rreth organizimit të programit festiv për Vitin e Ri.
“Do të ketë organizim shumë të mirë me këngëtarin e mirënjohur Sinan Vllasaliu më datën 01 dhe 02 janar do të jemi në sallën poshtë. Presim të kemi 1200 deri 1300 mysafirë”, ka thënë Fetahu.
Sipas tij, çmimi i biletës për natën e parë do të jetë 80 euro, ndërsa për natën e dytë do të jetë 65 euro. Po ashtu, për mysafirët e pranishëm hotel “Grand” ka përgatitur një lojë shpërblyese.
Përgatitjet për festën e ndërtimit të motmotit i ka bërë edhe hotel “Victory”.
Esat Hamiti, menaxher, thotë se krahasuar me vitet e kaluara kësaj radhe do të kenë një organizim më ndryshe.
“Sikurse vitin e kaluar edhe sivjet kemi bërë përgatitjet për festat e fundvitit. Në krahasim me vitet e kaluara do të kemi muzikë më ndryshe, do të jenë këngëtarët e mirënjohur Afrim Muqiqi dhe Nystret Muqiqi”, ka thënë Hamiti.
Sikurse hoteli “Grand”, edhe “Victory” do të organizojë lojë shpërblyese për mysafirët, por Hamiti nuk dëshiron të zbulojë “sekretin”, duke thënë se kjo do të mbetet befasi.
Ndryshe, çmimi i biletës për natën e parë për të festuar ndërrimin e motmotit në hotel “Victory” është 80 euro, ndërsa natën e dytë 65 euro.
Për dallim nga të tjerët, hotel “Prishtina” nuk e ka në plan të organizojë ndonjë program festiv. Meliza Islami-Curri, menaxhere, thotë se nuk e shohin të arsyeshme vazhdimin e organizimit të ndejave për Vitin e Ri, sikurse në të kaluarën, pasi sipas saj është punë jo fitimprurëse.
“Hoteli ka organizuar para 6 vjetësh një organizim. Nata e dytë dhe e tretë e Vitit të Ri ka qenë shumë mirë, por më vonë kemi bërë disa ndryshime në salla dhe ka humb kapaciteti i ati numri sa ka qenë atëherë. Është dashur angazhim, punë e lodhshme dhe nuk e kemi parë të arsyeshme të vazhdojmë me këtë lloj organizimi”, ka thënë Islami-Curri.
Program festiv për mysafirë nuk do të organizojë as restoranti “Prishtina”. Menaxheri i këtij restoranti, Arsim Muqiqi, shpjegon se arsyeja e vetme e mos organizimit të programit festiv është mungesa e këngëtarëve, për shkak se ata gjatë kësaj kohe mbajnë koncerte jashtë vendit.
“Për vitin e ri s’do të ketë program festiv për arsye se shumica e këngëtarëve janë në diasporë”, ka thënë Muqiqi.
Por, ky restorant, sipas menaxherit Muqiqi ka tashmë si traditë të organizojë program festiv për Kërshëndella.