E Hënë, 2 Nëntor 2026

PK nuk di për praninë e policëve serb në Veri

Nga Express më 26 dhjetor 2010 në ora 20:35

Policia e Kosovës nuk ka informacione për zbarkim të policëve të Serbisë në veri të vendit. Më herët, mediat lokale kishin njoftuar se policë nga Serbia ishin angazhuar përgjatë rrugës në magjistralen e ‘Ibrit’ që nga pika kufitare në Jarinje deri në jug të Mitrovicës dhe besohej se ata përkujdeseshin për sigurinë e eskortës që kalonte përmes Serbisë për në Prizren për të marrë pjesë në liturgjinë e shugurimit të Peshkopit Teodosije. Por, Policia e Kosovës nuk kishte informacione të tilla. ”Në kuadër të ngjarjes së sotme ekziston plani operacional në të cili përfshihet e gjithë Kosova, e gjithashtu edhe veriu. Ne kemi marr masat shtesë të sigurisë, ndërsa nuk jemi të njoftuar zyrtarisht për atë që po thoni ju”, ka thënë Avni Zahiti, zyrtar për informim i policisë rajonale të Mitrovicës. Ndërkohë, mediat raportojnë se masat e sigurisë që urdhëroheshin nga Serbia kishin të bënin me sigurinë e eskortave që udhëtojnë për në Prizren duke u përqendruar sidomos tek Lagja e boshnjakëve në Leposaviq nga frika e hakmarrjes pas vrasjes së Shefko Sallkoviqit, një boshnjak lojal ndaj shtetit të Kosovës. Ai ishte vrarë më 8 dhjetor, katër ditë para zgjedhjeve në Kosovë, kurse përgjegjësinë për vrasjen e tij e pati marrë një organizatë që vetën e quan, ”Shqiponjat e Bardha”. /rel/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›