E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoteli–shtëpi publike çon në pranga katër persona



TIRANË – Prej disa muajsh i kishin kthyer mjediset e hotelit në qendër prostitucioni duke shfrytëzuar një 17-vjeçare, por më në fund janë zbuluar nga policia. Madje, rrjeti prej katër personash ka përdorur edhe komplekse të tjera hoteliere për këtë qëllim. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje u organizua operacioni i koduar me emrin “Mysafiri”, i cili ka përfunduar me prangosjen e shtetasve Gentian Prenga, Artur Përndokaj, Albert Stafa dhe Fjordi Avdiu. Të ndaluarit kishin marrë një vajzë 17 vjeçe dhe në bashkëpunim me pronarin e hotelit që ndodhet pranë autostradës Tiranë – Durrës, siguronin të ardhura përmes këtij aktiviteti të paligjshëm. Për zbulimin e kësaj qendre prostitucioni prokuroria kishte nisur hetimet rreth tre muaj më parë, por vetëm dje u bë e mundur që të finalizohet operacioni.

Rrjeti
Shtetasi Fjordi Avdiu, pronar i hotel “V...”, që ndodhet fare pranë aksit Tiranë-Durrës, në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, kishin marrë një vajzë, të cilën e shfrytëzonin për qëllime prostitucioni. Për një periudhë disamujore ata arritën që të krijonin një klientelë dhe përmes këtij aktiviteti të paligjshëm siguronin të ardhura të konsiderueshme. Grupi që kishte ndërtuar këtë skemë e përdorte vajzën edhe në komplekse të tjera hoteliere në Tiranë, sipas kërkesave që kishin pronarët apo klientët.
Por, një gjë e tillë ka rënë në sytë e policisë dhe të strukturave të tjera hetimore. Fillimisht është mbajtur në vëzhgim hoteli që ndodhet në periferi të kryeqytetit dhe më pas është lëshuar urdhri për nisjen e operacionit. Pikërisht në orët e para të ditës së djeshme me dhjetëra forca policore kanë realizuar operacionin e koduar me emrin “Mysafiri”, i cili përfundoi me ndalimin e katër personave dhe të vajzës që përdorej për qëllime prostitucioni.

Arrestimi
Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës bënë të ditur dje se operacioni “Mysafiri” përfundoi me arrestimin e shtetasve: Gentian Prenga, 27 vjeç, banues në Tiranë; Artur Përndokaj, 44 vjeç, banues në Bërxullë; Albert Stafa, 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Fjordi Hamdi Avdiu, 24 vjeç, banues në Tiranë. Sipas tyre, tre personat e prangosur, për një periudhe afro 3 muaj, kanë përdorur mjediset e hotelit për të shfrytëzuar për qëllime prostitucioni një shtetase 17-vjeçare. Sipas të dhënave hetimore, vajza përdorej edhe në disa hotele të tjera në Tiranë, sipas kërkesave që kishin. Gjatë realizimit të aksionit policor, “në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete, shuma e parave prej 15 000 lekësh, 20 telefona celularë, 5 copë perzevativë”. Zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini, thotë se “materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale të “trafikimit të femrave”, “heqja e paligjshme e lirisë”. Ndërsa për shtetasin Fjordi Avdiu pritet të rëndojë akuza për veprën penale të “mbajtjes së lokaleve për prostitucion.
Hotelet në periferi të kryeqytetit kanë qenë shpeshherë në epiqendër të kontrolleve të policisë, pasi përdoren në jo pak raste për strehë të aktiviteteve për prostitucion. Madje kanë dalë edhe rregulla për pronarët e këtij lokaleve, të cilat kërkojnë identifikimin e saktë të personave që rezervojnë të dhëna apo edhe kritere të tjera, të cilat janë në funksion të parandalimit të veprimtarive të këtij lloji.

Zhduket 16-vjeçarja, policia nis kërkimet

SHIJAK – Që prej dy ditësh policia ka nisur kërkimet për gjetjen e një të miture, e denoncuar e zhdukur nga familja. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ditën e hënë është bërë kallëzimi në Komisariatin e Policisë Shijak nga shtetasja me inicialet N. T., banuese në Sukth, e cila deklaron se më datë 3 mars i është larguar nga banesa vajza e saj, shtetasja Rezarta Tahiraj, 16 vjeçe. “Nga ana jonë u kryen veprimet procedurale, u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për gjetjen e saj”, - thotë zëdhënësja e Policisë, Ornela Cako. Gjatë dy muajve të fundit janë denoncuar me dhjetëra raste të personave të zhdukur në qarkun e Durrësit.

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›