E Shtunë, 31 Tetor 2026

Provimi, ricertifikimi i mjekëve, kur do të pezullohet kontrata e punës



Jonida Tashi

Përcaktohet afati i pezullimit të kontratave të punës, për të gjithë punonjësit e sistemit shëndetësor, që nuk plotësojnë numrin e nevojshëm të krediteve për programin e ricertifikimit. Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QKEV), saktëson se profesionistët që nuk do të plotësojnë numrin e detyrueshëm të krediteve në fund të ciklit, do t’i nënshtrohen një provimi. Kështu, në rastet kur profesionisti nuk do të plotësojë numrin e krediteve për secilin vit kalendarik ose numrin e përgjithshëm prej 150 kreditesh në 5 vjet, atëherë do të vlerësohet se profesionisti nuk ka përmbushur kërkesat e programit të ricertifikimit bazuar në ndjekjen e aktiviteteve të edukimit në vazhdim dhe duhet t‘u nënshtrohet sanksioneve të vendosura. Sipas QKEV-së, për profesionistët, që nuk marrin ose nuk paraqiten në provim brenda 6 muajsh nga mbarimi i ciklit, Bordi Kombëtar i Ricertifikimit dhe Akreditimit (BKRA) mund të vendosë pezullimin e kontratës së punës. Po ashtu, BKRA-ja, bazuar në informacionin e dorëzuar nga institucioni akreditues mbi statusin e secilit profesionist është përgjegjëse për njoftimin e të gjithë atyre profesionistëve, të cilët, nuk i kanë përmbushur kriteret e parashikuara për fazën në të cilën ndodhet cikli i programit, si dhe vendosjen e sanksioneve përkatëse për profesionistin ose institucionet punëdhënëse.
Provimi
Profesionistët që nuk do të arrijnë të mbledhin numrin e përgjithshëm prej 150 kreditesh, për ciklin e parë të programit të ricertifikimit deri më 31 dhjetor 2014 ose numrin e përgjithshëm prej 250 kreditesh për ciklet pasuese, do t’i nënshtrohen një provimi njohurish dhe kompetencash. Profesionistët, të cilët, dështojnë në provimin e parë ose për arsye të ndryshme, nuk i nënshtrohen atij, kanë mundësinë që brenda 6 muajsh nga përfundimi i ciklit të programit të ricertifikimit t’i nënshtrohen një provimi të dytë. Shpenzimet për kryerjen e testit do të mbulohen nga vetë profesionisti. Në rastet kur profesionisti dështon edhe në provimin e dytë ose nuk i nënshtrohet atij, atëherë profesionistit mund t’i pezullohet kontrata me institucionin ku është punësuar deri në momentin e kalimit me sukses të provimit. Kurse profesionistët e përfshirë në programin e ricertifikimit dhe që do të plotësojnë numrin e detyrueshëm të kreditove do të ricertifikohen nga BKRA-ja, bazuar në kriteret dhe standardet e parashikuara. Në fund të secilit cikël 5-vjeçar të programit të ricertifikimit, BKRA-ja do të pajisë profesionistët pjesëmarrës në këtë program me një dëshmi që vërteton përmbushjen e kërkesave të programit, kreditet përkatëse dhe kalimin në ciklin pasues të programit.
Kreditet
Të gjithë mjekët, stomatologët dhe farmacistët, shtetas shqiptarë dhe të huaj, që ushtrojnë profesionin e tyre në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi, në institucionet publike ose private të kujdesit shëndetësor parësor, dytësor dhe tretsor dhe ata të institucioneve akademike shëndetësore, do të jenë të regjistruar në programin e ricertifikimit. Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët, do të fillojnë ta ushtrojnë profesionin e tyre (do të licencohen) pas datës së fillimit të ciklit të parë (janar 2010) duhet të përmbushin kërkesat e programit të ricertifikimit nga 1 janari i vitit kalendarik pasues, duke mbledhur kreditet e nevojshme të fazës në të cilën ndodhet programi i ricertifikimit. Për shembull, profesionistët, të cilët do të fillojnë të ushtrojnë profesionin e tyre gjatë vitit 2012, duhet të mbledhin 40 kredite për vitin 2013 dhe 50 kredite për vitin 2014. Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët, gjatë një viti kalendarik të ciklit të programit ndërpresin punën për një periudhë 4-mujore ose edhe më gjatë, përjashtohen nga kërkesat e programit për atë vit kalendarik. Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët janë në pension dhe nuk ushtrojnë profesionin e tyre, përjashtohen nga programi i ricertifikimit. Mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët punojnë me kohë të pjesshme, duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të programit si dhe ata që ushtrojnë profesionin e tyre me kohë të plotë. Infermierët dhe profesionistët e tjerë të shërbimeve shëndetësore do të përfshihen gjithashtu në programin e ricertifikimit në të ardhmen.
Regjistrimi
Të gjithë profesionistët e përfshirë në programin e ricertifikimit do të regjistrohen në një regjistër elektronik dhe do të kenë një dosje individuale, në të cilën do të dokumentohet pjesëmarrja e tyre në aktivitetet e edukimit në vazhdim, si dhe do të regjistrohen kreditet e përfituara prej tyre. Regjistri Kombëtar i Ricertifikimit të Profesionistëve do të krijohet dhe administrohet nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Për këtë arsye, të gjithë mjekët, stomatologët dhe farmacistët, të cilët, do të fillojnë të ushtrojnë profesionin e tyre pas janarit të këtij viti kanë përgjegjësi të bashkëpunojnë me QKEV-në, për regjistrimin e tyre në Regjistrin Kombëtar të Ricertifikimit, në mënyrë që të përfshihen në këtë program. Njohja dhe regjistrimi i krediteve do të kryhet nga QKEV-ja nëpërmjet regjistrimit në dosjen individuale elektronike të profesionistit të krediteve të përfituara prej tij në aktivitetet e edukimit në vazhdim. Procedurat e njohjes dhe regjistrimit të krediteve ndryshojnë bazuar në llojin e aktivitetit të edukimit në vazhdim nga i cili këto kredite janë përfituar. Më pas, procedurat e regjistrimit të krediteve të përfituara do të hidhen në dosjet individuale deri në datën 31 janar të vitit pasardhës, datë pas së cilës, QKEV-ja duhet të raportojë pranë Bordit Kombëtar të Ricertifikimit dhe Akreditimit (BKRA) informacionin mbi statusin e secilit profesionist në programin e ricertifikimit për vitin e kaluar kalendarik.

Afatet kohore për regjistrimin e krediteve të fituara
Për regjistrimin e krediteve të përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim, të akredituara paraprakisht nga QKEV-ja, ofruesit e këtyre aktiviteteve duhet të dorëzojnë listat e pjesëmarrësve në aktivitet pranë QKEV-së jo më vonë se 30 ditë pas përfundimit të aktivitetit. Për regjistrimin e krediteve të përfituara nga aktivitete të edukimit në vazhdim, të akredituara paraprakisht nga institucione të tjera akredituese ose nga aktivitete individuale të edukimit në vazhdim, profesionisti duhet të aplikojë për njohjen dhe regjistrimin e krediteve pranë QKEV-së para datës 30 shtator për aktivitetet e zhvilluara në 6-mujorin e parë të vitit kalendarik dhe para datës 31 dhjetor për aktivitetet e zhvilluara në 6-mujorin e dytë të vitit kalendarik. Në të kundërt, kreditet do të regjistrohen në dosjen individuale dhe do të përllogariten si kredite të përfituara në vitin pasardhës. Për regjistrimin e krediteve të përfituara nga aktivitete të vetëraportuara, profesionisti duhet të plotësojë formularin përkatës, nëse është i nevojshëm, vetëm një herë për secilin vit kalendarik të ciklit, përpara datës 15 dhjetor. QKEV-ja duhet të kryejë procedurat e njohjes dhe regjistrimit të krediteve në dosjen individuale të profesionistit brenda një afati kohor jo më të gjatë se 30 ditë nga data e dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga ana e ofruesit ose profesionistit. Procedurat e regjistrimit të krediteve të përfituara duhet të hidhen në dosjet individuale deri në datën 31 janar të vitit pasardhës, datë pas së cilës, QKEV-ja duhet të raportojë pranë Bordit Kombëtar të Ricertifikimit dhe Akreditimit (BKRA) informacionin mbi statusin e secilit profesionist në programin e ricertifikimit për vitin e kaluar kalendarik.

Kreditet e edukimit në vazhdim sipas aktiviteteve
Numri i nevojshëm i krediteve të edukimit në vazhdim, që një profesionist i përfshirë në programin e ricertifikimit duhet të mbledhë sipas kategorive të aktiviteteve, është si më poshtë:
Kreditet e përfituara nga aktivitetet e edukimit në vazhdim me temë të lidhur drejtpërdrejt me specialitetin e profesionistit duhet të përbëjnë të paktën 50% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti për secilin vit kalendarik dhe për secilin cikël të programit të ricertifikimit
Kreditet e përfituara nga aktivitetet e vetëraportuara mund të përllogariten deri në 20% të numrit të përgjithshëm të krediteve të raportuara nga profesionisti për secilin vit kalendarik dhe për secilin cikël të programit të ricertifikimit
Pjesa tjetër e krediteve të nevojshme përcaktohet nga zgjedhja e lirë e profesionistit, në bazë të nevojave individuale

Kreditet sipas aktiviteteve të vetëraportuara
Aktivitetet individuale, kreditet e të cilave përllogariten nga vetë profesionisti dhe vetëraportohen janë:
Aktivitete të vetëraportuara Numri i krediteve
Lexim artikulli 0.5
Lexim libri shkencor 3
Vizitë studimore deri në 5
Pjesëmarrje në aktivitete kërkimore deri në 5

7 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›