Dëshmia, gardisti në Gjykatë: “U fsheha në autoblindë për t’u shpëtuar plumbave”
Laureta Rryçi
Procesi gjyqësor për masakrën e Cërrikut vijoi dje me një nga dëshmitë e gardistëve që arriti të mbijetojë. Shpend Hakaj, gardisti i mbijetuar, në cilësinë e dëshmitarit të thirrur nga Akuza, riktheu dje për më shumë se një orë ngjarjen edhe pse për të shpëtuar kokën i ishte dashur të qëndronte për orë të tëra në autoblindë. Dëshmia për orët e tmerrit mbi atë masakër ku mbetën të vrarë gjashtë gardistë u dëgjua dje në sallën e gjyqit të Krimeve të Rënda. Haklaj risolli edhe njëherë ndër mend marsin e 1997-s kur ai, me të njëjtën detyrë, u nis së bashku me gardistët e tjerë drejt Cërrikut për të vendosur normalitet në qytetin e trazuar nga ngjarjet e asaj kohe.
Dëshmia
Gardisti e nisi rrëfimin e tij dje duke shpjeguar se kanë marrë urdhër nga eprorët për t’iu bashkangjitur Forcave Speciale për t’u nisur drejt Cërrikut me autoblindë. Haklaj tha se ishin katër autoblinda dhe dy transportues që u nisën drejt Cërrikut. Sa iu afruan qendrës së qytetit ai kujtoi para trupit gjykues se janë ballafaquar me shkëmbim të fortë zjarri, por ata vetë, sipas gardistit, nuk janë kundërpërgjigjur pasi ishin pajisur vetëm me pistoleta. Madje, Haklaj tha se mbylli autoblindën duke u fshehur vetë brenda, pa parë se ç’ndodhi më pas. “Kur tërhoqëm trupat na dhanë urdhër të merrnim viktimat dhe të plagosurit”, - kujton Haklaj. Por sërish ai kishte refuzuar, pasi shtoi se “ne nuk ishim armatosur siç duhej”. Këtu kishte dëgjuar mbi të vrarët dhe të plagosurit, ku përmendej si i tillë dhe emri i Agron Kuliqit. Ndërsa vetë kishte parë pas masakrës një autoblindë të djegur. “Gjatë rrugës ka pasur blinda, furgonë policie dhe mbrapa meje ishte një automjet IFA. Kemi ndaluar në fshatin Therm dhe aty Forcat Speciale gjetën një sërë armatimesh, të cilat i morën me vete. Pasi u kthyem nga fshati Therm, u nisëm drejt Cërrikut. Tanku im ishte i parafundit në radhën e tankeve rrugës për në Cërrik. U vendosëm para Pallatit të Kulturës në Cërrik dhe ishim rreth 4 tanke. Në ato momente dëgjova krisma armësh dhe pashë rikosheta plumbash në një shtyllë elektrike. Mbylla kapakun tim dhe po prisja çfarë do të bënte tanku para meje dhe do të veproja edhe unë si ai. Gjatë tërheqjes ndoqëm rrugën nga e cila erdhëm. Disa të Forcave Speciale hapën derën dhe u futën në tankun tim, pasi blindat e tyre ishin djegur. Kur dolëm te rruga e kthimit gjeta Hysen Doçin, Pjetër Kolprençin dhe një person tjetër. Ata hynë në blindën time dhe më treguan për ngjarjen. Hysen Doçi më tha se njëri nga ata të Forcave Speciale në tankun e tij kishte marrë një plumb në kokë”, - rrëfeu dje gardisti.
Procesi
Gjyqi ndaj bandës së Cërrikut ka në cilësinë e të pandehurit Llazar Bicjen, Meti Bozin, Arjan Toskën, Roland Sotën, Alban Toskën, Skënder Canin, Tomorr Buzanin, Bujar Buzanin dhe Entel Gashin. Ata akuzohen si autorë të masakrës së Cërrikut, ngjarje kjo e ndodhur më 23 mars të vitit 1997, ku mbetën të vrarë me armë zjarri gjashtë punonjës të Gardës së Republikës, si dhe u plagosën nëntë punonjës të Policisë së Shtetit. Mungesa e avokatëve mbrojtës ka qenë një ndër shkaqet e zvarritjes së këtij procesi, i cili ende nuk po përfundon, megjithëse të pandehurit janë arrestuar tre vjet më parë.
Gjyqtarë prezantojnë projektin për transparencën gjyqësore
Instituti i Studimeve Publike dhe Ligjore, në bashkëpunim me Unionin e Gjyqtarëve, kanë prezantuar dje projektin për transparencën në Gjyqësor, një projekt i financuar nga BE-ja. Prezantimi në Tiranë i projektit vjen pas prezantimeve të tij në katër qytete të tjera në vend, si Durrës, Shkodër, Korçë dhe Vlorë. Projekti synon rritjen e transparencës së Gjyqësorit dhe hartimin për këtë qëllim të një projekt-rregulloreje që do t’i dërgohet për miratim Ministrisë së Drejtësisë. Në prezantimin e sotëm merrnin pjesë përfaqësues nga të gjitha gjykatat, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe aktorë të tjerë të sistemit të Drejtësisë në vend.
a
7 Prill 2010